Raporti/ Heritage Foundation: Shqipëria ngjiti 13 vende në lirinë ekonomike

Raporti/ Heritage Foundation: Shqipëria ngjiti 13 vende në lirinë ekonomike

Në raportin vjetor “Liria ekonomike 2019”, të publikuar dje, që analizon të dhënat nga të gjitha vendet e botës për vitin e kaluar, Fondacioni i mirënjohur “Heritage” ka bërë një vlerësim shumë të lartë për performancën e Shqipërisë. Sipas ekspertëve të këtij fondacioni, vendi ynë ka kaluar nga vendi i 65-të, në vendin e 52-të në botë sa i përket ofrimit të lehtësive ekonomike.

Kriteret
Kriteret, mbi bazë të të cilëve vlerësohet liria ekonomike janë grupuar në disa shtylla: zbatimi i ligjit, pesha e qeverisë, efektshmëria rregullatore dhe tregjet e hapura. Në secilën prej këtyre shtyllave ka nëndarje të tjera sektoriale: tek zbatimi i ligjit vlerësohen rezultatet që lidhen me të drejtat e pronësisë, efektshmëria e Gjyqësorit dhe integriteti i qeverisë; tek pasha e qeverisë vlerësohet barra e taksave, shpenzimet qeveritare dhe shëndeti fiskal; tek sektori rregullator nënndarjet përfshijnë lirinë e të bërit biznes, lirinë e punësimit dhe lirinë e parasë; ndërsa tek tregjet e hapura hyjnë vlerësime që kanë të bëjnë me lirinë e tregtisë, lirinë e investimit dhe lirinë financiare.

Shqipëria
Vendi ynë renditet krah vendeve që kanë një liri ekonomike të moderuar, me një pikëzim në 66.5 pikë, dy pikë më shumë se një vit më parë. Ndarja mes vendeve parashikon: vende me liri ekonomike, vende ku liria ekonomike ekziston kryesisht, vende me liri të moderuar, vende kryesisht pa liri ekonomike dhe vende represive. Shqipëria rezulton se është ngjitur në vendin e 52-të, nga vendi i 65-të i vitit të kaluar. Në këtë ka ndikuar kryesisht përparimi në fushën e shëndetit fiskal (taksat), por edhe ecja përpara në drejtim të efektivitetit të sistemin gjyqësor, lirisë së punësimit dhe shpenzimeve nga ana e shtetit.

“Për të promovuar kandidaturën në Bashkimin Europian, Shqipëria ka bërë progres drejt një sistemi më të hapur dhe më fleksibël ekonomik, duke bërë ristrukturime thelbësore. Progresi në rritjen e të ardhurave dhe reduktimin e varfërisë ka qenë i konsiderueshëm. Një regjim tregtar konkurrues, mbështetur nga një kuadër relativisht efikas rregullator, ka nxitur zhvillimin e sektorit të sipërmarrjes. Për të mbështetur këtë progres, qeveria planifikon reforma të tjera për të përmirësuar zbatimin e ligjit, për të nxitur rritjen e lirisë ekonomike dhe për të siguruar vazhdimin e një zhvillimi të ndjeshëm ekonomik”, thuhet në raport.   

Ndërkohë, raporti evidenton faktin se ecja e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian ka ngecur në vend, në pritje të reformave shtesë për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Ekonomia mbizotërohet nga bujqësia dhe punëson gati gjysmën e fuqisë punëtore, por turizmi dhe shërbimet po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi. Sipas Heritage Foundation, Shqipëria mbetet një ndër vendet më të varfëra të Evropës, me një ekonomi që pengohet nga informaliteti i lartë dhe infrastruktura e dobët në energji e transport. Ndërkohë, papunësia e lartë dhe mungesa e mundësive ndikojnë tek tendencat e emigrimit.

Sektorët
Shqipëria rezulton me rezultatin më të lartë në lirinë e tregtisë, me 87.8 pikë, pasuar nga barra e taksve, që llogaritet në 86.3 pikë. Po kështu, pas këtyre vlerësohet edhe liria monetare (në qarkullimin e lekut dhe të valutave). Ndërkohë, në nivelin më të ulët të vlerësimit qendron efektiviteti i sektorit gjyqësor, me vetëm 30.6 pikë, ndjekur nga liria e punësimit dhe e drejta e pronës. Megjithatë, në këto të fundit është konstatuar një ecje e ndjeshme përpara.

Gjeografia
Nga vendet e rajonit, Heritage vlerëson se vetëm Maqedonia hyn në klubin e vendeve me ekonomi kryesisht të lirë. Ndërkohë që vendi ynë kalohet me një pikë nga Kosova, por le pas Serbinë, Kroacinë dhe Bosnjen. Madje, edhe vende të tilla si Franca dhe Italia. Shqipëria vlerësohet ndër shtatë vendet me ecurinë më të shpejtë në drejtim të përmirësimit të lirisë ekonomike gjatë vitit 2018. Vendi që vlerësohet me shpejtësinë më të lartë është Gjeorgjia, më pas vijnë Lituania, Ruanda, Bullgaria, Rumania, Armenia dhe Shqipëria. Sa u përket vendeve të para në botë, ato zihen nga Hong Kongu, Singapori dhe Zelanda e Re, Zvicra, Australia dhe Irlanda. Në fund të listës janë shumë vende të njohur me regjime represive, ku si vend me liri më të paktë ekonomike renditet Koreja e Veriut. Më pas vijnë Venezuela, Kuba dhe një numër i madh vendesh të Afrikës.

Renditja e Shqipërisë në listën globale

Renditja e Shqiprisë ndër vendet me ecuri më të shpejtë drejt përmirësimit të lirisë ekonomike

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë