Kryeministri tha se mungesa e një opozitë me vizion dhe program e bën edhe më të vështirë qeverisjen.
"Për fat të keq jemi në një situatë të përgjithshme politike që nuk është e lehtë sepse nuk kemi opozitë, kemi një kundërshtarë që është thjesht dhe vetëm qeveria e vjetër e cila vazhdon të mendojë se në 2013-ën ka ndodhur një padrejtësi dhe vazhdon të flasë sikur në 2013-ën kjo padrejtësi solli një përmbysje absolutisht të pafavorshme për vendin tonë dhe ata ndjenë të detyruar të vazhdojnë t'i tregojnë popullit të njëjtat broçkulla dhe mundohen ta bindin se ishin më mirë kur ishin më keq. Mungesa e një opozite sfiduese me vizion, me program, e bën më të vështirë qeverisjen. Ndërsa prania e përditshme e një qeverie të vjetër në jetën dhe debatin publik të vendit me kaq shumë baltë dhe kaq shumë shpifje natyrisht që e bën shumë më të vështirë për njerëzit që ta ndjekin politikën me kënaqësi dhe dëshirë. Por ka edhe një arsye më shumë që sot makineria e baltës është vënë në një lëvizje intensive dhe që çdo ide, çdo vendim, nismë, çdo punë e qeverisë sonë goditet dhe kriminalizohet si pjesë e një procesi të inkriminuar korrupsioni dhe kusarie, dhe kjo arsye është sepse ne po bëjmë reforma që kudo krijojnë rezistencë, pakënaqësi dhe kundërshtarë, prekin edhe shumë interesa. Nuk kemi opozitë por kemi përballë një kundërshtar që alternativ të vetme ka baltën në përpjekjen për t'ua neveritur sa më shumë njerëzve politikën dhe për t'ia arritur vetes qëllimin me moton "shpif-shpif se diçka do të mbetet", - tha Rama.
Fjala e Rames në takimin me anëtarësinë në Pogradec
Në këtë konktekst, kreu i qeverisë dha edhe arsyen përse ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri është më i sulmuari nga opozita. Sipas tij, demokratëve i janë prekur interesat pasi nën drejtimin e ministrit u luftuan plantacionet e kanabist në fshatin e Lazaratit, të cilat sipas Ramës - ishin "një bankë e parave të zeza" që qarkullonin si pasojë e lidhjes së pushtetit të djathtë me krimin.
"Ministri i Punëve të Brendshme është drejtues kurajoz në një betejë ku preken interesa, dhe interesat e prekura reagojnë. U përmend Lazarati, goditja e Lazaratit nuk është thjesht ajo që duket. Vënia e flakës mbi plantacionet e drogës dhe një luftë me një grup kriminal personash ordinerë. Kjo është vetëm ajo që duket, por në fakt goditja e Lazaratit është shembja e një banke të parasë së zezë që duke u shembur nuk prodhon më para jo thjesht për ata kriminelët ordinerë që sot janë pas hekurave por për të tjerë që për vite të tëra e shfrytëzuan Lazaratin si një bankë parash të zeza dhe për vite të tëra triumfuan mbi shtetit jo se shteti nuk kishte fuqi por se këto interesa që lidhnin krimin me politikën kishin garantuar që Lazarati të lulëzonte në sytë e të gjithëve dhe të ishte një territor i paprekshëm. Ata që kanë humbur ndjenjë një dhimbje të madhe për atë humbje, që reflektohet në luftën që i bëhet ministrit të Brendshëm", u shpreh Rama.