Shefi i qeverisë tha se po hapet një faqe e re për adiministratën, ku në themel janë vendosur konkurenca dhe merita. Sipas Ramës ligji i ri për administratën publike është një sfidë, e ndërsa sipas tij ka një potencial transformues.
“Është inkurajuese që në këtë proces shumë të vështirë, i cili është i minuar nga një mosbesim, të mund të çelim një faqe të re të panjohur më parë duke vendosur në themel, konkurencën dhe meritën. Është një process që ka një potencial transformues jo vetëm për Adiministratën. Ligji që ka hyrë nq fuqi i bie ndesh traditës, mendësisë dhe zakoneve tona. Është një ligj sipas Bashkimit Evropian, na sfidon të gjithëve, duke na vendosur përballë domethënien e gjithë kësaj historie llafesh për Shqipërinë europiane. Janë jo vetëm të vështira por dhe me shijë të hidhur për tu arritur”, deklaroi Rama.
Rama: Ju nuk jeni këtu falë partisë
Kryeministri tha se këtë proces e kanë paragjykuar shumë njerëz, dhe ata që kanë konkuruar dhe nuk e kanë fituar. Por kryeministri paralajmëroi punonjësit e administratës se ata do të përballen me testim të tjera, pas konkursit për të fituar një vend pune.
“Ka një thënie aristoteli: rrënjet e dijes janë të hidhura, frutet janë të ëmbla. Për të arritur deri tek frytet, procesi është i dhimbëshëm, i hidhur. Ndërsa ju po flisnit, unë po mendoja se çfarë mendojnë 5200 të tjerë që s’kanë fituar. Meqë ne nuk pranojmë dështimin, jemi këtu ku jemi, nuk kemi ditur kurrë të pranojmë dështimin e pastaj të ndërtojmë suskesin. 99% mendojnë se kanë humbur padrejtësisht, dhe mendojnë se jeni këtu falë partisë, falë parave. Edhe ju po të mos kishit fituar do kishit menduar të njëjtën gjë. Është e domosdoshme të ecim në kokëfortësi në këtë rrugë që kemi nisur”, deklaroi kryeministri Rama.
Rama: Ligji i ri jo një jorgan për të mbuluar paaftësinë
Shefi i qeverisë theksoi se testimet brenda administratës do të shërbejnë si instrument për të mos lejuar që struktura e re ligjore për nëpunësit e shtetit, të mos kthehet në një jorgan për të mbuluar paaftësinë. Kryeministri garantoi se qeveria po bën të gjitha përpjekjet për të investuar më tepër në drejtim të trajnimit të vazhdueshëm të punonjësve të administratës.
“Unë jam i bindur që secili nga ju, duke qenë se është sot i ulur në një karrige që e ka fituar me emrit, do të jetë shumë më i ndërgjegjshëm për të mbrojtur qytetarët që meritojnë të marrin atë që u takon. Ky është një proces që vazhdon, nuk mbaron këtu. Problemi më i madh që kemi ne me këtë strukturë të re ligjore është që ligji të garantojë konkurrencë, përzgjedhje sipas meritës, por të mos kthehet në një jorgan nën të cilin ai që hyn në administratë ja fut gjumit se nuk ka zot që e zgjon më nga gjumi. Prandaj ne kemi futur konceptin e testimit brenda administratës. Çdonjeri duhet të provojë në mënyrë sistematike se është personi i duhur për atë vend pune”, tha Rama.
Harito: Procesi ishte totalisht transparent
Ministrja e Inovacionit, Milena Harito theksoi se procesi i përzgjedhjes së punonjësve të rinj të Administratës ishte totalisht transparent, i modernizuar dhe me standarde.
“Ky është një moment realisht historik për Shqipërinë. Kjo është një fytyrë komplet e re për administratën shqiptare për arsye të standardeve të reja që vendosëm për kriteret hyrëse. Momenti shumë i rëndësishëm është që ju pranuat një koncept të ri. Ju hyni në administratë me kritere të përbashkëta për të gjithë. Nuk shkoni në një pozicion të caktuar por pranoni që për të hyrë në administartë duhet një nivel standardi i caktuar. Të gjithë ju i keni plotësuar standardet e kërkuara. Është moment revolucionar me të gjithë ndryshimet e mëdha, kuptohet dalëngadalë, ju e kuptuat të parët sepse ju ia arritët. Ju jeni të kënaqurit sot, por sigurisht ata 5160 të tjerët janë të palumtur dhe e transmetojnë këtë gjë. Ju duhet të jeni dëshmitarët e asaj që ky proces ishte totalisht transparent, i modernizuar dhe totalisht me standarde. Ju presin sfida në institucionet ku do shkoni. Do të vazhdoni gjatë gjithë karrierës që të besoni që e ardhmja detyrismisht ju përket atyre që besojnë të ndërtojnë në mënyrë afatgjatë dhe ata që nuk e kanë këtë besim të përdorin metoda të tjera”, deklaroi Harito.
Ndër të tjera Harito përmendi edhe synimin e qeverisë për testimin e punonjëve që janë aktualisht pjesë e administratës publike: “Me shumë të drejtë ju mund të thoni: Ne hymë me këto kritere po ata që janë aty? Dhe këtu me insistimin dhe mbështetjen shumë të madhe të Kryeministrit po vendosim një standard i cili me thënë të drejtën edhe Bashkimi Evropian pati rezistencat e veta dhe na u desh ne ta bindnim që kemi mundësi ta bëjmë. Ky moment është fakti që adminstrata të testohet për njohuritë e reja gjatë gjithë karrierës.”
Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)