Rauf Dhomi: Takimi i parë me
Çesk Zadenë në vitet '70

Rauf Dhomi: Takimi i parë me<br />Çesk Zadenë në vitet '70
Përmes një ekspozite që prezantoi për herë të parë partiturat e filmit "Skënderbeu" të realizuara në vitin 1952 dhe aktiviteteve të shumta është përkujtuar dje në Tiranë 85-vjetori i Lindjes të kompozitorit të njohur Profesor Çesk Zadeja, Artist i popullit. Partiturat janë zbuluar në arkivat ruse në Moskë dhe janë sjell në Shqipëri nga i biri, Albani. Në Qendrën e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes, ku u ekspozuan partiturat ka vijuar edhe një takim vlerësues për jetën dhe veprën e Çesk Zadesë mes akademikëve dhe muzikantëve të njohur të cilët kanë referuar kumtesat: "Vendi i Zadesë në kulturën shqiptare" nga Fatmir Hysi; "Figura e Zadesë në hapësirën kulturore mbarëkombëtare" nga kompozitori kosovar akademik Rauf Dhomi; "Çesk Zadeja dhe shkolla kombëtare në muzikë", nga Thoma Gaqi; "Zadeja dhe tradita muzikore shqiptare e viteve 1930" nga Zana Shuteriqi etj. Akademiku Rauf Dhomi e ka cilësuar dje Çesk Zadenë "si babain e muzikës kombëtare" dhe të parin mësues të kompozimit në Akademinë e Arteve. Dhomi tha se "Çesku e afirmoi artin shqiptar dhe muzikën kombëtare dhe ne kemi të drejtë ta quajnë baba i muzikës shqiptare". Zëvendësministrja Zana Turku kujtoi fillimet e saj si dirigjente që lidhen me profesor Çesk Zadenë. Ajo e vuri theksin tek fakti që ai "ka shkruar muzikë apostafat për Liceun Artistik". Turku bëri apel që të "Të dalin në dritë partiturat që t'i shërbejnë shkollës. Çesk Zadeja është baza kombëtare e shkollës kombëtare muzikore. Baleti "Delina", "Para stuhisë" kanë qenë kompozime të Zadesë". U vu në dukej që ai kompozoi edhe suita vokale me tema arbëreshe. Gjatë këtij aktiviteti zëvendësministrja e Kulturës, Zana Turku premtoi se do të bëjë të pamundurën me dosjen e Çesk Zadesë që ai të vlerësohet me titullin Nderi i Kombit "të kalojë sa më parë procedurat që të marrë vlerësimin e merituar", tha ajo. Në fund të aktivitetit janë luajtur pjesët nga krijimet e Zadesë, një pjesë në piano nga baleti "Delina", "Duo Instrumentale", e interpretuar nga Dorina Laro në violonçel dhe Ina Petrollari në piano. Cikli i aktiviteteve të ditës u mbyll mbrëmë në orën 19.00 me një koncert në Teatrin e Operës dhe Baletit me veprat e plota të Profesor Çesk Zadesë.

Kur e keni takuar për herë të parë kompozitorin Çesk Zadeja?
-Kam dëgjuar për herë të parë për profesor Çeskun kur isha në Sarajevë student, më moshën 22-vjeçare. Kurse kontakti im i parë me të, përballja ka qenë në vitet '71 ose '72 kur erdha për Manifestimet e 1 Majit dhe e takova në opera. Ishte hera e parë që e takova. E adhuroja. Mora përshtypjen e një njeriu i cili ishte i përmbajtur dhe serioz në profesion. Mezi prisja të flisnim. Më bëri përshtypje një gjë. Gjatë gjithë kohës fliste më zë të ulët, gati nuk dëgjohej. Foli diçka e sërish nuk kuptoja pse nuk dëgjohej e nuk bisedonte lirshëm. Po thoshte ca gjëra ndryshe nga ato që unë doja të bisedoja. Mendova se nuk kuptoja të folmen e tij dhe po ma bënte më të vështirë zëri i ulët. Nuk ishim vetëm në tavolinë. Atëherë unë thashë, "Ju lutem nuk e kuptoj profesorin, a ka njeri që të ma përkthejë?!". Kthej kokën nga shoqëruesi që ishte me mua. "A ka mundësi me më përkthy?" dhe qesha.
Pse fliste me zë aq të ulët?
-Nuk e kuptoja pse nuk kishte lirshmëri në të folur. Doja të flisja shumë miqësisht. Pak më vonë mora vesh se zakonisht njeriu që priste e përcillte dikën që vinte nga jashtë Shqipërisë ishte njeri i Sigurimit të Shtetit dhe unë nuk e dija këtë. Çesku, duke dëshiruar që të mos merrej vesh asnjë fjalë, fliste pa e nxjerrë fare zërin. Ky ishte takimi i parë me atë. Dhe mua më mbeti shumë merak që nuk fola çfarë dëshiroja nga zemra.

