Rama: UEFA vendim politik, por
s'ka komplot të Europës ndaj nesh

Rama: UEFA vendim politik, por<br />s'ka komplot të Europës ndaj nesh
TIRANE - Një minus i madh për UEFA-n. Këtë vlerësim i ka dhënë kryeministri Edi Rama qeverisë evropiane të futbollit UEFA, për vendimin penalizues që mori ndaj Shqipërisë duke i dhënë fitoren në tavolinë Serbisë 3-0 për ndeshjen e ndërprerë më 14 Tetor në Beograd.
 
Me të njëjtin zemërim që ka kapluar shqiptarët, kryeministri Edi Rama inkurajoi Federatën Shqiptare të Futbollit të vazhdojë betejën gjyqësore kundër këtij vendimi, duke e parë këtë si të vetmen rrugë të duhur për të marrë drejtësi në shkallët e tjera të gjykimit.   
 
Në një konference të posaçme për shtyp, kryeministri Rama tha se UEFA dha vendim politik, por u kujdes të sqarojë, se nuk ka lidhje me ndikimin nga Bashkimi Europian, por është politikë e brendshme e vetë UEFA-s, që Rama e quajti një shtet më vete. 

“Askush nuk duhet ta marrë vendimin e UEFA-s si një komplot të Europës kundër Shqipërisë; si një shprehje të mungesës së respektit të Europës për Shqipërinë; si një rezultat të faktit që qeveria e Shqipërisë nuk i kërciti dhëmbët UEFA-s e me radhë. UEFA ka dhënë padyshim një vendim politik, por kjo s’ka lidhje me politikën e jashtme të Shqipërisë, as me politikën e jashtme të Bashkimit Europian; është thjesht budallallëk t’i mendosh këto. Kjo ka lidhje me politikën e brendshme të UEFA-s, e cila është një “shtet më vete” siç i thonë fjalës. Dhe për kë di pak jo shumë nga mënyra se si funksionon ky “shtet”, është e qartë se UEFA as që i dëgjon ankimet apo pëlqimet e qeverive”, tha Rama.

Për kryeministrin Rama kurrsesi nuk mund të quhet drejtësi vendosja e shenjës së barazisë ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, pasi dhuna që huliganët serbë ushtruan ndaj lojtarëve tanë në mesin e fushës së blertë si dhe thirrjet raciste në kor nga ana e tyre, u pa nga sytë e gjithë botës. 

edi rama

Rama: UEFA vuri shenjtë të padrejtë barazimi...dhunën dhe racizmin e pa gjithë bota
“Duke thënë Shqipëria e humbet ndeshjen në tavolinë pse nuk u fut në fushë, ndërsa Serbia nuk i merr pikët pse tifozët hynë në fushë, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi mes agresionit racist e dhunës fizike dhe pamundësisë psikologjike e fizike për të vazhduar ndeshjen. Duke dënuar të dy palët me nga 100 mijë euro, UEFA ka vendosur një shenjë të padrejtë barazimi, mes palës pritëse që ka të gjithë përgjegjësinë për organizimin e mbarëvajtjen e ndeshjes dhe palës mike, e cila në këtë rast nuk çoi as tifozë në fushën e huaj. Duke dënuar Serbinë me vetëm dy ndeshje në shtëpi pa tifozë, UEFA nuk e ka prishur shenjën e barazimit në vendimin e saj, po vetëm i ka vendosur vetvetes një minus të madh përballë racizmit dhe dhunës. Që dalin thuajse krejt pa lagur nga ky shi masash, ku UEFA është përpjekur t’i lagë të gjithë njësoj. UEFA ka dashur t’i japë një mesazh të dyja vendeve duke i penalizuar të dyja thuajse njësoj, edhe pse jam i sigurt se pala serbe me siguri do të verë kujën që është viktimë e një padrejtësie të tmerrshme mbi të. Por kjo nuk është drejtësi dhe Shqipëria nuk e meriton të vendoset në anën tjetër të shenjës së barazimit, pas gjithë asaj që ndodhi në sytë e mbarë botës”, tha Rama.
 
Rama-Bashës: Të lëmë  tonet nacionaliste, të mos bëhem qesharak para botës

Kryeministri i është përgjigjur edhe kritikëve, përfshi këtu edhe kreun e opozitës Lulzim Basha, i cili kërkoi nga Rama që të lënë mënjanë llogjet në rrjetet sociale dhe të angazhojë resurset e shtetit për drejtësi dhe mbështetje të kombëtares.

 “Vura re komente të kësaj natyre në rrjetet sociale, të cilat janë për të ardhur keq. Ndërsa disave që hidhen përpjetë duke forcuar tonet nacionaliste dhe duke arritur ta lidhin vendimin e UEFA-s deri me mosanullimin e vizitës sime në Serbi, u shpreh keqardhjen time më të sinqertë për zjarrin që u ka rënë në kokë. E kuptoj mirë zemërimin e tyre, jam po aq i zemëruar sa kushdo prej tyre, por nuk duhet lejuar zemërimi të na djegë qarkun e arsyetimit. Sepse përveçse të padobishëm për veten, bëhemi edhe qesharakë para dynjasë. Politika e brendshme e UEFA-s nuk ridimensionohet me sulme verbale të qeverive dhe vendimet që burojnë nga kjo politikë, nuk ndikohen as ndryshohen duke i hapur luftë politike UEFA-s. Kush i jep këto receta primitivizmi ballkanik përveçse i inatosur, është edhe krejt i paditur”, tha Rama.

