Rama: Ulja e çmimit të naftës do
vazhdojë,në 8 vite PD e rriti 200%

Rama: Ulja e çmimit të naftës do<br />vazhdojë,në 8 vite PD e rriti 200%
TIRANE - Kanë vazhduar përsëri debatet në distancë mes opozitës dhe qeverisë për çmimin e naftës. Për opozitën qeveria nuk ka bërë sa duhet për ta ulur çmimin e naftës, që sipas tyre vazhdon të jetë më i lartë në rajon. Ndërsa kryeministri Edi Rama e konsideroi gënjeshtër reagimin e PD, duke theksuar se ndryshe nga një vit më parë shqiptarët paguajnë 20% më pak për një litër naftë. Rama premtoi se çmimi do të vazhdojë të ulët.

Deputetja demokrate Voltana Ademi lëshoi një tjetër apel ndaj qytetarëve, që ditën e hënë të fikin 5 minuta makinat në shenjë proteste kundër çmimit të naftës.
 
Rama: Cmimi i naftes do te vazhdoje te ulet, në 8 vite PD e rriti 200%
Çmimi i naftës do të vazhdojë të ulet. Është kjo përgjigja që kryeministri Edi Rama jep përballë akuzave të opozitës se qeveria rriti çmimin e naftës. Kreu i qeverisë thotë se sot shqiptarët e paguajnë naftën 20 % më pak se sa një vit më parë, kur çmimi i naftës ishte 195 lekë për litër. Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se qëllimi kryesor që kanë opozitarët është të gënjejnë qytetarët, pasi kjo sipas tij është e vetmja mënyrë me anë të të cilës ata mund të justifikojnë sot pushtetin e tyre të humbur. Në këtë kontekst kryeministri përmend faktin se në tetë vite qeverisje të djathtët e rritën çmimin e naftës me 200 %, ndërsa vetëm në 16 muaj qeveria e koalicionit PS-LSI e ka ulur çmimin me 20 %.
 
“Në 2013 çmimi i naftës ishte 195 lekë për litër, ndërsa në vitin 2015 është165 lekë për litër dhe ulja do të vazhdojë”, thotë kryeministri Rama.

cmimi i naftes

“Ju thanë që çmimi do rritet si askund në botë. Që veturat, kamionët, anijet, madje edhe furrat e bukës do ndalen. Tani ju thonë pse nuk ulet më shumë se kudo në botë... Sepse kanë vetëm një dëshirë; T'ju mërzisin sa të munden! Vetëm një punë: T'ju gënjejnë sa të munden! Vetëm një qëllim: T'ju përdorin si të munden! Për një arsye të vetme: Pushtetin e tyre të humbur! Ngrenë gishtin dhe akuzojnë përditë për plagët e panumërta që hapen vetë. Për borxhet e mëdha. Për gropën e energjisë. Për kancerin e korrupsionit në arsim e shëndetësi. Madje kanë kurajon të na akuzojnë deri edhe për drogën e për krimin që i mbollën dhe rritën në prehrin e pushtetit të tyre”, shkruan Rama.

Rama: S'mund te krahasohemi me Gjermanine e Angline, ja kemi lene politikes se vjeter
Kryeministri Rama ka zgjedhur t’i japë përgjigje edhe disa komenteve online në rrjetet sociale, ku thotë se krahasimi i Shqipërisë me vende me ekonomi të fortë si Gjermani dhe Anglia nuk është i logjikshëm, në kushtet kur vendi ynë, thotë Rama, “sapo ka nisur të dalë nga gropa e madhe e para një viti dhe nuk mund të rimëkëmbet siç duam, përveçse me kontributin e të gjithëve”

Rama thotë se krahasimin me ekonomitë e fuqishme ja ka lënë qeverisë së shkuar, duke theksuar se  kjo qeveri është zgjedhur për të bërë shtet dhe për të siguruar respektimin e ligjit.

“Të tjerat janë politikë e vjetër ose muhabete që s'na nxjerrin asgjëkundi”, përfudon Rama.
 
 


Bushati: Cmimi i naftes eshte ulur 20 % dhe ky eshte fakt
Gjithashtu për akuzat e PD për çmimin e naftës, ka reaguar edhe deputeti socialist Ervin Bushati, sipas të cilit, qeverisja demokratike ishte shkaktarja për rritjen e çmimin të naftës mbi 2 mijë lekë për litër, ndërsa qeveria socialiste, e ka ulur atë ndjeshëm.

