TIRANË- Kritikat që kryeministri i bëri sot SPAK se kanë nisur hetim ndaj Ardian Dvoranit se kështu donte Ilir Meta, për Presidencën, ky është një presion i hapur që po u bëhet prokurorëve. Sipas tij, është e qartë, se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga PS-ja, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë.
Reagimi vijon, duke thënë se reforma në drejtësi nuk ka funksionuar, pasi në të kundërtën, sot Dvorani do të duhej të ishte i pari përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.
"Të gjithë shqiptarët mezi po presin të dinë çfarë e mban peng "Dvoranin" e Qeverisë tek Dvorani i "Drejtësisë"?
Të gjithë shqiptarët e dinë se:
1. Dvorani pengoi me çdo mjet, qëllimisht dhe për llogari vetëm të Ramës, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, duke falsifikuar, manipuluar e shkelur Kushtetutën dhe ligjet e drejtësisë, vetëm e vetëm për të siguruar pandëshkueshmërinë e Ramës.
2.Dvorani u provua zyrtarisht se fshehu pasurinë.
3. Por Vettingu i partisë në mënyrë skandaloze dhe të paligjshme mbylli sytë për këtë fshehje të pasurisë dhe ky është fakt që nuk mbulohet dot kurrë.
4. Shkeljet e Kushtetutës dhe ligjit për Dvoranin e partisë-shtet i vërtetoi botërisht edhe Komisioni i Venecias.
5. Nëse do të ekzistonte vërtet Reforma në Drejtësi, Dvorani do të duhej të ishte i pari përpara drejtësisë për të marrë dënimin e merituar.Të gjithë shqiptarët duan të dinë çfarë e detyron Ramën, Kampionin e Korrupsionit që e ktheu Shqipërinë një narkoshtet dhe të dytin në botë për korrupsionin, që të kthehet në Avokatin e Dvoranit? Është e qartë, se mbrojtja që i jepet Dvoranit në publik nga partia, është thirrja publike për organet e drejtësisë që të mos shkelin vijën e partisë në zbatimin e drejtësisë me regji, se përndryshe do kenë pasoja. Rama-Dvorani dhe Dvorani-Rama binomi i pandarë i antishtetit, dhunimit të Kushtetutës dhe ligjit, falsifikimit të dokumentave zyrtarë dhe kapjes së shtetit për llogari të partisë. Koha e “opozitarizmit” të tredhur nga korrupsioni qeveritar po skadon me shpejtësi. Çkapja e shtetit nis nga çkapja e opozitarizmit. Asgjë nuk do ta ndalë zbardhjen e skandaleve të narkoqeverisë sado të gulçojë gruaja e Bilalit", shkruan Presidenca.
Gjatë Asamblesë së PS, Rama kritikat ndaj SPAK i përqendroi edhe për Ilir Metën lidhur me hetimin e ish-kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Ardian Dvorani, që sipas Ramës e gjitha kjo është bërë sepse kështu ka dashur presidenti.