TIRANE - Prokuroria e Përgjithshme kërkoi dje në Kuvend shtim fondesh për organin e akuzës që të blejë pajisje përgjimi. Gjatë raportimit vjetor në Komisionin e Ligjeve, kryeprokurori Adriatik Llalla listoi si një nga problemet e Prokurorisë së Përgjithshme pajisjet e përgjimit pasi institucioni që ai drejton, nuk i disponon të tilla mjete për të përgjuar. Konkretisht Llalla u pyet nga kreu i komisionit Fatmir Xhafaj, për ndryshimet që ai kërkon në punën e Prokurorisë së Përgjithshme ku në përgjigjen e tij, kryeprokurori theksoi se: “Ne marrim me qira pajisjet e përgjimit, ndërkohë që mund t’i blinim vetë pajisjet dhe do të kishte kosto më të ulët”. Kësisoj, organi i prokurorisë në vend nuk disponon pajisje për të hetuar individ të cilët përbëjnë rrezikshmëri të lartë pasi më parë duhet të marrim me qira pajisjet e përgjimit.

Raportimi
Në një seancë e cila u karakterizua nga një klimë qetësie ndërmjet deputetëve të të dyja kampeve, kryeprokurori listoi disa pika të veprimtarisë vjetore të organit të prokurorisë. Sipas Llallës, Prokuroria gjatë vitit 2013 ka trajtuar 42.175 materiale kallëzuese, numër i cili sipas tij ka vënë në vështirësi punën e prokurorive për shkak të numrit të stafit. I pyetur nga deputetët se përse është rritur numri i pezullimit të çështjeve nga ana e prokurorive i cili ka shkuar në 21%, Llalla theksoi se këto vepra penale konsistonin kryesisht në vjedhje dhe për këtë, është kërkuar pezullimi i çështjeve. Përsa i përket hetimit për pastrimin e parave, kryeprokurori theksoi se kjo është një procedurë e ndërlikuar pasi shumica e parave janë depozituar jashtë vendit dhe për këtë kërkohet më shumë kohë për të mbledhur faktet.

Tritoli
Çështja e tritolit përfshiu dje në debat edhe kryeprokurorin Adriatik Llalla. I pyetur për bashkëpunimin që ka pasur ndërmjet SHISH dhe Prokurorisë, Llalla theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy institucioneve ishin mëse korrekte dhe shkëmbimi i informacioneve ka qenë në nivele të mira. “Lidhur me tritolin, ne kemi pasur bashkëpunim të rregullt me Policinë e Shtetit dhe SHISH. Në mjaft raste ne kemi parandaluar shpërthimet me tritol”,- theksoi Llalla.

llalla te dhena

Shkrimi u publikua sot 24 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)