Ramize Gjebreja, letra që e
spiunoi tek Nexhmije Hoxha

Ramize Gjebreja, letra që e<br />spiunoi tek Nexhmije Hoxha
Ai e kishte nofkën “Gramozi”. Por në shumë shkresa e letërkëmbime përmendej si Xhaka. Ai ishte një prej anëtarëve të gjyqit që çoi Ramize Gjebrenë drejt pushkatimit.
 
Ai e kishte nofkën “Gramozi”. Por në shumë shkresa e letërkëmbime përmendej si Xhaka. Ai ishte një prej anëtarëve të gjyqit që çoi Ramize Gjebrenë drejt pushkatimit. Sipas verifikimeve të dokumenteve emri i tij i plotë qe Ramadan Xhangolli. Emri i tij për çudi shfaqet edhe në vitet ’69, ndërsa në një shkresë të arkivit të Shtetit shënohet si personi që erdhi, verifikoi dhe vërtetoi se ditari i gjymtuar që ruhet edhe sot në arkiv, qe i Ramizesë, kjo nisur nga shkrimi i saj dhe ngjarjet që përshkruhen, ngjarje ku ai kish qenë prezent.

Gramozi ose Xhaka, në fund të vitit 1943 dhe fillim të vitit 1944 ishte i dërguari i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste në Vlorë, për të vëzhguar gjendjen e rinisë që angazhohej në radhët e partizanëve. Nga malet e Vlorës, me 19 shkurt 1944, ai i shkruan Nexhmije Xhuglinit për një skandal.
Nga dhjetori i 1943, deri në shkurt 1944 emri i Xhakes shpesh del në krah të Ramize Gjebresë. Në itineraret që ndjek brigada e pestë dhe batalionet e saj, në kohë mbledhjesh a rrugëtimesh të vështira, fshat më fshat përgjatë bregut. I bashkonte puna? Apo ai qe dërguar me një detyrë e posaçme, për të cilën kishte dijeni vetëm ai. Mbase ai qe syri i kupolës udhëheqëse në brigadën e pestë sulmuese, për të mos thënë vëzhguesi i Ramize Gjebresë.
Skandali për të cilin “Gramozi” i shkruan “Delegates” (Nexhmije Xhuglinit) është çështja e shumëpërfolur, lidhja dashurore mes Ramizesë dhe Zaho Kokës. Duket se qëllimi i letrës është pikërisht ky skandal, pasi çështjet e tjera përmenden shkarazi në letër dhe pa u zgjatur. Ndërsa për çështjen e Ramizesë “Gramozi” ndalet gjatë e deri në detaje të rëndomta. Ai rrëfen se si i ka përgjuar një natë, në shpellë lart në mal, duke u shtrirë të flinte pranë tyre, i ka dëgjuar ndërsa flisnin (Ramizeja përmendi emra vajzash???, -thotë ai) e mandej thotë “fillojnë nga puna..” 

Ai i rrëfen “Delegates” sa herë kanë kaluar në flagrancë dhe i rrëfen se e ka mbajtur të fshehtë... “Unë nuk ju rashë dot në sy deri sa të mbaronte operacioni pse kisha frikë ndonjë eliminim..” S’dihet pse e përmend eliminimin Xhakja në shkurt të 1944-s, ndërsa nxiton pak më tej t’i thotë “Delegates” se “mbi të gjitha më vjen inat se veç Partisë tradhton dhe një shok me hipokrizinë e saj..” Shoku që tradhtonte Ramizeja, qe Nako Spiro, i fejuari i saj, i cili siç dëshmojnë dokumentet më vonë nuk qe kurrë dakord që

Ramizeja të pushkatohej për një tradhti të tillë, dhe se kjo qe një çështje mes tyre, jo e Partisë. 
Siç do të shihet edhe më tej në dokumentet e radhës që do të botojmë në vijim, “Gramozi” ose Xhaka është personazh kyç në vdekjen e Ramizesë. Detaje ende edhe më intime shënohen në procesin gjyqësor në autorësi të tij si dëshmitar okular i “skandalit Ramize-Zaho”.

