Pas raportit të autoriteteve të Amsterdamit pak javë më parë drejtuar qeverisë së tyre për rikthimin e vizave për shqiptarët, pasi kanë rritur nivelin e kriminalitetit, dy vendet janë vendosur në lëvizje për të luftuar bandat kriminale.
 
Gjatë takimit të zhvilluar në Hagë me shefat e Policive Europiane, Haki Çako është takuar me zyrtarët holandezë.
 
Në  qendër të diskutimeve me delegacionin e policisë holandeze ishte intensifikimi i bashkëpunimit policor dypalësh, së pari në luftën ndaj krimit të organizuar, sidomos të organizatave kriminale shqipfolëse të cilat operojnë kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike (kokainë) nga Holanda në drejtim të vendeve të tjera evropiane dhe së dyti në identifikimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, të cilët fshihen në territorin holandez.
 
Homologët holandezë, sipas njoftimit janë angazhuar në një shkëmbim më të lartë informacioni me palën shqiptare, ndërsa u dakordësua ngritja e grupeve hetimore të përbashkëta për të luftuar bandat.
 
Vizat, Franca: Është ulur numri i azilkërkuesve shqiptarë
Pak ditë më parë në një shkrim të publikuar nga gazeta franceze “Le Figaro” theksoj se Parisi mund të kërkojë rikthimin e vizave për shkak se është rritur numri i azilkërkuesve nga Shqipëria.
 
Por, sipas policisë së shtetit, Jean - Philippe Lecouffe, Drejtor i Policisë Gjyqësore në Xhandarmerinë Kombëtare Franceze deklaroi se “Bashkëpunimi me Policinë Shqiptare ka sjellë rënien e numrit të shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil në Francë”.
 
Ndërsa bashkëpunimi ndërpolicor u diskutua dhe lidhur me goditjen e grupeve kriminale shqipfolëse të cilat operojnë në territorin francez, duke dakordësuar ngritjen e grupeve hetimore të përbashkëta, me qëllim hetimin, dërgimin para organeve të drejtësisë të autorëve të këtyre veprave penale, si dhe sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve kriminale që burojnë prej tyre.
 
Çako: Rritje të bashkëpunimit me Greqinë dhe Italinë kundër drogës
Përpos Holandës dhe Francës, pala shqiptare zhvilloi takime edhe me homologët nga Italia, Greqia dhe Spanja.
 
Në qendër të diskutimeve me palën italiane ishte rritja e bashkëpunimit dypalësh, përkatësisht: në luftën kundër krimit te organizuar dhe trafiqeve te ndryshme, sidomos ato të lëndëve narkotike në kufirin midis dy vendeve; në vazhdimin dhe intensifikimin e monitorimit të territorit lidhur me kultivimin e lëndëve narkotike; në lidhje me personat në kërkim ndërkombëtar që fshihen në territoret e shteteve respektive, etj.
 
Në takimin me delegacionin e policisë greke u diskutua bashkëpunimi në luftën kundër trafiqeve të ndryshme ndërkufitare, sidomos të narkotikëve: në lidhje me masat e marra për parandalimin e flukseve migratore (veçanërisht ato të vendeve të treta të cilat kanë si trend lëvizjen nga Greqia për në vendet e BE-se duke tentuar të kalojnë edhe nëpërmjet kufirit Shqiptar).
 
Gjatë takimit të zhvilluar me delegacionin e policisë spanjolle u diskutua rritja e bashkëpunimit në identifikimin dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar që fshihen në territorin spanjoll: në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të tjera, duke realizuar edhe operacione të përbashkëta ndërpolicor: në identifikimin e kontingjentit kriminal shqipfolës, etj.
 
Drejtori i EUROPOL: Objektiv lufta kundër terrorizmit
Në takim u diskutua për çështje kryesore lidhur me sigurinë e BE-së dhe më gjerë, përfshirë: përhapjen në Internet të propagandës ekstremiste, terroriste dhe të dhunshme dhe reagimin e ligjzbatuesve; përdorimin e inteligjencës financiare si një mjet kritik për hetimet e suksesshme kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar; krimin në epokën e teknologjisë; krimin kompjuterik; dhe kontrabandimin e emigrantëve.
 
'Kompleksiteti i kërcënimeve me të cilat përballemi, veçanërisht në këtë moshë të teknologjisë, kërkon bashkëpunim të fuqishëm ndërkufitar për zbatimin e ligjit. EPCC-ja 2017 ofron një platformë unike për vendet anëtare të BE-së dhe ato partnere, për të forcuar bashkëpunimin tonë dhe për të trajtuar së bashku sfidat më të mëdha me të cilat përballen sot ligjzbatuesit”, tha Drejtori i Europol, Rob Ëainëright. Në total 146 takime dypalëshe dhe shumëpalëshe, me përfshirjen e 1400 pjesëmarrësve, u zhvilluan gjatë Konventës së këtij viti.
 
Shqipëria lobon për Kosovën në INTERPOL
Në të gjitha takimet dy palëshe të zhvilluara nga delegacioni shqiptar, u kërkua mbështetja e partnerëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës si shtet anëtar i organizatës ndërkombëtare policore INTERPOL, pasi së shpejti në Pekin do të zhvillohet Konventa e Interpolit, ku do të diskutohet dhe votohet anëtarësimi i Kosovës dhe Palestinës në këtë organizatë.

 
[gallery]23805[/gallery] 
dy.b/shqiptarja.com