Rama te '5 pyetje': Blushin s'e
kam rival, nuk e dëboj nga PS 

Rama te '5 pyetje': Blushin s'e<br />kam rival, nuk e dëboj nga PS 
TIRANË - Në Partinë Socialiste nuk do të ketë zgjedhje për kryetarin, mandati i të cilit është i përcaktuar në statut për 4 vjet, e që aktualisht kryesocialisti Rama drejton partinë prej 7 vitesh. Konfirmimin e ka dhënë vetë shefi i qeverisë Edi Rama për emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv, kur sqaroi se Partia Socialiste është organizuar sipas modelit të laburistëve të rinj. Sipas këtij modeli – theksoi Rama – fitorja në zgjedhjet e përgjithshme, ku ai u zgjodh kryeministër, konsiderohet konfirmim i mandatit të liderit të partisë, ashtu siç është edhe në rastet e kryeministrit David Cameron dhe laburistit Tony Blair. 
 
Cameron u zgjodh kryeministër nuk di të ketë bërë dhe nuk ka për të bërë zgjedhje për kryetar partie. Ashtu si Toni Bler u zgjodh 3 herë kryeministër dhe nuk bëri asnjëherë zgjdhje”, tha Rama.
 
“Ky debat – sipas tij - mund të vlente kur partia humb zgjedhjet, por partia ka fituar dy herë zgjedhjet”.
 
 “Ju siguroj që nuk më mungon ndonjë rikonfirmim pasi kemi fituar dy palë zgjedhje dhe e kam parë krejtësisht pa lidhje t'i angazhojmë forcat në një fushatë brenda partisë pasi kishim fituar zgjedhjet. Unë jam zgjedhur nga shqiptarët së bashkë me PS dhe aleatët për të realizuar programin tonë për rilindjen”, - tha shefi i qeverisë.  
 
Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e sheh si rival për kryetar deputetin Ben Blushi, i cili shpalli kandidaturën në rast se në PS do të kishte zgjedhje, por shtoi se me zërin kundër brenda partisë Blushi nuk e ka kaluar vijën e kuqe sa për tu përjashtuar nga Partia Socialiste.
 
Rama u shpreh se Kongresi i PS-së që pritet të mblidhet do të marrë vendim sa i përket rregullave të zgjedhjes së kryetarit në rast se ai ka fituar zgjedhjet e përgjithshme, siç ndodhi me Ramën në qershor 2013. 

Rama nuk perjashton mundesine per ndryshime ne qeveri
Gjatë intervistës në “5 Pyetjet nga Babaramo”, kryeministri nuk përjashtoi mundësinë për ndryshime në qeveri nëse ndonjë nga ministrat nuk do të zbatojë programin e parashikuar për dikasterin e tij.

“Nuk mund t’ju përgjigjem çfarë do bëj nesër, deri në zgjedhjet e ardhshme, s’mund t’ju përgjigjem...Gjithsecili ka detyra, ka afate dhe ka një program për të zbatuar, deri tani më duket se gjithsecili ka ecur sipas afateve të programit, nëse dikush do lodhet sigurisht nuk do e lodhim më tutje, e ulim në stolin e rezervave”, u shpreh shefi i mazhorancës.

Pyetjes së a është i kënaqur me punën e ministrave, Rama ju përgjigj: “Nuk jam i kënaqur asnjëherë nga vetja, jo më nga të tjerët. Kërkoj gjithmonë më shumë”. 

“Koalicioni s’ka motiv për prishje, është në nivele të shkëlqyera”
Rama e ka cilësuar koalicionin me Lëvizjen Socialiste për Integrim një aleancë mbi baza sinqeriteti dhe në nivel të shkëlqyer.
 
Koalicioni do ishte në rrezik nëse nuk do të bëheshin reformat. Kjo do ishte arsye për tu ndarë, të jeni të sigurt se unë do e kërkoja divorcin. Këto s’kanë ndodhur e nuk ndodhin”, - tha Rama.