Së bashku me këtë letër të tij dërguar Nexhmije Xhuglinit, e cila e njihte nga afër e Ramizenë, ne sjellim sot edhe një letër tjetër sa i takon spiunimeve dhe zellit për të raportuar këtë “lidhje skandaloze” siç e cilësonin ata. Letra tjetër që sjellim sot i dërgohej Manush Myftiut, i cili mbante nofkën “Heqimi”, nga Lefter Kasneci, anëtar i Komitetit të Partisë në rajonin e Vlorës. Vite më vonë pas ’90-s, ky personazh do të fliste me superlativa për vlerat e rralla të Ramize Gjebresë, duke e ‘harruar” raportin e tij plot akuza për sjellje të ulëta të Gjebresë”, raport që u përdor në gjyqin kundër saj.
 
 
Dokumenti i parë
E dashur shoqe Delegate (Nexhmije Xhuglini)!
 
Mbasi mora letrën tënde të Dhjetorit të kam shkruar një letër ku pak a shumë të spjegonja mbi gjendjen organizative të rinis së Gjinokastrës. Prej asaj kohe edhe deri sot jam akoma në qarkun e Vlorës.
Detit i shkrova një letër dhe ja nisa me Interesantin e cila u nis për Korçë por u kthye nga rruga. Me këtë letër po i dërgoj edhe Detit, por shumë vonë mbassi nuk ka pasur komunikacion.

Këtej sidhe nga Gjinokastra gjermano-Balli-Zervistat filluan një ofensivë me forca të mbëdhaja me qëllim rrethimi dhe shkatërrimi të forcave tona. Në Vlorë sulmi gjermano-Ballist filloji me 29 Janar, dhe posaçërisht kundra Brigadës së Vtë e cila sapo ish inauguruar, duke u sulmuar nga të gjitha an. Ofensiva zgjati afro 15 dit, në një kohë shumë të keqe, vazhdimisht në dëborë dhe dit të tëra pa ushqime.

letra per nexhmije hoxhen

Me gjithë se armiku përdori të gjitha metodat, me gjith se koha shumë e keqe Brigada i shpëtoj rrethimit dhe humbjet qenë shumë të pakta dhe gjat kësaj kohe shkova pranë ushtrisë pse skesh mundësi të qëndronja në prapavijat. Armiku kudo shkoj me urë në dorë siç e ka zakon dhe rrëmbeu gjithë ushqimet dhe bagëtinë e fshatarëve që kishin mundur me rujt nga operacionet e parë. Nga Gjinokastra akoma skam informata seç është bërë.

letra per nexhmije hoxhen

Ofensiva filloi me 29 Janar dhe mbaroi me 15 Shkurt. Unë sot po shkoj në Mesaplik, ku mbassi të rregulloj aty punët me q.r. mendoj të afrohem për pak dit në Gjinokastrë, për të parë situatën e cila sigurisht do të ketë pësuar ndryshime. Neve i kishim shkruar Salës që të lajmronte Shpuzën për të bërë një takim në Zagori me 20 Frur, por tash nuk dimë nëse u lajmrua apo jo?
Këtej situata është ashpruar shumë, ushqimi është bërë problematik. Unë këtej ishja së bashku me Interesantin, e cila është në seksionin politik të Brigadës.

Ju komunikoj një skandal që ka ngjarë këto ditë: Kur tërhoqëm nga Vunoj për në mal vura re se Interesanti rrinte vazhdimisht së bashku me Zv. Komisarin e Bat. III të Brigadës 5të, në fillim nuk e vura re një gjë të tillë duke pasur besim në moralin e një shoqeje si ajo, por kur u tërhoqëm në mal dhe fjetëm 4-5 dit në një shpellë me 5-6 shokë shoqja me Zahon Zv.Kom. i B. flinin së bashku të mbuluar me një kapotë dhe ditën shoku flinte i mbështetur në gjinjtë e shoqes nga këto dhe nga shumë zheste të tjera që nuk muntë radhiten fillova të dyshoj, dhe për tu siguruar një natë fjeta pranë shokut n’anën tjetër të shokut ishte shoqja dhe përtej shpella. Bëra sikur më kish zënë gjumi dhe dëgjoj që bisedojnë me avash, dhe rrallë herë dëgjoja nga ndonjë fjalë nonjë emër vajze, më në funt mbassi si duket u siguruan se të gjithë kishin fjetur fillojnë nga puna.

