Një takim mes Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyy mund të ndodhë brenda tre javësh. Kjo është ajo që po shpreson Uashingtoni, sipas të dërguarit special amerikan Steve Witkoff.
Në një intervistë për Fox News, Witkoff tha se SHBA ka paraqitur propozime si për Rusinë ashtu edhe për Ukrainën dhe se pret që ato t’i afrojnë palët “në tre javët e ardhshme”. Madje, sipas tij, kjo mund të çojë edhe në një samit mes dy presidentëve.
Luftën që po shkon drejt katër viteve, ai e quajti “një luftë të kotë”. “Çfarë të jep dinjiteti kur ka kaq shumë vrasje?”, tha ai, duke shtuar se bisedimet e fundit të ndërmjetësuara nga SHBA kanë pasur efekt pozitiv në disa drejtime.
Witkoff u shpreh se as Rusia dhe as Ukraina “nuk duken sikur duan vërtet të luftojnë me njëra-tjetrën” dhe se vështirësia kryesore për marrëveshje është në nivelin e lidershipit.
Ai tha se bashkë me Jared Kushner, dhëndrin dhe këshilltarin jozyrtar të presidentit Donald Trump, kanë hedhur disa ide konkrete që mund t’i bashkojnë palët në tryezë. Sipas tij, ekziston edhe mundësia që në një takim të tillë të përfshihet edhe Trump, por vetëm nëse ai është i bindur se mund të arrihet rezultat real.
Witkoff tregoi se në takimet me Putinin, presidenti rus ka qenë “i drejtpërdrejtë” për vijat e kuqe dhe arsyet e tij. Ai mbrojti vizitat e tij të shumta në Rusi, duke thënë se për të arritur marrëveshje duhet të kuptosh pozicionin e palës tjetër.
Deklaratat vijnë pas raundit të fundit të bisedimeve trepalëshe për luftën në Ukrainë, që u mbajt këtë javë në Gjenevë. Më herët, dy raunde të tjera u zhvilluan në Abu Dhabi në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit.

Papa Leone XIV
Lufta në Ukrainë nuk mund të presë më. Ky ishte apeli i Papa Leone XIV sot në Sheshin e Shën Pjetrit, nga ku kërkoi që t'i jepet fundi konfliktit që ka hyrë në vitin e katërt.
Gjatë fjalimit të përjavshëm para besimtarëve, ai foli për një situatë dramatike që, sipas tij, po shpaloset para syve të gjithë botës. “Zemra ime shkon sërish tek kjo situatë. Ka kaq shumë viktima, jetë dhe familje të thyera, kaq shumë shkatërrim dhe vuajtje të pashprehshme”, tha ai.
“Paqja nuk mund të shtyhet, është një nevojë urgjente që duhet të gjejë vend në zemra dhe të kthehet në vendime të përgjegjshme. Për këtë arsye, e përsëris me forcë apelin tim: armët të heshtin, bombardimet të ndalen, të arrihet pa vonesë një armëpushim dhe dialogu të forcohet për t’i hapur rrugë paqes.”
Ai e quajti luftën “një plagë për të gjithë familjen njerëzore”, që lë pas vdekje, shkatërrim dhe dhimbje që prekin breza të tërë.
Komente










