Kreu i Komisionit Qëndror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka reaguar për raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Përmes rrjeteve sociale, Celibashi shprehet se të gjithë aktorët e lidhur me procesin zgjedhor, duhet të punojnë mbi gjetjet dhe rekomandimet e shkruara në raport.
Duke e cilësuar “gjykatësin e zgjedhjeve”, Celibashi thotë se gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet e gjetjeve të OSBE-ODIHR, nuk sjellin asnjë dobi.
Më tej, kreu i KQZ-së thekson se partitë politike, veçanërisht ato parlamentare, duhet të angazhohen për të përfunduar një reformë zgjedhore brenda një viti.
“Do të jetë shenjë serioziteti dhe përgjegjshmërie institucionale dhe politike e të gjithë aktorëve të lidhur me procesin zgjedhor, për të punuar mbi gjetjet dhe rekomandimet e Raportit Final të ODIHR-it për zgjedhjet e 11 majit, si pasqyrë e plotë e këtyre zgjedhjeve.
Gjykimet dhe vlerësimet mbi gjykimet dhe vlerësimet “gjykatësit të zgjedhjeve” nuk kanë ndonjë dobi. Partitë politike, veçanërisht ato parlamentare, duhet të angazhohen për të përfunduar një reformë domethënëse zgjedhore brenda një viti.
Sa i përket KQZ: Vlerësimet pozitive - thuajse për gjithçka që ky institucion bëri në lidhje me përgatitjen dhe administrimin e këtyre zgjedhjeve - janë shtysë për të bërë akoma më mirë atë që duhet bërë”,- shkruan Celibashi.
OSBE-ODIHR thotë se procesi i votimit u menaxhua mirë dhe ishte i qetë. Partia Socialiste akuzohet për përdorim të burimeve shtetërore. Gjuha polarizuese mes Ramës dhe Berishës, nënvizohet si tipar negativ i zgjedhjeve të fundit parlamentare.
Komente











