Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar nga burgu për një raport të Konvergjencës ekonomike për Ballkanin Perëndimor për vitin 2025, i cili fokusohet në 5 fusha si infrastruktura dhe lidhshmëria, aftësia e burimeve njerëzore, klima e biznesit, transformimi digjital dhe ekonomia e gjelbër.

Sipas Metës, ky raport jep "skanimin" e vërtetë se ku ndodhet procesi i integrimit të Shqipërisë, ndërsa shënjestron kryeministrin Edi Rama që e cilëson si "shakaxhiun e integrimit".  Sipas kreut të PL-së, ndërsa qeveria krenohet me hapjen e kapitujve, në fakt vendi po largohet nga standartet bazë të zhvillimit ekonomik e shoqëror.

"Për fat të keq Shqipëria "shkëlqen" me përkeqësimin tepër serioz të treguesve të saj, krahasuar me 10 vite më parë, veçanërisht përsa i takon klimës së biznesit ku jemi të fundit në rajon.Çuditërisht jemi të fundit dhe lidhur me treguesit e infrastrukturës dhe lidhshmërisë, që është vendimtar për rritjen ekonomike të vendit, si edhe për integrimin infrastrukturor me vendet e rajonit dhe ato të BE. Themi "çuditërisht" pasi dihet që edhe pse investimet publike janë tepër të larta, rezultatet e tyre flasin për përkeqësim të situatës në këtë sektor. Kjo shpjegohet me korrupsionin e pafre dhe kostot e paimagjinueshme me të cilat realizohen investimet publike.", thotë Meta. 

Reagimi i plotë:

"Shakaxhiu i integrimit", si shkaktari i divergjencës ekonomike me Bashkimin Evropian 

Raporti i Konvergjencës ekonomike për Ballkanin Perëndimor për 2025, i financuar dhe konfirmuar nga Presidenca polake e BE dhe OECD, na jep skanimin e vërtetë se ku ndodhet procesi i integrimit të çdo vendi të Ballkanit Perëndimor krahasuar me mesataren e vendeve të BE. Raporti bazohet në analizën e 35 treguesve konkretë në 5 fusha të ndryshme, që janë infrastruktura dhe lidhshmëria, aftësitë e burimeve njerëzore, klima e biznesit, transformimi digjital dhe ekonomia e gjelbër. Ky është raporti i 3-të, i realizuar pas atij të viteve 2014-2016, si dhe 2017-2019.

Për fat të keq Shqipëria "shkëlqen" me përkeqësimin tepër serioz të treguesve të saj, krahasuar me 10 vite më parë, veçanërisht përsa i takon klimës së biznesit ku jemi të fundit në rajon.Çuditërisht jemi të fundit dhe lidhur me treguesit e infrastrukturës dhe lidhshmërisë, që është vendimtar për rritjen ekonomike të vendit, si edhe për integrimin infrastrukturor me vendet e rajonit dhe ato të BE. Themi "çuditërisht" pasi dihet që edhe pse investimet publike janë tepër të larta, rezultatet e tyre flasin për përkeqësim të situatës në këtë sektor. Kjo shpjegohet me korrupsionin e pafre dhe kostot e paimagjinueshme me të cilat realizohen investimet publike.

Shumë serioze është edhe situata për treguesit e aftësive njerëzore që provon situatën e shkatërruar në sektorin e arsimit, në kualifikimin e fuqisë punëtore dhe produktivitetin e saj. Edhe treguesit e transformimi digjital, ku Shqipëria renditet e parafundit në rajon, provojnë se sa demagogjik dhe i pabazë është programi qeverisës i mazhorancës, ku pavarësisht këtyre defekteve dhe performancës tepër të dobët e ka trajtuar digjitalizimin si shtyllë ku bazohet zhvillimi i vendit. Ndërsa flitet për hapje kapitujsh, në fakt largohemi nga standardet bazë të zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe shifrat flasin vetë.

Xh.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?