Europol ka publikuar raportin për narkotikët, për periudhën 2015-2016, gjatë të cilës ajo që vihet re është “epidemia” e drogërave sintetike, të cilat kanë hyrë në tregjet e konsumit me 620 substanca të reja.

Shumica e këtyre substancave prodhohen në territorin e vendeve të BE-së dhe më pas shiten në treg përmes grupeve kriminale, ose faqeve të shumta të internetit.

Të njohura si “substanca psiko-aktive”, drogërat në fjalë nuk përfshihen nga kontrollet ndërkombëtare të narkotikëve. Substancat më të përdorura janë kryesisht kanabisi gjenetikisht i modifikuar, stimulantët dhe ato me bazë opiumi.

Këto drogëra përbëjnë një rrezik të lartë për shëndetin dhe në vitin 2015, në Europë u konstatuan të paktën 32 vdekje si pasojë e konsumimit të tyre.

Një tjetër tregues shqetësues është rritja e përdorimit të heroinës, e cila sjell dhe fitime të mëdha për grupet kriminale. Pavarësisht raportimeve për një rënie të konsumit, nivelet e larta të sasisë së heroinës të kapura në vendet e BE-së tregojnë se kërkesa për këtë mall mbetet e lartë.

Organizatat kriminale që merren me trafikimin e saj mbështeten në struktura të ngritura ndër vite bazuar në modelin e bizneseve dhe përfitimet janë kolosale.

Shumica e heroinës së konsumuar në vendet anëtare të BE-së hyn përmes akseve ballkanase, në rrugë detare ose ajrore; si dhe nga rajoni i Kaukazit të jugut. 

Gjithashtu, ka një rritje të konsumit të barishteve narkotike, ndërsa nuk mungon konsumi i kokainës, që ka njohur rritje si pasojë e shtimit të prodhimit në Kolumbi e më pas në Peru dhe Bolivi. Të ardhurat vjetore nga shitja e saj në tregun europian llogariten në raportin e Europol deri në 5.7 miliardë euro në vit. 

Në tërësi, organizatat kriminale përfitojnë nga trafiku i drogërave 24 miliardë dollarë në vit. Mes tyre janë edhe ato shqiptare, të cilat megjithatë konsiderohen në raport si “padrone” të kanabisit. 

raporti

d.c./shqiptarja.com