Raporti vjetor, BSH: Shqipëria
 ekonomi me bazë shërbimet

Raporti vjetor, BSH: Shqipëria<br /> ekonomi me bazë shërbimet
Shërbimet janë sektori kryesor i ekonomisë shqiptare dhe pikërisht për këtë mbeten aktiviteti ekonomik që kreditohet më shumë nga bankat. Ndërkohë, ekonomia shqiptare ka shënuar rritje përgjatë gjithë periudhës 2000-2015, por kjo rritje nuk ka qenë e njëtrajtshme dhe e qëndrueshme.

Ritmi i rritjes u ngadalësua, nga një mesatare prej rreth 6% deri në vitin 2008, në një mesatare prej rreth 2.3% pas këtij viti. Këto janë disa nga konkluzionet e raportit vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015, që është depozituar tashmë në Kuvend.

Banka referon se periudha 2000-2008 përjetoi një rritje rreth potencialit të ekonomisë. Faktorët kryesorë që nxitën rritjen në këtë periudhë kanë qenë zhvendosja e burimeve nga sektorë më pak produktivë (bujqësi) drejt atyre më produktivë të ekonomisë (shërbime dhe ndërtim), adoptimi në rritje i teknologjisë, mbështetja e lartë me kredi bankare, por edhe baza e ulët nga e cila nisi rrugën rritja ekonomike. Rritja ekonomike e kësaj periudhe u mbështet nga nivele të larta investimi dhe konsumi privat, ndërkohë që aktiviteti eksportues mbeti i dobët.

Prej vitit 2009, ekonomia e vendit është vënë nën trysninë e pasigurive të shtuara si pasojë e krizës financiare dhe asaj të borxheve në vendet e BE-së. Ajo ka përjetuar ngadalësim të zgjatur, të shoqëruar me paqëndrueshmëri të ritmeve të rritjes.

Kjo goditje evidentoi edhe shpërpjesëtimet sektoriale që kishin karakterizuar ritmet e larta të rritjes deri para vitit 2009.

Ekspansioni i shpejtë i ndërtimit deri në vitin 2009, sidomos në segmentin rezidencial, u pasua me një rënie të menjëhershme të kërkesës për to.

Për rrjedhim, sektori i ndërtimit u karakterizua nga tkurrja e aktivitetit dhe ndikoi negativisht në rritjen ekonomike deri në fund të vitit 2014. Por edhe sektorët e shërbimeve shënuan gjithashtu një ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes, kryesisht pas vitit 2010.

Raporti referon se Industria u zhvillua duke shfrytëzuar më shumë avantazhet konkurruese në termat e kostove të ulëta të punës, se sa rritjen e produktivitetit. Bujqësia vijoi të reflektojë vështirësitë e trashëguara nga problemet e ndarjes dhe të pronësisë mbi tokën, të fragmentarizimit dhe të informalitetit, të mungesës së tregjeve të organizuara për tregtimin brenda dhe jashtë vendit, të investimeve relativisht të izoluara në rajone dhe nënsektorë të caktuar të saj.

Ajo mbetet një degë me peshë të konsiderueshme në punësim, ndonëse në rënie përgjatë viteve, ndërkohë që pesha e saj në vlerën e shtuar bruto vlerësohet rreth 20%.

Në përgjithësi, sektorët prodhues si industria, bujqësia dhe ndërtimi nuk kanë arritur të zgjerohen për të dominuar strukturën e vlerës së shtuar në ekonomi. Kjo e fundit mbizotërohet nga sektorët e shërbimeve të cilët kanë rritur edhe peshën në punësim gjatë periudhës 2011-2014.


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )
 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Mijëra pelegrinë në Jerusalem për ceremoninë e Zjarrit të Shenjtë, forcohen masat e sigurisë

Mijëra pelegrinë në Jerusalem për ceremoninë e Zjarrit të Shenjtë, forcohen masat e sigurisë