
Raportprogresi i Komisionit Europian vlerëson politikën e jashtme të ndjekur nga Shqipëria. Në raport, thuhet se vendi “ka vijuar të bëjë përparim të qëndrueshëm, duke ruajtur përputhshmëri të plotë me deklaratat e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe me vendimet përkatëse të Këshillit, përfshirë masat kufizuese (sanksionet) të miratuara nga BE.
“Në dhjetor 2024, u nënshkrua Partneriteti i Sigurisë dhe Mbrojtjes BE–Shqipëri, një hap i rëndësishëm që thellon bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe politikës së sigurisë. Gjithashtu, Shqipëria ka rritur pjesëmarrjen e saj në misionet dhe operacionet e menaxhimit të krizave në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes (CSDP) të BE-së”, thuhet në raport.
Pjesë nga raporti
Shqipëria ka një nivel të mirë përgatitjeje në fushën e marrëdhënieve të jashtme. Gjatë periudhës raportuese është bërë disa përparim, veçanërisht me miratimin dhe zbatimin e protokolleve të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe përmes përpjekjeve për zhvillimin e sistemit të kontrollit të eksporteve.
Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të:
vazhdojë zbatimin e Protokollit Shtesë 5 të CEFTA-s mbi lehtësimin e tregtisë, Protokollit Shtesë 6 mbi tregtinë e shërbimeve, dhe Protokollit Shtesë 7 mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, si dhe të zbatojë masat e planit të ri të veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal 2025–2028;
përafrojë legjislacionin kombëtar për kontrollin e investimeve të huaja me Rregulloren e BE-së për Filtrimin e Investimeve të Huaja Direkte (FDI Screening Regulation) dhe të sigurojë përputhje të plotë të ligjeve të brendshme me Rregulloren e BE-së për mallrat me përdorim të dyfishtë (dual-use goods);
krijojë kuadrin ligjor për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe politikën e zhvillimit dhe ndihmës humanitare, në përputhje me politikat dhe parimet e BE-së.
Lajmi kryesor:
Progresraporti/ BE vlerëson Shqipërinë: Moment pozitiv me negociatat! Rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit! Klimë e polarizuar politike










