Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj vijon të qëndresën e tij para kryeministrisë. Gjatë një komunikate ‘live’ sonte në Facebook, vuri në dukje edhe njëherë rastin e Ballukut.

Lapaj thekosi se vendimi i Kushtetueses po zvarritet dhe kjo sipas tij vjen nga qeverisja e Ramës, të cilët po bllokojnë drejtësinë.

“Sot 53 ditë përballë zyrës së kryeministrit që drejton qeverinë më të korruptuar të Europës dhe botës. Po provohet çdo ditë se këta me instrumentet që kanë po i bëhen pengesë drejtësisë, për disa përpara Belinda Ballukut që nuk paraqesnin ndonjë interes shumë të madh brenda asaj partie, Edi Rama i lëshoi, ndërkohë tashmë që drejtësia po avanconte te njerëzit më të rëndësishëm në atë parti, ai po bën çdo gjë për ta ndalur.

Kujtoni datën kur Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, kujtoni sa ditë ka për të kuptuar se çfarë po bëjnë. Po zvarritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Këta përmes zvarritjes institucionale që po bëjnë po mundohen të shfrytëzojnë hapësirat e nenit të 118 të rregullores së Kuvendit. Rilindja po synon që nëpërmjet zvarritjes dhe procedurave ligjore t’i ikin përgjegjësisë me procedurë. Ndaj po qëndrojmë këtu, ndaj e kemi thirrur protestën e 31 janarit në 6 pasdite”, tha Lapaj.

Ndër të tjera ai i bëri thirrje demokratëve që të bashkohen në protestën e 31 janarit, për të mundur Ramën dhe sistemim e tij që Lapaj e quan monstruoz. Lapaj nënvizoi se ky bashkim është i rëndësishëm duke i vënë në dukje demokratëve që gjatë 13 viteve protestave që kanë bërë nuk kanë rezultuar të suksesshme për heqjen e Ramës nga pushteti.

“Është shumë e rëndësishme të organizohemi në shesh, se ata nuk ndalen së vjedhuri. I bëj thirrje çdo demokrati të ndershëm të jetë në shesh, sepse është e vetmja mënyrë për të krijuar një bashkim të madh, për ta vënë me shpatulla pas murit dhe të dorëhiqet. Ju të gjithë e dini pavarësisht protestave që keni bërë në 13 vite nuk ia keni dalë dot për të mundur Edi Ramën. As ‘Shqipëria Bëhet’ nuk e mund dot Edi Ramën sepse ka ndërtuar një sistem monstruoz. Qëllimi ynë është të gjejmë zgjidhje për korrupsionin, për të rinjtë që mos të largohen nga vendi. Të bëhemi të gjithë bashkë për ta imponuar Edi Ramën për të demokratizuar vendin”, theksoi Lapaj.

Që prej 8 dhjetorit, Lapaj është përplasur disa herë me policinë për shkak të tendave të ngritura në trotuarin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ai ka organizuar disa protesta që kanë përfunduar dhe me persona të arrestuar. Lapaj thotë se nuk proteston me logo partiake, por si qytetar i thjeshtë.