Duke u ndalur tek divergjencat mes dy partive PS e LSI Rama tha se ka ndryshime të metodologjive, por jo përmbajtjes, pasi partitë që në kohën e themelimit të koalicionit kanë pasur objektiva të qartë.

“Mendoj se duhet të bëjmë reformat, këto janë diferenca metodë, por jo divergjenca në përmbajtje. Diferenca metodë ne kemi me LSI nga A deri në L, por në përmbajtje s’kemi divergjenca” shtoi ai.

"Reformen ne drejtesi e votoj symbyllur, vetem nje pale eshte e painteresuar per procesin"
Sa i përket sistemit të drejtësisë, Rama u shpreh i se reforma në drejtësi do të votohet, edhe pse mund të vonohet në kohë, koston e së cilës ja adreson Partinë Demokratike.

Referendumi është rrugë e popullit, është instrument i shkëlqyer që do e votoja symbyllur në rast se palët do jenë dakord nëse kemi divergjencë, që s’mund ta lexojmë njësoj. Unë mendoj se reforma s’do vonohet, por kush e vonon atë afron ballafaqimin me një dramë politike për veten dhe partinë e tij. Unë këtu shoh vetëm një palë që është e painteresuar për reformën në drejtësi” shtoi ai duke theksuar se PS do presë raportin e Komisionit të Venecias.

Koncesionet, Rama: Një lukuni e shpifur dezinformon opinionin
Një lukuni të shpifur i ka vlerësuar kryeministri Edi Rama kundërshtarët e partneritetit publik-privat që qeveria e drejtuar prej tij ka bërë në shërbime të ndryshme. Shefi i qeverisë tha se kritikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar për koncesionet se kanë arritur të rrezikojnë stabilitetin makro-ekonomik të vendit, janë të drejta. Por duke ja adresuar këto kritika qeverisë së shkuar të drejtuar nga Sali Berisha, Rama tha se mazhoranca aktuale ka ndërmarrë tjetër filozofi ndaj partneritetit me privatin, ku shumë koncesione të dhëna nga Berisha janë rinegociuar, siç është ai për skanimin në dogana apo pullat fiskale.

“Koncesionet janë siç thotë FMN. Ndaj i kemi adresuar ndryshe partneritetet, e konsideroj të shpifur gjithë këtë lukuni që është turrur për të dezinformuar opinionin publik. Jemi në angazhim serioz për të ulur borxhin pasi kemi paguar një mal me borxhe të trashëguar që e gjetëm në mes të rrugës dhe nuk ishte i deklauar. Legalizuam një realitet të trashëguar dhe të fshehur”, - tha Rama

I pyetur nëse duhet të ketë denoncime për zyrtarët që kanë vendosur për këto koncesione, Rama tha se nuk mund të shkohet tek aspektet e natyrës penale, pasi për koncesionet tha Rama – është abuzuar me vullnetin sovran të parlamentit, “ka vulosur parlamenti”. “Koncensionet janë tënegociueshme por jo të anulueshme”, theksoi kryeministri. 

edi rama 5 pyetje

Intervista e kryeministrit ne "5 Pyetjet nga Babaramo"

Alarmi i FMN i cili është shprehur se niveli i koncesioneve ka arritur në përmasa që përbëjnë rrezik për stabilitetin makroekonomik të vendit. Ju si do ta kaloni këtë situatë, nëse kemi parasysh edhe borxhin publik prej 75%?
Ne në fakt jemi në një angazhim shumë serioz për të mbyllur borxhin. Kemi paguar një mal me borxhe të trashëguara që e gjetëm në mes të rrugës dhe që pjesa dërrmuese e tij nuk ishte i deklaruar. Ajo që FMN realizon është një shqetësim, është shumë e rëndësishme të kuptohet se koncesionet janë mekanizma që bëjnë mirë por edhe keq. Në këtë vend kemi një sërë të trashëguara që faktikisht janë ashtu siç thotë FMN. Për këtë ne i kemi adresuar ndryshe partneritetet publike-private dhe prandaj uën e konsideroj të shpifur gjithë këtë lukuni që është turrur për të dezinformuar opinionin publik. Në të kaluarën, kemi trashëguar një sërë kontratash për Hece....
 
