Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike ka reaguar në lidhje me një deklaratë të kryeministrit Rama për pagat e KLP e KLGJ të cilat i caktuan vetë dhe me rritje të konsiderueshme.
Tre ditë më parë në mbledhjen e zgjeruar të grupit të PS, kreu i qeverisë u shpreh se KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi.
Ndërkohë për këtë deklaratë Bardhi thotë se për këtë dështim ka një përgjegjës dhe një arsye të qartë. Sipas tij është ‘vullneti i Edi Ramës për të kontrolluar të gjitha pushtetet, përfshirë edhe pushtetin gjyqësor’
“Edi Rama, për herë të parë, foli për dështimin e Reformës në Drejtësi. Por, si gjithmonë, refuzoi të flasë për përgjegjësinë e këtij dështimi dhe për arsyet që e kanë sjellë atë. Për këtë dështim ka një përgjegjës dhe ka një arsye të qartë: vullneti i Edi Ramës për të kontrolluar të gjitha pushtetet, përfshirë edhe pushtetin gjyqësor.
Është evidente se shqetësimi i qytetarëve nuk është se çfarë mendon Edi Rama për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Shqetësimi real i shqiptarëve është se drejtësia nuk po jepet në kohë. Qytetarët presin me vite për një vendim, për një të drejtë, për një përgjigje”, shprehet Bardhi.
Në fund sipas Bardhit kreu i qeverisë nuk është shqetësuar kurrë për hallet dhe problemet reale të shqiptarëve, pasi e sheh drejtësinë si një instrument pushteti.
“Por Edi Rama refuzon të flasë për këtë, sepse ai nuk është shqetësuar kurrë për hallet dhe problemet reale të shqiptarëve. Për të, drejtësia nuk është një e drejtë e qytetarëve, por një instrument pushteti.
Reforma në Drejtësi nuk mund të quhet sukses kur qytetarët vazhdojnë të presin drejtësi dhe kur pushteti politik kërkon të kontrollojë çdo hallkë të saj. Ky është dështimi për të cilin Edi Rama duhet të japë llogari”, përfundon Bardhi.










Komente
Komento