““3 janë konkluzionet kryesore të Raportit.E para, se me 21 Qershor, në Shqipëri nuk u mbajtën zgjedhje të lira dhe të ndershme. Togfjalëshi: “zgjedhje të lira e të ndershme” është zhdukur dhe nuk figuron në raport. Kjo, sepse qeveria zhbëri dhe dhunoi standardet themelore të zgjedhjeve, duke shënuar kështu një rrëshqitje mbrapa të demokracisë shqiptare. Standarti më themelor i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është liria e votës. Dhunimi i lirisë së votës përbën shkelje të këtij standardi themelor dhe kriteri të Kartës së Kopenhages, dokument themelor i të drejtave të njeriut. Raporti konkludon se, pikërisht liria e votuesve për të hedhur votën e tyre, të lirë e pa frikë nga ndëshkimi i qeverisë, u dhunua.
"Për këtë, raporti sjell prova të presionit dhe frikësimit të zgjedhësve nga qeveria, detyrimit për të marrë pjesë në aktivitete të qeverisë dhe për të votuar për kandidatët e qeverisë. Raporti nënvizon veçanërisht presionin dhe kontrollin mbi punonjës të administratës nëpërmjet kërcënimit për largimin nga puna dhe thekson frikën e tyre për t’u filmuar nga mediat në aktivitetet e subjekteve joqeveritare. Këtu është edhe konkluzioni i dytë kryesor i raportit: Zhbërja e standarteve themelore të zgjedhjeve si liria e votës, dhe standarteve të tjera, nuk erdhi për shkak të mungesës së legjislacionit, as thjesht prej mungesës së vullnetit për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por për shkak të vullnetit të dyshes Rama-Meta për të mos bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe për të kapur pushtetin me çdo çmim e me çdo mjet.
Konkluzioni i tretë i raportit i referohet dhunimit të një tjetër standardi themelor të zgjedhjeve të lira, po kështu kriter i Kartës së Kopenhagës, që është ndarja e partisë nga shteti, zbulon mekanizmin me anë të të cilit, dyshja Rama-Meta dhunuan zgjedhjet për të kapur me çdo çmim pushtetin. Ky raport sjell prova dhe fakte se me 21 qershor nuk pati garë dhe konkurencë alternativash, por shteti u ndesh me qytetarët dhe me opozitën.”, - tha Basha.
PD tha kreu i demokratëve është e vendosur të qëndrojë me çdo forcë për të kthyer zgjedhje të lira e të ndershme.
“PD është e vendosur të qëndrojë me çdo forcë dhe çdo mjet. Ne së bashku me qytetarët e vendit e kemi të qartë rrugën tonë. Pa rikthimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nuk ka dhe nuk do të ketë zhvillim të vendit. Beteja për zgjedhjet e lira e të ndershme do të bëhet deri në fund, dhe çdokush që ka prekur votën e qytetarëve do të mbajë përgjegjësi”, deklaroi Basha.