Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale një fotoalbum nga vizita e tij në Gjermani, ku ishte i ftuar nga kryeministri i Bavarisë Markus Soder.

Gjatë vizitës atje, shefi i qeverisë tregoi se vizitoi sipërmarrjen më të madhe gjermane, Schwarz Group, për të cilën thotë se ka shprehur interes për të investuar në Shqipëri.

Teksa ka ndarë disa foto në rrjete sociale, Rama shkruan "foto albumi i një dite mbresëlënëse në brendësinë e sipërmarrjes më të madhe gjermane, SchwarzGroup, ku na u prezantua aktiviteti shumëplanësh i këtij grupi me 600 mijë punonjës si edhe interesi për të investuar në disa fusha në Shqipërinë që sipas vetë mikpritësve tanë po kthehet në kyç rajonal"

Dje, teksa mori pjesë në ceremoninë e hapjës së “Herrenchiemsee Festspiele” në Bavari, Rama tha se Evropa është trashëgimia e përbashkët e të gjithëve. Sipas Ramës, Europa është një civilizim dhe duhet të mbetet e tillë, ndërsa kujtoi se sa e rëndësishme është për Shqipërinë lidhja me të.