Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj zhvilluan një video-konferencë online me donatorët e huaj mbi ecurinë e procesit të rindërtimit. Ministri Ahmetaj ka njoftuar se brenda kësaj jave do të miratohet në qeveri marrëveshja me qeverinë turke për ndërtimin e 500 banesave në Laç. Sipas tij pas hapjes së kufijve ekspertët turq mund të vijnë për të nisur punimet.

“Këtë javë do të kemi miratim të marrëveshjes me qeverinë turke,  me fund e morëm të premten vendimin e miratuar nga qeveria turke. Tani do ta miratojmë edhe ne dhe nesër Enti Kombëtarë i Strehimit do të përgatit zonën e ndërtimi ndërsa vendimi për shpronësim është miratuar, pra zona e ndërtimit është e gatshme gjatë kësaj jave”,shprehet ministri i Rindërtimit.

Pa dhënë shumë detaje Ahmetaj tha se procesi i tenderimit për ndërtimin e Thumanës do të mbyllet të premten, dhe se ka pësuar një shtyrje 5 ditore nga afati i përcaktuar për tju dhënë kohë kompanive për të marrë pjesë në garë.

“Procesi i tenderimit për Thumanën i cili pritet të përmbyllet këtë të premte për njësitë individuale dhe më pas do të jetë  zona e parë për të filluar me plan të detajuar. Kemi një procedurë të ndërmarrë nga FSHZH, ndërkohë kemi datën përfundimtare, që ishte përcaktuar për të premten por që është shtyrë 5 ditë për t’ju dhënë kohë ofertuesve për të marrë pjesë”, tha Ahmetaj.

Ndërkohë ministri i Rindërtimit bëri të ditur se në total deri më tani janë dhënë 2043 leje për ndërtim, ndërsa janë miratuar 26 zona te reja zhvillimi.

“Deri më tani kemi 2043 leje për ndërtim dhe janë dhënë me procedurë të përshpejtuar. Kemi 26 zona të reja  zhvillimi dhe 14 plane vendore të miratuara dhe 12 të tjera janë në proces miratimi”, tha Ahmetaj.

Po ashtu Ahmetaj ka thënë se të gjitha detajet dhe dokumentet e vlerësimit deri më tani do ju dorëzohen edhe donatorëve. Ndërkohë deri më tani janë gjithsej 2708 familje që janë në çadra kryesisht në Tiranë Durrës, Krujë dhe Shijak.

Ndërsa janë rreth 357 apartamente kolektive, kemi 3529 banesa individuale, 99 institucione publike, 108 objekte arsimore dhe 15 objekte të shëndetit, që pritet të ndërtohen.\