TIRANE-Vitin tjetër do të nisë ndërtimi i HEC-it të Skavicës. HEC-in nuk do të ndërtojë privati, por 100% shteti. Kryeministri Edi Rama u shpreh në prezantimin e projektit se kjo është një ëndërr e mbetur në sirtar që prej viteve '60. Investimi pritet që të kapë shumën e 500 mln eurove, teksa 350 mln llogariten për ndërtimin dhe 150 mln të tjera për shpronësimet dhe infrastrukturën.

"Pas më shumë se gjysmë shekulli si ëndërr në sirtarin e qeverive shqiptare, projekti i Hidrocentralit të Skavicës, hyn në rrugën e realizimit. Qeveria jonë do ta ndërtojë me financim 100% shtetëror këtë vepër strategjike për pavarësinë energjetike dhe kthimin e Shqipërisë në një faktor kyç të sektorit energjetik të rajonit. Hidrocentrali i Skavicës kompleton Kaskadën e Lumit Drin, krijon mundësinë e ruajtjes së rezervës ujore, duke u dhënë përfundimisht fund humbjeve kolosale të energjisë, me pasojë përmbytjet kronike (kur pikërisht nga mungesa e Skavicës kryhen shkarkimet e detyruara prej mbingarkesës ujore) dhe duke e kthyer eksportin apo importin e energjisë, nga një aktivitet me detyrim përcaktim ku shitblerjen e energjisë e përcakton moti, në një aktivitet ku shitblerja diktohet vetëm nga interesi i shtetit. Me nisjen sot zyrtarisht të procedurave, Kantieri i Madh i Skavicës hapet vitin e ardhshëm.

HEC-i i Skaviës në Samitin e Triestes u miratua në 2017. Projekti u pranua dhe sot kemi një pamje të detajuar nga një kompani me një biografi të njohur botërisht, kompania franceze. Duke parë qartësisht rëndësinë dhe historinë e dështimeve të mëparshme të të gjitha qeverive të mëparshme dhe duke vlerësuar domosdoshmërinë në kushtet aktuale në kuadrin e planit të përgjithshëm kombëtar. Vendosëm që këtë vepër ta financojmë 100% vetë. Do të parandalohen përmbytjet kur ndodhin shkarkimet masive" tha Rama. "HEC-et vogla kanë funksionuar si shushunja duke lënë toka të tëra pa burimin ujor, komunitetin pa punuar tokën, duke bërë dëme të mëdha edhe nga pikëpamja e ekosistemit".

Rruga e Arbrit dhe HEC-i do të ndikojnë edhe te turizmi, tha Edi Rama. "Sot kemi tragetet në Koman, barraka lëvizëse, që me ndihmën e të madhit Zot vijojnë punën pa sjellë lajmin e zi të një kobësie. Do të bëjmë një ndërhyrje, do të kemi një pikë turistike të mirëfilltë, muze të krijimit dhe zhvillimit të sistemit elektro-energjetik shqiptar. Një rrugë panoramike". Por cili është projekti i radhës? Kryeministri theksoi se shumë shpejt pritet që të fillojë ndërtimi i rrugës -Milot-Thumanë-Rrogozhinë-Fier.

"Është e dhimbshme, nëse reforma në drejtësi do të kishte nisur 25 vite më parë do të ishim në një Shqipëri tjetër. Ne nuk mundet të kthejmë kohën, por të fitojmë sa më shumë nga koha e humbur. Në fakt Zoti e ka bekuar këtë vend për ta pasur vendin ku populli i tij jeton në normalitet, arsyeja pse jemi ende në kërkim dhe përpjekje të normalitetit ekonomik dhe social është që Drini majtë ka prurë, por të pazotët nuk e kanë lënë këtë popull të lyer as gishtin. Duke uruar që edhe Skavica të jetë kantier vitin e ardhshëm sikur e kemi planifikuar, mos e thëntë Zoti të dalë ndonjë goditje e tretë" tha ai.