Kemi trashëguar një koncesion për automjetet. Ata që bëjnë kontrollet e automjeteve e shohin që aty s'ka ndryshuar asgjë. Ne kemi ndërmarrë për atë arsye që ndërmerret një nismë, për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe jo për të rënduar xhepat e  qytetarëve. Privati merret për të bërë investime që shteti s'mund t'i bëjë dhe për t'ia kthyer qytetarit në shërbime më të mira dhe shembujt konkret janë ato si check up, hemodializa, për mjetet spitalore ose mund t'iu them që në kontratat tona për HEC-et  nuk ka asnjë barrë për shtetin. Është privati që ndërton.
 
Përse nuk i çoni në arbitrazh, t'i anuloni këto koncesione?
 Ne kemi tentuar, kemi marrë edhe shërbim avokatie ndërkombëtare për të shkuar drejt anulimit. Këto koncesione janë bërë me parlament dhe janë blinduar që nuk ka gjykatë që nuk na jep të drejtë. Sepse një instancë si parlamenti u ka vënë atyre një vulë qorrazi. Ne kemi rinegociuar kontratën me skanimin.
 
A mendoni se është negocim i drejtë?
Është një shërbim që ne kemi marrë maksimumin. Kemi ulur tarifën doganore nga 39 euro në 22 euro. Kemi marrë përsipër të paguajmë ne faturën e skanimit për industrinë...imagjinoni çfarë dëmi të madh mund të shkaktonte. Kemi negociuar dhe ministri i Energjisë ka ndërmarrë një nismë për të ulur në maksimum dëmet që i shkaktohen buxhetit të shtetit nga një serë koncesionesh të panevojshme në fushën e prodhimit të energjisë.
Kemi marrë përsipër të paguajmë ne tarifën e skanimit.. Ne kemi rinegociuar atë të pullave fiskale dhe kemi refuzuar që të vendosen dhe për ilaçe. Pra jo vetëm hoqëm taksën që kishte vendosur në çdo aspirinë, jo vetëm ulëm 30 % çmimin e ilaçeve në tërësi, por nuk lejuam që publiku të paguajë faturën e këtij koncesioni.
 
Këto koncesione të pafavorshme janë nënshkruar nga zyrtarë... përse nuk i denonconi?
Pafavorshmëria është e qëllimshme dhe e gabuar. Kur vjen puna tek aspektet penale, nuk është drejtpërdrejt e lidhur me faktin se koncesioni është i gabuar sepse, ka vulosur Kuvendi. Kjo është pika që i ka bërë këto koncesione të negociueshme por jo të anulueshme.
 
Ju përmendët atë të hemodializës, e ka marrë një subjekt të cilin ju e keni atakuar gjatë fushatës elektorale...?
 Unë asnjëherë nuk kam atakuar subjekte por politika. E kam konsideruar të palejueshme që një parti të atakojë subjekte, sipërmarrje e individ që merren me biznes. Nëse një sipërmarrje përfshihet në një veprimtari, kjo është rezultat i një politike të gabuar.
 
Nëse në Turqi sot një nga çelësat e suksesit ekonomikë, në shëndetësi, arsim, është partneriteti me privatin kjo domethene që ky partneritet është bërë mirë...
 
Shqetësimin për koncesionet ka shprehur edhe LSI, konkretisht për koncesionin e Skavicës.
Kemi një kërkesë  nga një kompani turke jo për hidrocentralin e Skavicës por për atë të Katundit të Ri që është pjesë e kasakadës. Po kryhet një studim për kaskadën e Skavicës. Hemodializën, të gjithë ata në nevojë që vinin nga gjithë Shqipëria për të marrë një shërbim, për të cilin paguhej 90 euro nga shteti. Sot paguhet 80 euro, por falë partneriteti ky shërbim do shtrihet në të gjitha qytetet. Sot për të bërë një check up kushton 51 mijë lekë të vjetra. Po kush është ai i pasiguruar që mund të harxhojë kaq lekë për analiza. Me 18 mijë lekë të vjetra që i paguan shteti garantohet falas check up.
 
