/ATSH/.- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim Ambasadorin e ngarkuar për Çështje të Krimeve të Luftës, kryesues i Zyrës për Drejtësi Globale Penale në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Stephen J. Rapp, me të cilin bisedoi për përparimin e bërë në procesin e themelimit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, që përfshinë ndryshime kushtetuese dhe ligjore të nevojshme.
Sipas një njoftimi për shtyp të qeverisë, Mustafa e informoi për hapat që janë ndërmarrë nga institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.
Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e qeverisë së Kosovës dhe besimin në pjekurinë e institucioneve të Kosovës për të marrë vendime të rëndësishme.
Ambasadori i ngarkuar për Çështje të Krimeve të Luftës, Stephen J. Rapp, vlerësoi punën e deritanishme që kanë bërë institucionet e Kosovës, si dhe inkurajoi për hapat e rëndësishëm dhe të nevojshëm që duhet të ndërmerren në vijim.
Ambasadori Rapp gjithashtu shprehu interesimin dhe gatishmërinë e qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në këtë proces./KosovaPress/