1763047013_xhxixho.JPG

Një raport i Avokatit të Popullit ka gjetur shkelje në trajtimin e Ilir Metës në burg, dhe kërkojn nga Drejtoria e Burgjeve reflektim të menjëhershëm. Raporti evidenton më shumë se 3000 telefonata të bëra nga Meta dhe mbi 170 takime nga qelia.

Deputetja Erisa Xhixho thotë se raporti tregon shkeljen flagrante të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës së trajtimit të Metës.

Postimi i plotë i Erisa Xhixhos: 

Raporti më i fundit i Avokatit të Popullit konfirmon zyrtarisht atë që Partia e Lirisë e ka denoncuar prej më shumë se një viti per shkeljen flagrante të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi, sa i përket mënyrës çnjerëzore të trajtimit të z. Meta në IEPV-në "Jordan Misja", ku ai ndodhet i burgosur politik pa fakte dhe pa prova penale, prej më shumë se një viti.

I gjithë procesi është i montuar politikisht, i shoqëruar me abuzim pushteti dhe përdorim represiv të institucioneve të drejtësisë.

Gjetjet kryesore të raportit janë tronditëse:

Avokati i Popullit ka konstatuar se kufizimi i takimeve të Z. Meta në vetëm katër takime në muaj si minimumi i parashikuar në ligj duke e kthyer në standard të ngurtë, pa marrë parasysh rrethanat individuale, statusin e tij shoqëror dhe politik, përbën kufizim të tepruar të së drejtës për jetë familjare dhe të së drejtës për t’u organizuar politikisht.

Ndalimi i padrejtë i vizitave të deputetëve dhe eurodeputetëve, duke kërkuar autorizime që ligji nuk i parashikon – një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e standardeve ndërkombëtare.

Parashikimi në nenin 51 të ligjit për të drejtat e të paraburgosurve, shpreh qartë faktin se deputetët mund të marrin takim me të paraburgosurit pa autorizim me shkrim të prokurorit.

Kufizimi i komunikimit politik dhe pengimi i kontakteve me drejtuesit e partisë, pa asnjë bazë ligjore por vetëm zbatim i urdhrit politik të Edi Ramës.

Ndërhyrja dhe bllokimi i komunikimit me median, një shkelje e rëndë e lirisë së shprehjes dhe transparencës.

Raporti i Avokatit të Popullit thote qartë se të paraburgosurit duhet të kenë një regjim më të lirë dhe më të gjerë për gëzimin e të drejtave, edhe për shkak  të aplikimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.

Të gjitha këto janë praktikë e një shteti represiv, që përdor burgjet dhe institucionet e drejtësisë si instrument politik për të ndërtuar një regjim arbitrar dhe policor.

Këto janë faktet që dëshmojnë për një sistem që shkel hapur të drejtat e njeriut dhe vepron mbi bazën e urdhrave politikë dhe jo mbi bazën e ligjit.


Lajmi kryesor:

Meta 3000 telefonata e 170 takime në 10 muaj në qeli! Burgjet i kufizojnë komunikimin me Blushin dhe vizitat në burg, Avokati i Popullit: Po i shkelen të drejtat