Report Tv denoncoi dje rastin e Vasjan Lazajt, 28-vjeç, i cilin vuan nga epilepsia dhe në kushte tepër të vështira ekonomike, që i kanë hequr pagesën e aftësisë së kufizuar. Drejtori i Shërbimit Social Shtetëror në Vlorë, Eno Koleka në një bisede telefonike tha se e kam ndjekur historinë e Vasjan Lazajt, transmetuar në Report Tv.

Ai pranon se ka një vonesë prej 6 muajsh në shqyrtimin e dosjes nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë qendror në Tiranë.

Koleka më tej sqaroi se "28-vjeçari me epilepsi ka dalë fillimisht në KEMP-in e nivelit të parë, por për shkak të divergjencës (mosdakordësisë së mjekeve) dosja ka mbetur pezull. Kësisoj ka kaluar në Tiranë, në komisionin i cili më datë 9 dhjetor (ditën e enjte) do të shqyrtojë dosjen e tij dhe pritet të marrë një vendim përfundimtar".

"Ne kemi njoftuar 28-vjeçarin Lazaj të paraqitet në komision, pranë KEMP-it epror ditën e enjte, ku do të merret vendimi nëse do te jetë përfitues i pensionit të invaliditetit", theksoi Koleka.

I pyetur se pse është vonuar prej 6 muajsh kjo procedurë, ai tha se ka ardhur për shkak të ngarkesës që kanë mjekët.