Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, solli edhe qëndrimin e Lëvizjes Shqipëria Bëhet. Teksa opozita lexon kritikat, dhe mazhoranca rekomandimet, partia e Adriatik Lapajt, theksin e vë tek ndryshimi i sistemit zgjedhor.
Shqipëria Bëhet, nëpërmjet një deklarate për shtyp të bërë nga Edona Haklaj, sjell dhe shembullin e vet, duke thënë se edhe pse siguruan 4% të votave kombëtare, ato mjaftuan vetëm për 1 mandat në kuvend, çka tregon se sistemi aktual favorizon partitë e mëdha dhe dekurajon pluralizmin real politik.
Reagimi i Shqipëria Bëhet:
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” vlerëson publikimin e raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, i cili konfirmon shqetësimet tona të përsëritura për mungesën e kushteve të barabarta, keqpërdorimin e pushtetit dhe deformimin e garës demokratike në vend.
Raporti thekson qartë se procesi zgjedhor i vitit 2025 përbën një përkeqësim të dukshëm krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, veçanërisht përsa i përket ndikimit të pushtetit mbi administratën publike, presioneve ndaj votuesve dhe mungesës së besimit në integritetin e procesit.
Sipas vlerësimit të OSBE-së, sekreti i votës u komprometua shpesh, si pasojë e strukturimit të qendrave të votimit, mbipopullimit të tyre dhe ndërhyrjeve të papërshtatshme, që krijuan kushte për vëzhgim dhe presion ndaj votuesve.
Kjo cenon parimin themelor të një procesi demokratik, të drejtën për të votuar lirshëm dhe në fshehtësi.
Siç nënvizohet në raport, zgjedhjet u zhvilluan në një mjedis thellësisht të pabarabartë, ku Partia Socialiste përfitoi avantazh të padrejtë përmes përdorimit të burimeve shtetërore dhe ndikimit institucional, duke zhdukur kufirin midis shtetit dhe partisë.
Punonjës të administratës publike u detyruan të merrnin pjesë në aktivitetet e PS-së, ndërkohë që institucionet përgjegjëse, si Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), nuk morën masa ndëshkuese ndaj shkeljeve të evidentuara.
Raporti gjithashtu nënvizon atë që Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka denoncuar vazhdimisht gjatë këtyre dy viteve: blerja e votës, intimidimi i zgjedhësve dhe ndikimi i elementëve kriminalë vijojnë të jenë problem serioz në disa zona, ndërsa mungesa e seriozitetit dhe transparencës në procesin e numërimit ka cenuar besimin në rezultatin përfundimtar.
Një tjetër çështje e rëndësishme, e ngritur nga ne, dhe e pohuar dhe nga raporti, është pabarazia e sistemit zgjedhor, i cili deformon përfaqësimin e vullnetit të qytetarëve.
Shembull domethënës është vetë rasti i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, që mori 4% të votave kombëtare, por vetëm një mandat në Kuvend, çka tregon se sistemi aktual favorizon partitë e mëdha dhe dekurajon pluralizmin real politik.
Raporti i OSBE/ODIHRIT përforcon plotësisht kërkesat që Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka bërë përgjatë këtyre dy viteve angazhimi për reformimin e sistemit politik dhe zgjedhor në vend, me theks të veçantë në:
• Reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse
• Depolitizim të administratës publike dhe të institucioneve zgjedhore;
• Sanksione efektive për keqpërdorimin e burimeve shtetërore;
• Hetim të plotë dhe të paanshëm për shkeljet zgjedhore të evidentuara në raport.
Lëvizja “Shqipëria Bëhet” do të vazhdojë të ngrejë zërin në mbrojtje të integritetit të votës dhe të demokracisë, duke kërkuar ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe rikthimin e besimit të qytetarëve në procesin elektoral.
Komente