Rama: Rruga e vetme, apelimi i vendimit. Provat janë në favorin tonë
Për kreun e qeverisë shqiptare, rruga që duhet të ndjekë kombëtarja pas këtij vendimi është ajo që tashmë ka nisur Federata jonë e Futbollit, apelimin e vendimit! Sipas Ramës, provat janë në favor të Shqipërisë.
 
“Federata Shqiptare e Futbollit bën shumë mirë që do ta ndjekë çështjen deri në fund, duke apeluar vendimin dhe, po të jetë nevoja, duke shkuar edhe në shkallën e tretë të gjykimit. Unë kam besim se çështja mund e do të gjykohet më drejt në shkallët e tjera, dhe dua t’u them të gjithë shqiptarëve të lënduar nga ky vendim se nuk është hera e parë që UEFA merr vendime që apelohen e pastaj edhe revokohen në shkallët më të larta. Ka vetëm një rrugë për Shqipërinë, lidhur vendimin e sotëm: Rruga që po ndjek Federata Shqiptare e Futbollit. Vazhdimi i betejës për të marrë drejtësi në shkallët e tjera të gjykimit. Provat janë kokëfortësisht në favorin e palës sonë. Avokatët e huaj që asistojnë federatën tonë janë ndër më të njohurit dhe respektuarit në planetin e UEFA-s. Eksperienca tregon se gjykatat e UEFA-s nuk janë si gjykatat e Shqipërisë dhe nuk pyesin fare për linjën e brendshme politike që dikton shpeshherë vendimmarrjen e Komisionit të Disiplinës brenda UEFA-s”, tha Rama.

Rama: Kuqezinjtë ikën si futbollistë u kthyen si miëshërim i entuziazmit tonë kombëtar
Kreu i qeverisë tha ajo që futbollistët shqiptarë bënë në stadiumin “Partizani” në Beograd në përballjen ndaj Serbisë, i ktheu ata në mishërim të entuziazmit tonë kombëtar...dhe kjo sipas tij vlen më shumë se 3 pikëshi që mund të merrnim në tavolinë.
 
“Djemtë e jashtëzakonshëm të Kombëtare sonë dhe trajneri ynë i mençur e plot eksperiencë, nuk duhet të ligështohen aspak nga padrejtësia e sotme. Ata nuk duhet ta harrojnë se në Beograd shkuan si futbollistë dhe u kthyen si mishërim i entuziazmit tonë kombëtar; i fuqisë së besimit tonë tek vetvetja; i asaj çfarë mund të bëjmë si komb e si vend nëse vendosim zemrën dhe solidaritetin në themelin e punës sonë. Kjo është fitorja më e madhe e tyre nën fanellën kuqezi dhe misioni i tyre nuk është të fitojnë kampionatin europian të futbollit, të mbeten mishërimi i gjithçkaje ishin në natën magjike të 15 tetorit. Beteja për drejtësinë mbi ndeshjen e Beogradit vazhdon. Misioni i Kombëtares vazhdon. Mbështetja ime dhe e kësaj qeverie për Kombëtaren në veçanti e sportin në përgjithësi, sapo ka filluar. Në rrugën që vazhdon, do të kemi më shumë se një herë arsye për të qenë të gjithë së bashku krenarë për Shqipërinë e për njëri-tjetrin”, tha Rama. 

Rama pyetet nga gazetaret

Përshëndetje zoti Kryeministër. Në vendimin e UEFA-s nuk ka asnjë fjalë, asnjë paragraf ku dënohet racizmi. Në këndvështrimin tuaj, a mendoni se në këtë mënyrë UEFA e ka përligjur atë racizëm që ne e pamë në stadiumin e Beogradit?

Unë besoj se isha i qartë në atë çfarë thashë. Por, nga ana tjetër, edhe një herë dëshiroj t’ju ftoj të gjithë që të mos ngutemi që të nxjerrim konkluzione të papjekura dhe të pamerituara. UEFA nuk mund kurrë të përligjë racizmin. Por, kini parasysh që gjykimi ka disa shkallë dhe ka natyrën e vet teknike kur vjen puna tek Komisioni i Disiplinës së UEFA-s, çka do të thotë që tema e racizmit do të jetë një temë themelore, me të drejtë, në rekursin e Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi në shkallën e pare, praktikisht, janë paraqitur të gjitha provat në raport me objeksionet e bëra nga vëzhguesit, arbitri e kështu me radhë. E nuk dua të hyj në çështje teknike, por mos harrojmë që objeksioni themelor i bërë ndaj skuadrës sonë ka qenë refuzimi për të hyrë në fushë, çka do të argumentohet dhe do të kundërshtohet me ende më shumë forcë në shkallët e tjera, pikërisht sepse në shkallët e tjera, palët do të kenë mundësi të shtrinë shumë më gjerë zinxhirin argumenteve të tyre dhe do të kenë mundësi në rastin tonë të nënvizojë racizmin dhe dhunën si pasojë edhe e racizmit, por edhe e huliganizmit, dy elementet themelore që e bënë të pamundur kthimin e skuadrës sonë në fushë. Thashë këto janë gjëra teknike dhe s’më takon mua të hyj në këto aspekte.


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Më 15 tetor Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, Spiropali: Sukses i merituar drejt anëtarësimit në BE

Më 15 tetor Shqipëria hap negociatat për grup kapitullin e parë, Spiropali: Sukses i merituar drejt anëtarësimit në BE