Rama: Tatimet ende në tranzicion
ka korrupsion,tani punohet me tru

Rama: Tatimet ende në tranzicion<br />ka korrupsion,tani punohet me tru
Administrata tatimore është ende në tranzicion, ndonëse ajo ka ende korrupsion. Kështu ka deklaruar kryeministri i vendit, Edi Rama gjatë një takimi të mbajtur me ekspertët e USAID, për përmirësimin e efiçencës së administratës tatimore.

Më tej, Rama ka theksuar se, administrata tatimore u trashëgua pa tru, por që prej vitit 2013 ajo po punon me tru, duke i dhënë fund gjuetisë së shtrigave, ndërkohë që ka theksuar se kushdo që abuzon me detyrën do të dërgohet në prokurori.

Administrata jonë tatimore është ende në tranzicion, po lë pas fazën korrupsionit. Administrata tatimore po punon me tru që në 2013, pasi e kemi pasur pa tru ndonëse kemi shumë për të bërë. Në administratën tatimore s’ka më gjueti shtrigash. I kemi dhënë fund kontrolleve pa fund ndaj bizneseve. Kushdo që bën korrupsion, do dërgohet në prokurori. Nga një fazë kaotike në një fazë të re ku duhet të sundojë profesionalizmi me shpirtin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të respektit për sipërmarrjen. Kemi shumë për të bërë pasi duhet të ndryshojmë cilësinë e mendimit dhe veprimit të inspektorëve të tatimeve dhe atyre që punon në qendër. Duhet të kemi administratë që punon me tru, që fjalën kyç të veten ka shërbimin ndaj sipërmarrjes, jo gjuetinë për sipërmarrësit” u shpreh ai.
 
Rama ka theksuar se, borxhi publik është 69.9% por duke pasur parasysh borxhet e shlyera, borxhi është 64%, duke shtuar se, qeveria shlyu borxhin e sipërmarrjes brenda dy vitesh.

Duke u ndalur tek informaliteti, ai shtoi se, tani ka 33% më shumë biznese aktive dhe se ka 200 mijë të punësuar më shumë se dy vite më parë.

Informalitetin do e çojmë përpara, jemi të vendosur, nga aksioni fitoi sipërmarrja, sot ka 33% më shumë biznese aktive më shumë se dy vite më parë. Sot numërohen 200 mijë të punësuar më shumë se dy vjet më parë" pëfundoi ai.

Këto deklarata kreu i ekzekutivit i bëri gjatë një takimi, për bashkëpunimin e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Taksave (DPT) janë duke bashkëpunuar mbi një program të ri të asistencës teknike për të përmirësuar eficiencën e mbledhjes së taksave në Shqipëri. Programi i asistencës teknike financohet nga USAID dhe implementohet nga Aleanca e Vullnetarëve për Rritjen Ekonomike (VEGA) dhe Korpusi i Vullnetarëve të Shërbimeve Financiare (FSVC) si partner kryesor implementues. Programi do të mbështetet në asistencën me impakt të lartë që FSVC i ka dhënë sektorit financiar shqiptar që nga viti 1999, dhe përvojën e gjerë në mbështetjen e qeverive në forcimin e manaxhimit të financave publike në vende të tjera në zhvillim.
 
Manaxhimi i financave publike ka qenë i dobët në Shqipëri gjatë dekadës së fundit, dhe mbledhja e taksave ka qenë një nga çështjet më kritike. Për të trajtuar mangësitë dhe për të mbështetur përpjekjet e administratës publike për të rritur displinën fiskale në ekonomi, është kryer një diagnostikim i plotë i fushave që kanë nevojë për përmirësim në punën e DPT. Duke u mbështetur në këtë analizë, FSVC do të hartojë një strategji për rritjen e eficiencës së mbledhjes së taksave në Shqipëri. Stafi i DPT do të punojë me ekspertë vullnetarë të nivelit të lartë nga SHBA, BE dhe vende të tjera të zhvilluara përgjatë një periudhe 12-mujore nëpërmjet nëntë misioneve afatshkurtra teknike. Modeli unik i funksionimit të FSVC, nëpërmjet rekrutimit të vullnetarëve lejon alokimin dhe përcjelljen e aftësive specifike, duke u mbështetur në një fond të shkëlqyer talentesh globale për të trajtuar nevojat e identifikuara nga institucionet e asistuara.
 
Në përfundim të programit, DPT do të ketë njohuri dhe aftësi të përmirësuara në disa fusha kyçe për të përmirësuar mbledhjen e taksave në Shqipëri. Rezultatet e pritshme përfshijnë aftësimimin e stafit të DPT për të kryer auditime tatimore dhe hetime më efektive, veçanërisht për kompanitë e mëdha; përmirësimin e procesit të mbledhjes dhe manaxhimit të borxhit; përmirësimin e matjes së performancës; dhe finalizimin e një strukture organizative për t’i lejuar DPT të punojë më efektivisht. Këto rezultate do të ndihmojnë në rritjen e mbledhjes së të ardhurave fiskale në Shqipëri, do të mbështesin deklarimin dhe pagimin më të shpejtë dhe të saktë të detyrimeve nga bizneset, forcimin e përputhshmërisë tatimore, dhe ndihmojnë në reduktimin e kostos së përputhshmërisë. Përmirësimi i përgjithshëm i procesit të administrimit tatimor do të ndihmojë në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj taksapaguesve dhe do të reduktojë barrën burokratike për bizneset. 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e programit të bashkëpunimit me USAID‏


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?



×

Lajmi i fundit

Aksident në autostradën Durrës-Tiranë, autobusi përplaset me bordurën anësore, mbetet i lënduar 56-vjeçari

Aksident në autostradën Durrës-Tiranë, autobusi përplaset me bordurën anësore, mbetet i lënduar 56-vjeçari