Opozita ngre pretendime që janë edhe kontrolle fiktive ..
Opozita mund të jetë e mendimit që edhe kjo intervistë është fiktive dhe ne jemi fiktiv. Check up është baza për të bërë një sërë politikash dhe për të parandaluar.
 
Me tone kritike kundër koncesioneve është shprehur edhe Ben Blushi. Rivali juaj rishtas. Pse në PS duhet të krijonit superdeputetë?
Ne s'kemi krijuar asnjë super deputetë, ne kemi ndërtuar një proces që është i nevojshëm dhe që rezultatet po na tregojnë si ka qenë zgjidhja e duhur për të riorganizuar PS. Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet zgjerimi i rradhëve të anëtarësisë, gjithpërfshirja, projeksioni i organizatës si pasqyrë sociale dhe fuqizimi i PS si forca kryesore mbështetëse e këtij procesi reformash.
 
Duke qëndruar tek deklaratat agresive të Blushit.. ai shpalli edhe kandidaturën e tij...
Unë dua të ndaj qartësisht komentet sepse nuk komentoj komentatorët e atyre që bëjnë mirë ose keq, nga fakti. Fakti është që ne kemi një parti të organizuar mbi bazën laburiste të laburistëve të rinj që zgjedhin një anëtar një votë, liderin e partisë dhe që konsideron konfirmim të mandatit në zgjedhjet e përgjithshme pasi lideri i partisë është edhe kryeministri ku partia fiton zgjedhjet. Ky debat do vlente nëse partia ka humbur zgjedhjet. Kongresi i PS, do të marrë vendimin përkatës dhe kjo është e përcaktuar që nga Asambleja. Unë nuk kam as dëshirën as ngenë të hy në një debat të kësaj natyre pasi është fare e qartë që unë jam zgjedhur nga shqiptarët për të punuar ditë natë, për të realizuar programin tonë për rilindjen. E kam konsideruar dhe e konsideroj këtë një çështje që nuk ekziston. Secili ka legjitimitetin të shoh ndryshe.
 
A e ndjeni që duhet të rikonfirmoheni nga strukturat e PS?
Ju siguroj  që nuk më mungon absolutisht ndonjë rikonfirmim pasi kemi fituar dy palë zgjedhje njëra pas tjetrës dhe e kam  parë pa lidhje që ne t'i angazhojmë forcat në një fushatë brenda partisë pas fitimit të zgjedhjeve kur duhet të merreshim me hemoragjinë e vendit. Modeli është ky. Njerëzit na votuan që të qeverisim dhe ne nuk mund t'i thoshim prisni se ne kemi ca zgjedhje të tjera brenda partisë. Cameron u zgjodh kryeministër e nuk di të ketë bërë dhe nuk ka për të bërë zgjedhje për kryetar partie. Ashtu si Tony Bler u zgjodh 3 herë kryeministër dhe nuk bëri asnjëherë zgjedhje.
 
E shikoni si rival brenda PS?
Jo
 
Përse nuk përjashtohet Blushi nga PS?
 Dihet qartë se kur nuk mund të jesh më pjesë e projektit të saj politik.
 
E ka kaluar vijën e kuqe ?
Nuk më rezulton.


Ne mbledhje bëjmë vazhdimisht, çdo të martë që nga fillimi i vitit takohemi. Në këtë proces një pjesë të kohës ia kushtoj edhe gjithë këtij operacioni të riorganizimit të partisë, ne thjeshtë ndryshojmë rezidencën ku bëjmë mbledhjen, por jo ritmin, mënyrën sesi funksionojmë.