Deklaratë për shtyp e deputetit Ervin Bushati
Për çmimin e naftës mund të flasë kushdo, përveç Partisë Demokratike. Partia Demokratike e gjeti çmimin e naftës 100 lekë për litër dhe pas tetë vjetësh në qeverisje e la çmimin e naftës 195 lekë për litër. Dyfish! Në tetë vjet Partia Demokratike nuk e pyeti njëherë të vetme veten se pse shqiptarët paskan paguar më shumë se të tjerët.

Në më pak se dy vjet, çmimi i naftës nga 195 lekë për litër, është sot 160 lekë për litër.

Është ulur, mesatarisht 20% dhe ky është një fakt.

Po ulet me të njëjtat ritme si kudo, jo për meritë të qeverisë, por sepse po ulet çmimi i naftës në tregjet botërore. Ndaj, teksa çmimi i naftës po ulet e do të vazhdojë të ulet, Partia Demokratike është e fundit që duhet të flasë, pasi në tetë vjet qeverisje, ndryshe nga ne, çmimin e shtrenjtoi, nuk e uli.


Më poshtë deklarata e plotë e deputetes së PD, Voltana Ademi
“Partia Demokratike denoncon taksat e larta e të përsëritura të qeverisë si shkaktaren kryesore të cmimit të lartë të karburantit që po varfëron shqiptarët duke rritur koston e jetesës. Të hënën paradite në orën 11.00, nis aksioni i parë qytetar në shenjë proteste ku për 5 minuta do të fiken makinat. Qytetarët e vendit, janë sot të vendosur për të luftuar kundër tiranisë së çmimit të karburanteve. Nuk mund të pranohet që shqiptarët të jenë delja e zezë e Europës me cmimin më të lartë të naftës dhe benzinës në gjithë rajonin e në gjithë kontinetin, vetëm sepse kështu ka vendosur Edi Rama me taksat e tij. Grafika tregon taksat që merr qeveria në një litër naftë i cili është më i larti sot në Europë, qeveria merr 1008 lekë taksa. Ndaj të hënën që po vjen, në orën 11.00 paradite, nis aksioni i parë popullor për të kundërshtuar këtë kurs të qeverisë që po varfëron cdo ditë qytetarët. Të hënën në orën 11.00, drejtuesit e mjeteve motorrike do të ndalin makinat e tyre për 5 minuta në shenjë proteste.

Fermerët protestojnë për çmimin e lartë dhe i kërkojnë llogari qeverisë se përse ata paguajnë 60% taksa në një litër karburant. Për këtë arsye produktet bujqësore sot janë më shtrenjte e qytetaret po vuajnë pasojat e ketyre cmimeve.

Bizneset, protestojnë sepse pasi qeveria i asfiksoi me lloj-lloj taksash, ka vendosur që t’i marrë dhe frymën e fundit duke e rritur me 240 lekë në dy vjet taksën e qarkullimit.

Qytetarët, dhe çdokush që ka një makinë, apo që po vuan sot koston e shtrenjtuar të jetesës për shkak të çmimit të naftës, proteston sot, pasi qeveria e lidhur me interesat e klientelës së saj të naftës, po refuzon të dëgjojë zërin e tyre.

Shqiptarët do protestojnë të hënën paradite në orën 11.00, sepse paguajnë 10% të portofolit të tyre të përditshëm bruto për karburant, 5% më shumë se sa kroatët, 6% më shumë se sa Hungarezët, 7% më shumë se sa grekët. Ndonëse të ardhurat tona mesatare janë shumë herë më të ulëta se sa e këtyre vendeve, ne jemi kampionë, për sa i përket taksës që paguajmë.

Shqiptarët do të protestojnë të hënën paradite në orën 11.00, sepse paguajnë më shtrenjtë cdo produkt vetëm si pasojë e rritjes se cmimit te karburantit. Dhe qeveria e Edi Ramës merr nga xhepat e qytetarëve cdo vit 56 milionë dollarë taksa vetëm nga nafta.

Ky është vetëm fillimi i një aksion qytetar që duhet të vërë në lëvizje secilin prej nesh.

Partia Demokratike do të jetë në krah të shqiptarëve dhe kauzës së tyre të drejtë, derisa qeveria të marrë masa për uljen e taksave dhe uljen e cmimit të karburanteve.

Pra aksioni nis të hënën, në orën 11.00 paradite duke ndalur secili makinat për 5 minuta.”

Redaksia Online
(F.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë