Kryeministri Edi Rama, nga Elbasani ku zhvilloi një takim me të rinj të apasionuar pas teknologjisë, ka ‘thumbuar’ kundërshtarin e tij politik, Sali Berishën, i cili në të njëjtën kohë po proteston para Kryeministrisë.

Gjatë fjalës së tij, Rama tha se në Shqipëri burrat janë ‘humbësa të këqinj’, pasi sipas tij, nuk e pranojnë humbjen dhe gabimet e veta, në mënyrë që t’i hapin rrugën një procesi për të ecur përpara.

Sipas kryeministrit, në mendjen e shqiptarëve kur humbin një garë, gjithmonë qëndron ideja se ‘ua kanë punuar’.

“Ndodh shpesh për shkak se përgjithësisht ne dhe sidomos burrat shqiptarë, të jemi humbës shumë të këqij. Humbësi i keq është ai që nuk arrin dot ta pranojë se ka merituar të humbë një ndeshje, një garë, një sfidë dhe insiston në faktin se i thotë imagjinata se i kanë bërë një hile, se dikush tjetër pa meritë i ka marrë atë që u takonte, se këtu nuk u jepet asnjëherë merita atij që i takon, se këtu dikush dha para dhe se dikush tjetër dha fjalën për një krushqi, etj, çka është edhe rruga për të vazhduar të jesh humbës. Ndërkohë që humbësit e mirë janë ata që i kthehen vetes dhe nuk rrinë të gjejnë arsye pas arsyesh duke fantazuar, ose nuk justifikohen me faktin që vërtetë në një rast mund të ketë ndodhur që të kenë humbur padrejtësisht, por motivojnë njëri-tjetrin si skuadër për të bërë gjënë e duhur dhe për të fituar ndeshjen e ardhshme. Kjo botë është e ëndërrimtarëve që guxojnë”, tha mes të tjerash Rama.

Kujtojmë se kryedemokrati Sali Berisha pas humbjeve në seri në zgjedhje, asnjëherë nuk e pranon rezultatin, por justifikohet me pretekstin se votat i janë vjedhur nga partia në pushtet.


Lajmi kryesor:

Berisha në protestë, Rama takim me të rinjtë në Elbasan: Grante deri në 90 mijë € përmes ‘Startup’, burrat shqiptarë s’e pranojnë dot humbjen