A jeni i kënaqur me Ministrat?
Unë s’jam i kënaqur asnjëherë nga vetja, jo më nga të tjerët. Kërkoj cdo ditë më shumë dhe asnjëherë nuk mjaftohem me atë që bëj.

Po ecën në rrugën e duhur koalicioni?
Nëse më pyesni a ecim në rrugën e duhur, them Po, nuk kemi surpriza. Unë mund të them vetëm çfarë do bëj nesër, deri në zgjedhjet e ardhshme është më pak se gjysma e mandatit kështu që s’mund të përgjigjem çfarë do ndodhi në zgjedhjet e ardhshme. Secili ka detyrat e afatet e vendosura sipas afatit, nëse dikush lodhet, do e ulim në stolin e rezervave.
Bilancin e bëjmë në mënyrë periodike. Mbi bazën e monitorimit kemi një njësi të posaçme të monitorimit të programit.

Kishit dyshimet për arbitrazhin?
S’patëm dyshim që do humbnim arbitrazhin CEZ qeveri. Me siguri kryetari i Kuvendit ka burimet e veta dhe me siguri ka arsyet e tij për të pasur atë konkluzion. Unë them se qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe mbetet i qartë që përtej mjegullave dhe hedhjes së baltës që në Shqipëri krijohen apo zmadhohen qëllimisht nga faktorë e aktorë të ndryshëm ka gjithmonë një mundësi që është Drejtësia. Për sa kohë gjithçka mbetet një spekulim dhe për sa kohë lideri i PD-së shfaqet si avokat i LSI-së apo Ministrit të Drejtësisë  unë them se njerëzit e dinë që ka një s’konto të madhe që duhet t’iu bëhen këtyre që quhen “mega skandal”.

Është aluduar se kjo ka qenë një investim, goditje poshtë brezit që i keni bërë Metës?
Si mund të mos aludojë, unë dyshoj se ata që bëjnë këto aludime janë autorët e këtyre bombave sepse më shkon mendja të akuzoj njeri pa prova e fakte e nëse në mënyrë logjike mund të dal në konkluzion, por ai s’mund të jetë akuzë e proces politik ndaj dikujt. Aty ku janë aluduesit, aty janë ushqyesit e këtyre historive.

Partia Demokratike thotë se ka informacione?
Informacionet në Shqipëri i ka kushdo, shumë vjeçare. Ju them këtë, që nuk kam nevojë të bëhem hetues, unë i besoj filozofisë dhe disa parimeve. Kanti thoshte një fjalë “Nëse dikush të akuzon për diçka që nuk e ke bërë është në gjendje ta bëjë vetë atë për të cilën të akuzon”. “Nëse dikush të akuzon se po grabit e çuditesh, mos u çudit se kush të akuzon ka grabitur ose është gati të grabisë. Gjërat janë të thjeshta për tu perceptuar, por duhen prova. Unë skam asnjë detyrë e aftësi që të jem hetues apo prokuror ose gjykatës.
 
Unë me bashkëkryetarin e koalicionit diskutojmë për gjithçka e hapur, por parimi im i vjetër, është që asnjëherë bisedat e kësaj natyre me partnerë, miq etj nuk i bëj ushqim për konsum televiziv, por ne bisedojmë shumë hapur e transparenca në komunikim është guri i themelit të këtij koalicioni.

Situata që u krijua a menduat se e vuri në rrezik koalicionin?
Koalicioni nuk ka qenë, nuk është e s’do jetë në rrezik për asnjë nga arsyet që diskutojmë. Kam arsye të forta për ta thënë dhe jam i keqardhur sesa shumë përpjekje bëhen dhe arrijnë ta çudisin opinionin. Koalicioni nuk është në rrezik. Do ishte nëse do dështonte me reformat, kjo do ishte arsye për tu ndarë, të jeni të sigurtë se unë do e kërkoja divorcin. Këtë koalicion do e rrezikonte dështimi i reformave ose krijimi i pengesave të brendshme kundër reformave. Këto s’kanë ndodhur e nuk ndodhin.

