TIRANË, 9 Tetor/ATSH-Z.Tosku/- Kryeministri Edi Rama e konsideroi sot vizitën e Papës në Shqipëri, një sukses të madh ku bota na pa ndryshe.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi pasditen e sotme një ceremoni mirënjohje me klerikët për mbarëvajtjen e vizitës së Papa Françeskut në vendin tonë. Ndërsa shprehu falënderime për institucionet që u kujdesën për vizitën e Papa Françeskut, kreu i qeverisë tha se kjo ditë e përcolli ndryshe Shqipërinë në sytë e botës.
Duke u ndalur tek harmonia fetare në vendin tonë, Rama tha se në ditën e vizitës së Atit të Shenjtë në Shqipëri, vendi ynë u pa i zhveshur nga paragjykimet apo nga mënyra si vendet e huaja e shihnin më parë.
Në një ceremoni me praninë e të gjithë komuniteteve fetare dhe në praninë e personazheve politike, theksi u vu tek roli dhe imazhi që Shqipëria transmetoi  në 21 shtator.
Imzot rrok Mirdita gjatë fjalës së tij, shprehu mirënjohjen e thellë për qeverinë, për qytetarët, të cilët bënë të mundur që të mos ndodhte asnjë incident gjatë vizitës së Papa Françeskut. "Në emër të Kishës Katolike do të impenjohemi për të mirën së bashku me ju për këtë vend, që të bëhemi një Shqipëri evropiane", nënvizoi Imzot Rrok Mirdita.
Ndërsa nga ana e saj, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro shprehu krenarinë e saj, për vizitën e Papës, për shkak të lartësisë së vizitës dhe imazhit që Shqipëria transmetoi në gjithë botën.
Në shenjë mirënjohje, Kisha Katolike i dorëzoi Ministrisë së Kulturës një medalje mirënjohje për realizimin me sukses të këtij aktiviteti me rëndësi historike. (vijon) /m.m/