Rama: Të ndërtojmë Universitetin e sigurisë sipas standardeve më të larta

Në përditësim/Tiranë, 23 Korrik/ATSH/.- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se "duhet të ndërtojmë Universitetin e sigurisë, shkollën e lartë të Policisë së Shtetit me të gjitha standardet bazuar në eksperiencën më të mirë shqiptare dhe bazuar në standardet më të larta të vendeve fqinje e partnere" .
Gjatë analizës së 300 ditëve të punës së Ministrisë së Brendshme, kryeministri Rama e konsideroi të domosdoshëm faktin që "ne t'i japim fund një periudhe paqartësie lidhur me edukimin e kuadrove të policise, të cilët nuk mund të edukohen me sistemin hibrid që ka qenë në fuqi deri sot".
"Ne duhet t'i japim vetes mundësinë që të përgatisim gjeneratën tjetër përmes një edukimi te plotë policor. Nuk është kjo një çështje kursesh as tre mujore as 6 mujore, ne nuk duam të bëjmë policinë e plepave, gjykatën e plepave e kemi, nga plepat e para dy dekadave ja ku u katandisëm sot nën plepa dhe presim në hije të plepave drejtesione , çfarë drejtësie mund presim ne nga gjykata e plepave dhe çfarë sigurie do presim ne nesër nga një polici plepash", nënvizoi Rama.
Raportimi publik i 300 ditëve të qeverisjes, vijoi Rama, nuk është një paradë suksesesh, as një analizë e rëndomtë, por është një parqitje përpara publikut e punës dhe e sfidave me të cilat qeveria është përballur ashtu sikundër një marrje përsipër e përgjegjësisë për t'u përballur me sfidat që vazhdojnë.
"Përpara ca ditësh pata kënaqësinë të jem në godinën e Akademisë së Policisë ku u gjeta përballë 500 djem e vajzash të përzgjedhur nga një aplikim masiv si asnjëherë më parë i afro 10 mije të rinjve për t'u bërë pjesë e gjeneratës së re të Policisë së Shtetit. 500 djem e vajza të ndarë në mënyrë të barabartë 50 % me 50 % me një përpjekje që është vetëm në fillimin e saj për të kapërcyer një hendek të madh që lidhet me faktin rënqethës se kemi policinë me moshën më të madhe në Europë dhe rajon dhe nga ana tjetër më faktin ende më rrënqethës se kemi policinë me nivelin arsimor më të ulët në Europë dhe në rajon", u shpreh kryeministri Rama. vijon/a.g/

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia monitorojnë situatën në Varage të Zubin Potokut, pas shpërthimit në kanalin e ujit Ibër-Lepenci