Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ndryshime të thella në transportin publik, ujësjellës dhe hapësirat urbane. Një nga detyrat kryesore do të jetë sistemimi i kabllove ajrore dhe kalimi gradual drejt infrastrukturës nëntokësore dhe roli i bashkive në këtë proces.
“Është tanimë plotësisht e mundur që të pastrojmë qytetet tona nga fijet plastike të merimangave dhe siç e tregon inventari, pjesa dërrmuese e këtyre kabllove janë pa funksion, por qëndrojnë aty tërësisht si shenjë e harresës dhe mungesës së vëmendjes”, tha kryeministri.
Në 10 ditët e para të korrikut do të prezantohet edhe programi Rilindja Urbane 2.0 që adreson një sërë problematikash duke ndërhyrë në të gjitha pikat që kanë mbetur më pak të investuara, tha Rama.
“Ka ardhur koha të marrë një drejtim shterrues, të adresojë të gjitha pjesët e mbetura të painvestuara, janë në fakt shumë më pak se sa pjesë të investuara të sistemit të ujësjellës-kanalizimeve. Do duhet një ndërhyrje gjithëpërfshirëse dhe për t’i dhënë përgjigje edhe atyre nevojave të mbetura të paadresuara të segmentit akoma të munguar të rrjetit të përgjithshëm. Së dyti, do të adresojmë nevojën për të çuar në një nivel tjetër transportin urban dhe interurban. Pika më e dobët është transporti i sezonit të pikut kur bëhet shumë e vështirë për turistët dhe vizitorët të lëvizin me mjete të transportit publik. Është e rëndësishme të hyjmë në një fazë kur transporti të jetë plotësisht i gjelbër, me autobusë elektrikë dhe së dyti, për të ndërtuar një sistem përdorimi dhe administrimi të këtyre mjeteve nga bashkitë. Do ta shtrijmë tanimë në të gjithë territorin, do të kemi një park logjistik që do u shërbejë bashkive për të gjitha punimet e pastrimeve, mirëmbajtjes etj që lidhen me situata post-emergjencë. Do të mbështesim një program për të krijuar kapacitete më domethënëse për parkimet”, tha kryeministri.
Rama shtoi se do të ketë financim për start up-et për shkak të kërkesave të larta.
“Kemi edhe programin për shtrirjen e start up-eve edhe në territore të tjera, kemi rritje të ndjeshme të kërkesave në programin Start Up Albania, për të cilin do të nxjerrim edhe financim të ri, spese kërkesat cilësore kanë qenë më shumë. Kompanitë e përbashkëta për të cilat ka nisur një proces, kemi një sërë bërthamash tani më të krijuara. Kompani të përbashkëta mes njësive të pushtetit vendor dhe fermerëve apo sipërmarrësve në fshat. Dhe kjo patjetër edhe me programin tjetër që do të fillojë të jetë i hapur për shprehje të interesit, që është programi dyfisho sipërmarrjen tënde. Këto pika i sjell këtu për shkak se është e rëndësishme që ju të angazhoheni së bashku me ministrin për të bërë të mundur që manifesti i Rilindjes 2.0 që do të publikohet në konferencën kombëtare që do të bëjmë mes qeverisë dhe pushtetit vendor, të jetë sa më i plotë dhe të të gjithë ta gjejnë veten me prioritete apo objektivat e tyre”, tha Rama.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi tha se synohet që zonat e populluara të mbulohen nga rrjeti 5G.
“Të gjitha zonat e populluara të jenë të mbuluara nga rrjete me shpejtësi të lartë, performancë 5G. Objektivi është ndërtimi i një shoqërie gigabit ku qytetarët dhe bizneset të kenë akses në shpejtësi të lartë”, tha Karakaçi.
Lajm në përditësim...
Fjalën e tij në përfundim të eventit për infrastrukturën urbane, kryeministri Rama e mbylli me një vërejtje për kryetarët e bashkive. Duke shmangur përmendjen e emrave për këtë herë, tha se duhet të marrë fund sa më parë lënia e detyrave në komunitetin ku shërbejnë për të ardhur në Tiranë. Për të ngushtuar pak rrezen, tha se shqetësimet i kanë ardhur kryesisht nga bashkitë në aksin Tiranë-Korçë.
“Ju falënderoj shumë për vëmendjen dhe me një vërejtje për disa nga kryetarët e bashkive, nuk dua t’i përmend këtu me emra që janë bërë pak problem, po e them në mënyrë kështu të butë, për komunitetin pasi nuk qëndrojnë në komunitet gjatë gjithë javës, por vijnë në Tiranë edhe në ditët kur duhet të jenë në krye të detyrës atje. Është shumë e rëndësishme që kjo praktikë të marrë fund, nuk janë të gjithë por janë disa, ndërkohë që shembulli i ministrit aktual të Pushtetit Vendor i cili vjen nga një eksperiencë shërbimi jashtë Tiranës edhe pse shtëpinë e kishte dhe e ka në Tiranë është një shembull që duhet ta kenë parasysh disa kryetarë që sot nuk dua t’i përmend me emër, por herën tjetër do duhet t’i përmend me emër dhe publikisht, që lënë komunitetin dhe lënë detyrën përpara se sa në fakt të vijë ai që është momenti zyrtar i pushimit që edhe aty ha diskutim kjo punë dhe vijnë në Tiranë. Kjo gjë nuk është e justifikueshme dhe nuk është e pranueshme. Besoj që kam gjithë mirëkuptimin tuaj për të adresuar një orë e më parë këtë shqetësim i cili është një shqetësim që më ka ardhur në mënyrë të përsëritur për hir të vërtetës nga disa prej komuniteteve tuaja”, tha Rama.
Komente









Po sa rreeeeen mor burre i padinjitetshem i korruptum deri ne palce njeri mashtrues ordinier
Përgjigju