Këtë tha Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Florian Raunig, gjatë takimit të zhvilluar në Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin për zhvillimin bujqësor në Korçë
Gjatë fjalës së tij, Rauning tha se, Prezenca e OSBE-së e ka mbështetur prej kohësh Komisionin Parlamentar për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin në përpjekjet për të forcuar rolin e tij legjislativ dhe mbikëqyrës në çështje të qeverisjes lidhur me mjedisin, të tilla si menaxhimi i mbetjeve dhe ndotja e lumenjve.
"Në shtator, ne ishim bashkë me disa prej jush në inaugurimin e zyrave të deputetëve për komunikim me zgjedhësit në Korçë. Këto zyra kanë dy qëllime: së pari, të mbështesin deputetët në ndërveprimet e tyre me qytetarët; dhe së dyti, t'u ofrojnë qytetarëve një hapësirë ku të takohen me personat që kanë zgjedhur t'i përfaqësojnë në parlament, në mënyrë që të ndajnë me ta shqetësimet dhe të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre. Këto zyra i ndihmojnë qytetarët dhe institucionet e tyre të krijojnë një marrëdhënie më aktive e të shëndetshme", tha Rauning.
Sipas tij është lajm i mirë, që Komisioni po i përdor këto zyra për të diskutuar me qytetarët e Korçës mbi një çështje me rëndësi të madhe, siç është zhvillimi
bujqësor i qëndrueshëm.
"Ky zhvillim është thelbësor jo vetëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe për stabilitetin afatgjatë të saj. Sektori bujqësor përbën thuajse gjysmën e vendeve të punës, por vetëm një të pestën e prodhimit të brendshëm bruto", tha Rauning.
"Ky takim bashkon në të njëjtën sallë palët kryesore të interesuara. Kjo është një mundësi që komisioni, përfaqësuesit e ministrive, agjencitë shtetërore, grupet e interesit dhe fermerët të diskutojnë së bashku mbi çështje kyçe si mungesa e një tregu bujqësor, subvencioneve qeveritare, diversitetit bujqësor, si edhe më e rëndësishmja, për të formuluar zgjidhje të problemeve", vijoi Kreu i OSBE-së.
Ambasadori Rauning theksoi se kontributi ekspertëve është thelbësor në këtë proçes. "As ligjvënësit, as qeveria nuk mund t'i trajtojnë veçmas këto çështje kaq të ndërlikuara. Ato kanë nevojë për kontributin e çmuar të ekspertëve të fushës, akademikëve, grupeve të interesit dhe publikut të gjerë për të përgatitur politika sa më të mira e për të marrë vendime të mençura në dobi të shqiptarëve", tha Rauning.
"Prezenca mirëpret qasjen pozitive e të orientuar drejt rezultateve që komisioni ka si synim të ndërmarrë për sa i përket çështjeve të ndjeshme që do të adresojmë sot. Ne mbetemi të gatshëm për t'i ofruar komisionit mbështetje të mëtejshme në përpjekjet e tij", vijoi ambasadori i OSBE-së.