Raporti ekskluziv/ Ja si po 
ristrukturohen institucionet publike

Raporti ekskluziv/ Ja si po <br />ristrukturohen institucionet publike<br /><br>
Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit 2017, organet e qeverisjes vendore dhe lokale po i nënshtrohen një ristrukturimi radikal. Lëvizja ka ardhur në kuadër të motos për të çuar ‘tepsinë për skrap’ dhe për krijimin e një administrate profesionale, kusht ky edhe për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit. Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, në raportin e veprimtarisë vjetore, thotë se ristrukturimi i ministrive të linjës është në fazën finale. “Aktualisht ky proces ka hyrë në fazën finale të tij, pasi janë administruar propozimet e komisioneve të ristrukturimit në ministritë e linjës, në lidhje me sistemimin e nëpunësve në vendet e mbetura apo të krijuara rishtas, e po kështu edhe vendimet përfundimtare të njësisë përgjegjëse, Departamentit të Administratës Publike, për emërimin përfundimtar të tyre, apo lirimin nga shërbimi civil”, thuhet në raport.

Udhëzimi  
Paraprakisht, Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil u ka dërguar institucioneve një udhëzim me disa procedura që duhet të ndiqen gjatë procesit të ristrukturimit. Në raport thuhet se në zbatim të kompetencës ligjore të mbikëqyrjes së administrimit të shërbimit civil, duke vlerësuar kushtet e krijuara pas formimit të qeverisë së re, Komisioneri e vlerësoi si të nevojshme, ndërhyrjen për të orientuar njësinë përgjegjëse, në këtë rast Departamentin e Administratës Publike, si dhe Sekretarët e Përgjithshëm në Ministritë e linjës, si aktorët kryesorë të procesit të ristrukturimit, në lidhje me qëndrimin ligjor që duhet mbajtur gjatë aplikimit të procedurave të detyrueshme për t`u zbatuar, gjatë riorganizimit të institucioneve aktuale, apo gjatë ndërtimit të institucioneve të reja, me qëllim parandalimin e shkeljeve ligjore dhe respektimin e të drejtave të nëpunësve civilë. Pas dërgimit të këtij udhëzuesi në të gjitha ministritë e linjës dhe pranë Departamentit të Administratës Publike, si dhe me përfundimin e procesit të konstituimit të Këshillit të Ministrave, Komisioneri ka nisur monitorimin e procesit të ristrukturimit.

Ristrukturimi
Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka sqaruar Kuvendin sa i takon modelit të ristrukturimit të administratës. “Vlerësojmë se është rasti të evidentojmë në këtë raport, një qasje drejt një modeli të ri në organizimin e administratës shtetërore, që ka aplikuar Departamenti i Administratës Publike gjatë procesit të ristrukturimit, duke e ndërtuar aparatin nën varësinë e Sekretarit të Përgjithshëm, që i përket klasës së nëpunësve civilë, mbi tre shtylla kryesore, që kanë të bëjnë me: politikat dhe zhvillimin e sektorëve nën fushën e përgjegjësisë dhe aspektin rregullator dhe përputhshmërinë në sektorët që mbulojnë dhe aspektin ekonomik dhe shërbimet mbështetëse, të cilave i përgjigjen respektivisht tre njësi të strukturës në nivelin e Drejtorisë së Përgjithshme”, thuhet në raport.

KMSHC sqaron se Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit (përfshin politikat, strategjitë, programet dhe projektet). “Më tej çdo Drejtori e Përgjithshme ekzekutive, nën Sekretarin e Përgjithshëm është ndarë secila në tre drejtori kryesore që kanë role qartësisht të ndryshme. Ky model ka synuar të unifikojë mënyrën e funksionimit të aparateve ekzekutive; të thjeshtojë dhe lehtësojë strukturën, duke mos lejuar bashkim mekanik midis ministrive të ndryshme; të shmangë funksionet e përsëritura; të evidentojë struktura që duhet të dalin më vete, si agjenci apo institucione varësie, dhe që nuk duhet të jenë pjesë e ministrive”, thuhet në raport.

