GREQI - Zbatim rigoroz të programit financiar, ky është basti i qeverisë trepartiake në Greqi, pasi në qeverinë greke konsiderojnë se u stabilizua aleanca qeveritare, pas votimit të javës së kaluar në parlament për krijimin e komisionit të posaçëm hetimor në lidhje me listën Lagarde.

Tre partnerët qeveritarë e kanë të qartë se mbijetesa e qeverisë, në këtë trajtë siç është varet nga ecuria dhe zbatimi i programit, pasi, po qe se do të ketë probleme do të jetë e vetmja rrugë marrja e masave të tjera të reja shtrënguese, gjë që do të sjellë hapjen e thesit të Eolit, me reagime të paparashikueshme sociale, por edhe politike.

Kryeministri Samaras, dhe dy ortakët e tij në qeveri, Venizelos dhe Kuvelis, e dinë fort mirë se në një rast të tillë nuk do të mbijetojnë nga revolta dhe zemërimi i popullit, në rast të marrjes së masave të reja shtrënguese, e cila do të ishte goditja përfundimtare për popullin grek, i cili edhe kështu është krejt i falimentuar, ekonomikisht dhe në një udhëkryq të jetës së tij politike.

Por gjithçka varet nga fakti se sa “normalisht” do të ecë qeveria, e cila ka për të përballuar veç të tjerave edhe ekonominë reale, e cila është veçse shifra, pasi rënia ekonomike dhe varfëria, të cilat kanë ikur prej çdo kontrolli, krijojnë të dhëna negative dhe mundet që në çdo çast të rrëzojnë koalicionin qeverisës dhe Greqia të shkojë në një kolaps politik dhe social.

Ministri i ekonomisë së Greqisë, Janis Shturnaras, është optimist dhe deklaron se ka dritë “në fund të tunelit” dhe se qeveria aktuale do të ketë jetëgjatësi. Në një intervistë dhënë për CNN, ministri grek i ekonomisë, deklaroi qartë dhe prerë se kjo ishte paketa e fundit e masave të ashpra shtrënguese, por me kusht që këto masa të zbatohen rigorozisht dhe të kryhen reformat e nevojshme financiare e ekonomike.

Pra, gjithçka përcaktohet nga fakti nëse qeveria do të ketë sukses në realizimin e objektivave të saj, gjë që nuk është e lehtë, pasi tashmë nga shoqëria greke, e cila është nen presion ta vazhdueshëm ekonomik, dhe që nuk është as edhe aleatja e qeverisë, nuk ka më durim dhe as mirëkuptim.

Viti 2013, në fakt, sikundër pranon edhe vetë kryeministri grek, do të jetë i vështirë, ndërkohë që në realitetin e përditshëm dhe të ashpër, qeveria u ul papritmas nga raporti i FMN, raport, i cili përbën edhe pikën e debatit të ashpër brenda qeverisë, pasi i befasoi pothuajse të gjithë.

FMN në raportin e saj vlerësues për ecurinë e ekonomisë greke, pavarësisht se pranon se janë kryer hapa përpara, nënvizon se kërkohen pushime nga puna në sektorin publik e shtetëror, privatizimi me procedura “ekspres” i pasurisë shtetërore dhe shndërrimi i taksave emergjente, në taksa të përhershme.
Qeveria greke u përqendrua për sytë e botës) në “komplimentet” e FMN për qeverinë dhe programin ekonomik dhe pati shumë pyetje dhe skepticizëm nënvizimi i FMN në lidhje me skenën politike të paqëndrueshme e delikate dhe se çfarë nënkupton kjo gjë ekzaktësisht kur thuhet prej të huajve.

Paralajmërimet e FMN
Shqetësuese në raportin e FMN, gjë e problematizon edhe kryeministrin Samaras dhe shtabin e tij, është nënvizimi i faktit se në raport konstatohen vonesa në privatizimet e

pasurive shtetërore, të cilat duhet të kryheshin qysh ne shtator, por edhe në faktin se reformat e ndërmarra kanë sjellë rezultate të varfra.
Samaras ka deklaruar vazhdimisht se vështirësitë janë këtej e tutje përpara dhe raporti i FMN i jep të drejtë këtij qëndrimi të tij, pasi kërkohet me forcë nga Trojka dhe vetë FMN që të ecet me hapa të shpejta në largimin e një numri shumë të madh nëpunësish shtetërorë.

Fakti tjetër shqetësues, është edhe nëse do të merren masa të tjera ekonomike shtrënguese në kurriz të popullit, vjen prej frazës së raportit: “Defiçiti dhe vakumi në arkat shtetërore nga evazioni fiskal, janë tepër të mëdha. Po qe se një gjë e tillë do të vazhdojë, atëherë do të lindë nvoja e uljeve të tjera në pagat dhe pensionet e qytetarëve grekë. Uljet e rrogave dhe të pensioneve, nuk janë të dëshirueshme, por të nevojshme, në rast se nuk luftohet evazioni fiskal”.

Një tjetër çështje që do të gjejë përpara qeveria greke dhe që duhet të përballojë edhe në nivelin politik, por edhe në nivel komunikimi është pjesa ku në raportin e FMN flitet për disa masa të paracaktuara prej 4 miliardë eurosh, të cilat parashikohen në memorandum për vitet 2014-2015, shumë kjo, e cila duhet të mblidhet deri në gusht të vitit 2013.

Ndërkohë çështje imediate për qeverinë greke është edhe ulja e çmimeve, e cila vazhdon të jetë një çështje,për të cilën shqetësimi është shumë i madh në të gjitha nivelet.  Të gjithë u gabuan kur pretenduan se me uljen e rrogave dhe pensioneve, pra me uljen e nivelit të jetesës së qytetarëve grekë, do të kishte edhe një ulje analoge të çmimeve të produkteve ushqimore, bujqësore e industriale, si edhe të shërbimeve të ndryshme.
Në të kundërt, çmimet, jo vetëm që nuk u ulën, por në shumë raste u rritën, gjë që solli edhe një tjetër ulje të nivelit të mirëqenies, shtim të varfërisë dhe një shtim në kohë të krizës në Greqi.

Gjithsesi qeveria greke, pavarësisht se nuk e shpreh hapur, po jep shenja paniku dhe e kupton se aleanca trepartiake ndoshta do të shkojë në një afat kohor disi më ta gjatë nga parashikimet fillestare, por kjo aleancë ndoshta do të jetë e para dhe e fundit e këtij lloji në jetën politike greke, këtej e në vazhdim.

(eç/shqiptarja.com)