Fjalën e tij në përfundim të eventit për infrastrukturën urbane, kryeministri Rama e mbylli me një vërejtje për kryetarët e bashkive. Duke shmangur përmendjen e emrave për këtë herë, tha se duhet të marrë fund sa më parë lënia e detyrave në komunitetin ku shërbejnë për të ardhur në Tiranë. Për të ngushtuar pak rrezen, tha se shqetësimet i kanë ardhur kryesisht nga bashkitë në aksin Tiranë-Korçë.
“Ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive, nuk dua t’i përmend këtu me emra që janë bërë pak problem, po e them në mënyrë kështu të butë, për komunitetin pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund, nuk janë të gjithë por janë disa, ndërkohë që shembulli i ministrit aktual të Pushtetit Vendor i cili vjen nga një eksperiencë shërbimi jashtë Tiranës edhe pse shtëpinë e kishte dhe e ka në Tiranë është një shembull që duhet ta kenë parasysh disa kryetarë që sot nuk dua t’i përmend me emër, por herën tjetër do duhet t’i përmend me emër dhe publikisht, që lënë komunitetin dhe lënë detyrën përpara se sa në fakt të vijë ai që është momenti zyrtar i pushimit që edhe aty ha diskutim kjo punë dhe vijnë në Tiranë. Kjo gjë nuk është e justifikueshme dhe nuk është e pranueshme. Besoj që kam gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë e më parë këtë shqetësim i cili është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur për hir të vërtetës nga disa prej komuniteteve tuaja”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Infrastruktura, Rama: Do të pastrojmë ‘fijet e merimangave’! Rilindja Urbane 2.0, ndërhyrje gjithëpërfshirëse në transport e ujësjellës