Një dramë e tillë ngjau 2 net me radhë, mbassi këto qenë netët e fundit që flinim në shpellë, mbassi netët e para një tjetër flinte  pranë tyre. Mbassi ikën nga mali ata të dy dhe 3-4 shok të tjerë zbritëm buz detit në Vuno, mbassi batalioni u shpërnda dhe aty fjetëm 2 net.
Në këtë shtëpi kishte një krevat në të cilin fletën ata të dy dhe shokët e tjerë për tokë, drama dhe këtu vazhdoj 2 net me radhë, e cila ju ka rënë në sy të gjithë shokve.

Puna e tyre ka arrirë në demoralizim sidomos për ata që kanë punë me përgjegjësi. Unë nuk ju rashë dot në sy deri sa të mbaronte operacioni pse kishja frikë nonjë eliminim. Më shkruani ç’masë të marrim, nëse kjo dramë nuk i ësht raportuar q.P. nga nonjë shok. Me sa munt të konstatoj unë ata kanë qënë të lidhur edhe më parë. Një turp i math për ne nga një që nuk e prisnim. Nuk po zgjatem më për këtë punë, vetëm mbi të gjitha më vjen inat se veç Partisë trathton dhe një shok me hipokrizinë e saja.

Shoqe! Kemi humbur lidhjet fare, prandaj sa më parë duhet të kemi një mbledhje. As me Korçën nuk kam lidhje, as një letër nga Shpuza me gjithsej unë i kam shkruar 2-3 herë q.r. në Vlorë ka mbetur me 3 vetë, tashi po futim edhe një shoqe.
Presioni i armiku me sa duket do të jet i vazhdueshëm, më vonë ju shkruaj, mbassi të shkoj në Mesaplik. Letrën po e lë në Vuno, po se kur do të niset nuk e di, pse rruga është e zënë. Komunikoja dhe Detit ngjarjen e hidhur.
V.F.L.P.
19 Frur 1944
Të fala shoqrore
Gramoz
Letrat dërgoji te Lefter Kasneci në Vuno.
 

Dokumenti i dytë

Letër për Manush Myftiun

Kasneci: “Para gjyqit mund të kërkohen
edhe të tjerë pasi e dinë...”

-Antar i Kom. Rajonit
-Lefter Kasneci
-I dashuri shok Eqim (Manush Myftiu),
Kur u ndam bashkë biseduam e tham që të të vë në korrent të situatës dhe këjo ndër këto rrethana që po kalojmë është e domosdoshme. Dua të shpjegoj situatën që përpara operacjonit e deri në ditët e sotme. Kur erdhi bataljoni u nda nëpër pozicjone, dhe simbas direktivës që rruga të shkatërrohet, ajo u këput në tre vënde. Populli më përpara nuk u trondit, sidomos qëndrimi i Palasës ka qënë deri diku i mirë, mbasi ura e Palasës ishte shkatërruar dhe ata nuk u impresionuan. Kur u dha urdhëri që të tërhiqemi, gjermanët hynë dhe shkatërruan në disa shtëpi.

letra e kasnecit

Dherminjasit i pritën me “heil Hitler” me bukë e me gjithë të mirat. Bile u thanë se do luftojnë kundra partizanëvet dhe qysh atë natë vunë rojë rreth fshatit që të mos futeshin partizanët. Atë natë një skuadër jona zu në përpjekje me rojën një mitraljer të cilin komanda e Bat. III e pushkatoi, gjithashtu mbeti i plagosur dhe një tjetër, qe tash në ditët e fundit ka mbetur i vdekur. Himara në kompromiz, ndihma të thata dhe në kundërshtim me luftën t’onë. Qeparoi dhe Rudhësi muarrën armët dhe bashkë me Idriz Jazon me ballistë bënë luftë kundra partizanëve, prandaj s’ka nevojë për koment.