Por pasi morët vesh se ishit i përgjuar, a mundët të qëndronit pak çaste më pas me Zadenë?
-Atëherë s'bëhej fjalë. U takova dhe qëndrova me të viteve të tjera. Në '79-ën u ekzekutua opera "Goca e Kaçanikut" dhe unë isha këtu në Tiranë. Aty vetëm munda të rri pak çaste me të.

Kur e takuat Zadenë, ashtu siç do të donit ju?
-Kam pasur raste pas ardhjes së demokracisë në Shqipëri, kur ishte pedagog i kompozicionit në Akademinë e Arteve Tiranë arritëm të flisnim lirshëm. Influenca e krijimtarisë së Zadesë ishte e madhe te një sërë krijuesish të tjerë që ndiqnin rrugën e këtij krijuesi, sepse veprimtaria e Zadesë në lëmin e kompozimit në tërësinë e saj ka qenë dominante, superiore dhe udhërrëfyese për gjeneratat. Vizitat e shpeshta të kompozitorëve nga Kosova dhe anasjelltas na sillnin informacione të shumta për krijimtarinë muzikore kombëtare, jo vetëm të Zadesë, por edhe të shumë krijuesve të tjerë shqiptarë, për të cilët as që kishim dëgjuar ndonjëherë.

Qëllimi i komunikimit me të cili ishte?
-Çesk Zadeja iku në një moshë të parakohshme nga kjo botë dhe vdekja e tij në verën e '97-ës mua më shokoi. Akoma ne nuk kishim trajtuar shumë gjëra që i përkasin vlerave kombëtare të muzikës. Për mua ai ishte një fill lidhës mes vlerave të muzikës në Kosovës dhe asaj që ishte në Shqipëri. E çmoja për kombëtarizimin që i bënte muzikës. Ndaj vera e '97-s kur ai ndërroi jetë ishte shokuese e tronditëse. Forca krijuese e Çesk Zadesë është unike, e veçantë. Inspirimi i tij, melodia e tij dhe ndërtimi tonik i tij është aq i veçantë, orkestrimi është aq i fortë, aq kombëtar, aq profesional, saqë një melodi qoftë edhe e vogël e marrë nga folklori e ngre në një piedestal aq të lartë artistik, saqë mund ta krahasosh dhe mund të thuash se është Bethoveni shqiptar.

Shkolla muzikore e Kosovës a ka marrë nga tradita shqiptare?
-Absolutisht në të gjitha shkollat, edhe ato që janë në gjuhën turke, muzika dhe veprimtaria e Çesk Zadesë janë prezente si një udhëzim rrëfyes për stilin ndërkombëtar. Profesor Zadeja është kompozitor që paraqet në universin tonë kombëtar figurën më të madhe krijuese që është emblemë e vërtetë kombëtare, i cili kalon në mit, sepse potenciali i tij krijues e bën këtë personalitet të shquar dhe korife të muzikës bashkëkohore shqiptare, i cili kohërisht i takon brezit të parë të kompozitorëve tanë të shkolluar, duke i vënë bazat e muzikës klasike që merr përmasa të gjera si nga aspekti i trajtimit të materies muzikore e formës, ashtu edhe nga aspekti i melodisë, ritmit dhe stilit.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut

Nga Pëllumb Gjoka, tek Kasandër Noga dhe Gjergj Cukali, ja 51 emrat e plotë të operacionit të SPAK-ut