Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për skandalin që përfshiu Bankën e Shqipërisë për asgjesimin e parave të dëmtuara.

Ky skandal, i bazuar në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit pas auditimit të periudhës 2010-2014 në Bankën e Shqipërisë, u publikua ekskluzivisht në datë 3 gusht nga gazeta Shqiptarja.com.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili u mbajt sekret si nga Banka e Shqipërisë por edhe nga institucionet e tjera, thekson se dëmi ekonomik në Bankën e Shqipërisë si pasojë e abuzimeve të drejtuesve dhe zyratrëve të saj shkon në 21 milionë euro dhe jo 713 milionë lekë, sa u raportua në skandalin e dy viteve më parë që çoi në arrestimin e ish-guvernatorit Ardian Fullani.

Sipas burimeve të Report Tv, këtë të premte prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës për ish zyrtarët dhe zyrtarët aktual të Bankës së Shqipërisë.

Në këtë procedim nuk ka emra konkret, por në hetim janë përfshirë paraprakisht të njëjtët persona që u arrestuan dhe hetuan për skandalin e parëpërfshi edhe ish-Guvernatorin Ardian Fullani. Gjithashtu do të hetohen edhe punonjës aktual, pasi dyshohet se këta të fundit kanë mbajtur të fshehtë këtë abuzim miliona euro. 

Më datë 3 gusht Shqiptarja.com do të denonconte publikisht për herë të parë skandalin e konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit që deri në atë ditë mbahej i fshehtë si nga banka e Shqipërisë por edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Madje po atë ditë në një konferencë për mediat, guvernatori i bankës së Shqipërisë, Gent Sejko do të deklaronte se ky raport ishte fantazi e medias dhe se nuk ekzistonte.
 
Por vijimi denoncimit do të detyronte Bankën e Shqipërisë që një ditë pas kësaj deklarate të lëkundej nga qëndrimi i parë, duke pranuar në mënyrë indirekte ekzistencën e një raporti, por pa dhënë detaje shtesë.
 
Por si është shkaktuar ky dëm ekonomik?
 
Në raportin e Kontrollit të lartë të Shtetit theksohet se gjithcka është kryer në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë të cilat tërhiqnin nga tregu qytetarëve kartmonedhat e dëmtuara kundrejt 20 deri 30 për qind të vlerës reale.
Më pas këto para bankat i dërgonin në Bankën e Shqipërisë ku ligjërisht duhet ti këmbenim me 80 % të vlerës por nga auditi është zbuluar se për plot 4 vite këto para janë konvertuar me 100 % të vlerës.

 
Redaksia Online
Al.Ç/Shqiptarja.com