Mbeti Vunoi, i cili prej vuajtjeve dhe grabitjeve që bënë gjermanët vendosën të lidhen me Eparjin. Kur u mblodh fshati u-kundërshtova dhe për kë do llafosemi bashkë. Dhe këshilli firmoi, përveç Petros, i cili ka mbajtur një qëndrim prej njeriut të frontit, Aqilea dhe Koço Milua, të tjerët firmuan.

letra e kasnecit

Unë u-thashë që jini përgjegjës para Kshillit të Qarkut tashti si t’a mendoni ju, por ka kanë një qëndrim ekuivok, me gjithë se janë lidhur me Himarën, prandaj duhet të mbërrihet këjo situatë dhe neve kemi menduar me atentat. Vunjotësit shkuan tek gjermanët e ju lutën.

Gjëndja organizative në Vuno. Gjithë elementat shkojnë mirë. Prej reaksionit celula nuk është mbledhur veçse kontakte. Nga an tjetër dua të shtoj se dy elementat e Dhermiut janë ftohur, por hollësira nuk mund të shkruaj mbasi nuk jam takuar me ta. Por rezultati është negativ, asnjë frut pune.

letra e kasnecit

Në Qeparo kam patur lidhje me Spiron, i cili celulën e ka mbledhur njerë, mirëpo me sa pashë nuk e ka atë lartësin e duhur, mbasi nuk e ka kuptuar akoma rëndësin e mbledhjes, asgjë nuk kishte prekur mbi situatën e mbrendëshme dhe mbi gjendjen e krijuar dhe qëndrimin që duhet t’i mbajmë.

Një pikë tjetër po të referoj tashti. Kurrë s’kisha për t’a besuar, por realiteti është i hidhur dhe ja se si: Ramizeja me sa konstatoj unë dashuron Zahon gjë që nuk më çudit, pse e natyrshme, por më çudit kur egzagjerohet dhe atëherë kapërcen në skandal. Dhe këjo është e vërtetë, mbasi në shpellë me sa më kanë thënë kanë fletur bashkë me një rrobë dhe them më kanë thënë, mbasi lëvizjet janë parë prej të gjithëve.

letra e kasnecit

Pastaj edhe dy net me radhë në Jal të Vunoit kanë fletur bashkë, këto që them si kam parë vetë, por gjestet e tyre dhe epshet shtazarake që i pashë vetë më bënë të besoj dhe për të forcuar bindjen prej asaj dite i kam gjurmuar vetë dhe me anë të të tretëve. Bisedimet nëpër rrugë, këngët e tyre, dashurije e asgjë tjetër.

Çdo punë për hatër t’amores, me sa kam konstatuar unë është lënë mbas dore.
Do them edhe një vëzhgim tjetër konkret nga ana e Minella Kapos, i cili i vënë nga ana ime ka konstatuar se në një shtëpi tjetër kanë fletur bashkë etj. etj. Ka dërguar R. të blejë pambuk në farmaci. Këtë punë nuk e di pse.
letra e kasnecit

Para gjyqit mund të kërkohen edhe të tjerë mbasi e dinë, besoj se do kenë rraportuar dhe të tjerë.
Ky është skandal, ky është turp, ky është imoralitet për njerëzit e përgjegjësive veçanërisht, pse partija ka dhënë gjithë besimin.
Vdekje Fashizmit
Liri Popullit
Të fala Shoqërore
Lefter Kasneci
Çdo gjë me gojë
16/II/44


Shkrimi u publikua sot (28.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

LEXONI ME SHUME

 Pse shtatë burra e çuan në pushkatim Ramize Gjebrenë
 EKSKLUZIVE/ Si e shiti Zaho Koka Ramize Gjebrenë
 Letrat e spiunëve që çuan në pushkatim Ramize Gjebrenë

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën

I emëruar i Trumpit për emigracionin mbikqyri një valë deportimesh në të kaluarën