Udhëzimi për institucionet që po ristrukturohen
1. Të njoftohen individualisht nëpunësit që i përkasin institucionit që do të ristrukturohet apo mbyllet, për fillimin e kësaj procedure, sipas përcaktimit të nenit 50/7, të ligjit dhe pikës 12, të aktit nënligjor që rregullon transferimin për shkak të ristrukturimit apo mbylljes së institucionit;

2. Të ngrihet Komisioni i ristrukturimit (me 3 anëtarë), sipas përcaktimeve të nenit 50/3, të ligjit dhe pikës 12, të aktit nënligjor që rregullon transferimin për shkak të ristrukturimit apo mbylljes së institucionit, duke u kujdesur që të respektohet udhëzimi nr. 1, datë 01.03.2016, i ndryshuar “Për krijimin, funksionimin dhe kompetencat e komisionit të ristrukturimit për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit”, i Departamentit të Administratës Publike, ku përcaktohen qartë rregullat e përgjithshme për krijimin dhe funksionimin e këtij mekanizmi sipas rastit të riorganizimit të institucionit, procedura që duhet të ndjekë, si dhe metodologjia e vlerësimit dhe sistemi i pikëzimit, ku do të bazohet vendimmarrja e këtij komisioni.

3. Komisioni i ristrukturimit duhet të respektojë afatin 15 ditor, nga data e ristrukturimit, për të paraqitur relacionin me propozimet përkatëse përpara njësisë përgjegjëse, që kanë të bëjnë me:  Transferimin e nëpunësit civil sipas precedencës së përcaktuar në pikën 2, të nenit 50, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar; Përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil (lirimi nga shërbimi civil) për arsyet e parashikuara në pikën 6, të nenit 50, të ligjit në fjalë; Trajtimin financiar (dëmshpërblimi) për të gjithë nëpunësit të cilët do të largohen për shkak të ristrukturimit, si dhe njohjen e të drejtës për periudhën 2 vjeçare, pas përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil, për shkak të ristrukturimit, të konkurrojnë si nëpunës civilë për procedurat e lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë (neni 25 dhe 26 i ligjit), si dhe të emërohen në mënyrë të përkohshme nga njësia përgjegjëse, me pëlqimin e tyre, në pozicione të shërbimit civil.

4. Komisioni i ristrukturimit, në vendimin e tij për përfundimin e marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë për shkak të mbylljes apo ristrukturimit të institucionit, me qëllim që të respektojë parimet e administrimit të shërbimit civil, që kanë të bëjnë me profesionalizmin dhe meritën për të qenë pjesë e sistemit, si dhe për të garantuar qëndrueshmërinë në detyrë dhe vazhdimësinë e shërbimit civil, duhet të mbështetet mbi këto kritere: a) Vjetërsinë e nëpunësit civil në shërbimin civil; Vlerësimet e rezultateve në punë të nëpunësve civilë; c) Vlerësimin e fundit që ka pasur nëpunësi në testimin për përfitimin dhe përditësimin e njohurive shtesë.

5. Njësia përgjegjëse, të respektojë afatin për transferimin e nëpunësit civil, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së propozimit nga Komisioni i ristrukturimit dhe të njoftojë nëpunësin civil për vendimin, për të marrë mendimin e tij me shkrim, brenda 5 ditëve nga data e marrjes së njoftimit.

6. Të respektohet procedura e dëgjimit nga ana e njësisë përgjegjëse, në rastet e refuzimit të vendimit të transferimit, nga ana e nëpunësit, të verifikohen shkaqet e refuzimit dhe të arsyetohet vendimmarrja në çdo rast.

 

d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Durrës, ndezi zjarr te ‘Shkëmbi i Kavajës’ dhe rrezikoi disa banesa, në pranga 64-vjeçari

Durrës, ndezi zjarr te ‘Shkëmbi i Kavajës’ dhe rrezikoi disa banesa, në pranga 64-vjeçari