Ka gjasa të ndodhin? Si psh reforma në drejtësi?
Mendoj se duhet të bëjmë këto janë diferenca metodë, por jo divergjenca në përmbajtje. Diferenca metodë ne kemi me LSI nga A deri në L, por në përmbajtje s’kemi divergjenca. Nga ana tjetër Meta është kryetar Kuvendi dhe ka detyrë që edhe nëse s’ia thotë goja, të kërkojë konsensus që i bashkon palët për këtë Reformë, unë skam këtë detyrë, por jam i motivuar që të jap kontribut për konsensus pa cënuar përmbajtje. Nëse përmbajtja cënohet, skam arsye.

Nëse Meta e LSI s’bien dakort?
S’kemi divergjenca në përmbajtje. Kemi qenë në një mendje për të ndërtuar një komision të posaçëm parlamentar, të krijojmë një grup ekspertësh më të mirë, më BE, SHBA, Këshillin e Evropës, ekspertë të pavarur. Ne kemi thënë se këta janë njerëzit që kemi besuar të na japin një produkt.
Ne si PS kemi qëndruar stoik këtij principi. LSI ka shtruar disa shqetësime e sugjerime, s’ka problem, siç bëri dhe PD. Do presim raportin përfundimtarë të Venecias dhe do shohim sesa konvergojmë e divergojmë. Nëse konvergojmë në thelb, divergjencat kapërcehen, nëse divergojnë në thelb s’ka reformë pa cënuar përmbajtjen.

Cilët janë rrugët?
Rrugët e Zotit janë të shumta. Referendumi është rrugë e popullit, është instrument i shkëlqyer që do e votoja symbyllur në rast se palët do jenë dakord nëse kemi divergjencë, që s’mund ta lexojmë njësoj. Unë mendoj se reforma s’do vonohet, por kush e vonon atë afron ballafaqimin me një dramë politike për veten dhe partinë e tij. Unë këtu shoh vetëm një palë që është e pa interesuar për reformën në drejtësi.

A provokon zgjedhje të parakohshme nëse ka në më pas?
Me të gjitha gjasat ju i konsideroni projeksionet e laboratorit të analizave të shtypit, por konkluzionet e laboratorit dalin të manipuluara.  Mendoj që z. Berisha nuk duhet marrë seriozisht, ai ca thotë sot se bën nesër, e nesër thotë se do bëjë atë që tha pardje. PD do bëjë zgjedhje që do përcaktojë shumë për të ardhmen e saj politike. Uroj që zgjedhja të mos jetë në dëm të reformës, ndonëse s’kam merak që ajo të shkojë keq e më keq.

Po deklarimet e z. Basha?
Unë mendoj se Basha nuk hyn tek vendimmarrësit, por administratorët.

Si e shikoni LSI-në?
LSI-në e shikoj si një nga partnerët strategjik të koalicionit. Nëse do ishte pengesë ky koalicion s’do ishte sot.

Meta ka thënë se ju ka thënë se nëqoftëse kërkoni të bëni koalicion me Bashën, për të gjetur konsensus për reformën, unë jap dorën dhe kaloj në opozitë???
Unë nuk komentoj bisedat që janë biseda jo publike. Por në këtë prononcim që ai ka bërë unë do shikoja si avantazh vetëm një gjë që është mundësi për të parë përtej njeriut racional ka një njeri emocional që ka momentet e tij normale.

Mendoni se Meta e ka kaluar emocionin?
Ti abuzon me mikpritjen time, pasi s’jemi në një seancë spiritizmi për marrëdhëniet ndër personale.

Interes publik ka nëse do merreni vesh me LSI?
Unë merrem vesh sa kohë që LSI ose PS nuk pengojnë reformat. Sa kohë janë të interesuara të gjitha të tjerat janë detaje. Kjo është qeveri që nuk ka ardhur për të bërë këtë reformë, por për të reformuar Shqipërinë. Kemi marrë përsipër të reformojmë pensionet, reformën territoriale administrative, reformën në energji, reformën në arsim, reformën në shëndetësi, reforma në polici. Ne po bëjmë shtet.

Pika më e debatuar është byroja e hetimit?
Nuk është kështu, Byroja e hetimit është njëra anë e shumë anatemuar deri para pak kohe, reforma në drejtësi është gjë krejt tjetër, s’ka asnjë pikë të debatueshme, por proces normal të draftit përfundimtar, të një programi që e kishim që në opozitë dhe duam ta zbatojmë. Opozita nuk është burim i besueshëm i asnjë të vërtete, PD është makineri baltje e shpifje, pa vizion, program e skuadër, s’ka lider. Është parti si ndërmarrje që merren në administrim kur pronari vdes ose ikën pa kthim. Nëse me merrni PD si pikë referimi, i thotë vetë i dëgjon vetë e mbaron aty historia. PD është në pikën më të ulët të saj, më keq se koha e piramidave, pasi atëherë kishte koherencë në marrëzi, ndërsa tani është marrëzi pa koherencë.

Kusht i pa negociueshëm 3/5?
S’ka, kjo është shpikje e PD, s’kam folur e s’flas për teknikalitete, është projekti i një grupi ekspertësh shqiptar e ndërkombëtar i mbështetur nga PS pa rezerva. Në raportin e Venecias s’ka asnjë adresim i ndonjë 2/3. Vetë anëtarët e komisionit janë habitur ku doli 2/3.

Ju e shihni si të pa negociueshëm?
Ne do presim raportin, ky nuk është thelbi, thelbi është gjëja tjetër, nëse thelbi nuk preket, teknikalitetet zgjidhen. Thelbi është se reforma në drejtësi prezumon përmbysjen e sistemit të drejtësisë, shtresës së kalbur të burimeve njerëzore dhe nxjerrjen në pah të burimeve që janë në sistem e paguhen nga taksat e popullit për të qenë gjykatës a prokuror.
Kjo kastë duhet të vihet në shpatulla për muri. Asnjëherë s’pranojmë mekanizma që e bllokojnë zbatimin e reformës, por nëse këto mekanizma nuk vihen si kusht, ku është problemi.

Reforma elektorale, ku jeni deri tani?
Do ishte diskutim që vlen në kushte të tjera, sot kemi një partneritet që edhe primin e ka brenda, s’jemi në kushte kur kemi mungesë stabiliteti politik, situate kritike që pengojnë reformat, nuk ka arsye për një opsion të tillë.
Lidhur me listat, Meta ka thënë se është për të hapura jo të mbyllura. Ju jeni i gatshëm të zbatoni një gjë të tillë?
Nuk flas asnjëherë pa dëgjuar ekspertët, këto janë çështje teknike, jo politike. Ekspertët nuk më përcaktojnë, por japin shembuj konkret e eksperienca. LSI ishte gabim se ne zgjodhëm të promovojmë një opsion duke konsideruar interesin e përbashkët të LSI, ajo mori rrugë tjetër por faktet treguan se ky është një sistem që nuk e cënon LSI-në si sistem.
Kemi marrë shumë ekspertizë, shumë shembuj, krahasim, përputhje sistemesh derisa gjetëm një zgjidhje që i jep Shqipërisë mundësinë e një stabiliteti politik.

Jeni për ndryshime, si do i bëni?
Ndryshimet do bëhen me LSI-në pasi jemi së bashku dhe vendimet i marrim së bashku, ndonëse kemi diferenca.

Ku ka diferenca?
Kemi metoda të ndryshme, pasi jemi dy parti të ndryshme.

Emri i Presidentit?
Kanë filluar të flasin, unë s’jam protagonist i politikës, jam shumë poshtë për tu marrë me gjëra kaq të rëndësishme të zgjedhjes se presidentit.

Emri i z. Meta do e votonit?
Ne jemi në koalicion dhe si koalicion do bëjmë diskutimet e do marrim vendimet tona të përbashkëta.

 
Redaksia Online
(Gre.M/U.S/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois