RE:FRESSH

RE:FRESSH
Nesër bëhen 20 vjet nga krijimi i Forumit Rinor Eurosocialist. Asnjë organizatë rinore në Shqipëri s'e ka pasur në këta 20 vjet as historinë dhe as impaktin e Fressh-it në jetën politike shqiptare. Histori e mbushur me dritë e hije. Si çdo histori e gjatë politike ndoshta, por jo thjesht. Fressh-i ishte forca që çau perden e hekurt mes Partisë së sapokrijuar Socialiste dhe opinionit të sapozgjuar publik që fundosi regjimin komunist. Një grup të rinjsh, ndër ta edhe pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore, patën kurajon e një imagjinate largpamëse. Dhe zgjodhën me idealizëm apo instikt politik krahun e kundërt të historisë së atyre fillimeve përmbysëse. U rreshtuan me Partinë e dyshuar Socialiste dhe bënë histori. Takimi i tyre i parë në Pallatin e Kongreseve ishte një erë e re ndryshimi që fryu mbi skenën e transformuar të politikës nga vendosja e pluralizmit në Shqipëri.

Fressh-i i dha PS-së shtysën jetike drejt hapjes me shoqërinë dhe i dha shoqërisë mundësinë të shohë përtej perdes së hekurt të paragjykimeve të rënda që PS-ja mbartte nga e shkuara në misionin e saj historik të vendosjes në ekuilibër të demokracisë së sapoardhur me yryshin revanshist që imponoi komunisti Sali Berisha në krye të PD-së. Pandeli Majko dhe Ilir Meta, dy protagonistët e padiskutueshëm të jetës politike të rinisë socialiste mishëruan për një kohë të gjatë suksesin si edhe të dy anët e medaljes së atij suksesi. Anën e pastër dhe atë të pistë të vetë politikës, të cilat sot në distancën që na mundëson koha janë lehtësisht të lexueshme. Madje si për të lehtësuar ende më shumë këtë lexim, njëri, Pandeli Majko, gjendet në këto momente në New York në pritje të një emërimi në rangjet më të larta të Kombeve të Bashkuara, tjetri, Ilir Meta, pret në shtëpi vendimin e gjykatës pas kërkesës së prokurorisë për disa vite burg si pasojë e një skandali të bujshëm korrupsioni botërisht të njoftuar në mediat e mbarë planetit.

Të dy u bënë në periudha të lavdishme për Fressh-in kryeministra të Shqipërisë, ndërsa vetë Fressh-i u bë ndoshta e vetmja organizatë politike rinore në botë që i dha vendit të vet njëri pas tjetrit dy kryeministra. Në mënyrën e tyre të dy i dhanë Shqipërisë një kontribut të konsiderueshëm në krye të qeverisë së vendit, paçka se në rrugëtimin e tyre politik Majko përfaqësoi vijimësisht një Shqipëri me dinjitet, kontradikta e kufizime të vetë kohës, ndërsa Meta u kthye përgjatë rrugës në përfaqësuesin e Shqipërisë së marramendur prej fuqisë abuzive dhe parasë së fituar babëzisht matanë kufijve të ligjit (edhe Fressh-it kryeministrimi i tij problematik i la asokohe një faturë të rëndë imazhi). Vazhdojnë të jenë që të dy në skenë si për të dëshmuar me praninë e tyre praninë në jetën politike të të dyja Shqipërive në mjedisin ku jeton sot gjenerata më e re e fillimviteve '90.

Një tjetër gjenerate i ka trokitur sot ora për të treguar çfarë mund ose s'mund të bëjë për të lënë shenjën e vet në historinë e organizatës së rinisë socialiste e progresiste. Mes të dyjave ka patur një periudhë boshllëku, inercie dhe apatie. Nesër është dita e re e fillimit të përpjekjes së kësaj gjenerate pasuese për t'u dëgjuar nga opinioni publik dhe provuar në harkun e këtij viti të 100-të të pavarësisë së Shqipërisë, nëse është ose jo në gjendje të lerë një gjurmë në historinë e Fressh-it e të vetë vendit për vitet që vijnë. Sulmi i nisur me të gjitha bateritë nga ana e pushtetit përmes altoparlantëve të vet kundër projektuesve të risisë RE:FRESSH për të bërë histori të re në vazhdën e historisë politike të organizatës rinore socialiste e progresiste, është një shenjë inkurajuese. Ashtu siç është shumë inkurajues fakti se në krye të kësaj përpjekjeje nuk janë vetëm ata që vijnë në këtë pikëtakim të përvjetorit të 20-të të Fressh-it nga rruga e militantizmit partiak, po edhe ata që vijnë nga rruga e militantizmit qytetar. Protagonistë të spikatur të MJAFT-it të orëve më të mira janë pjesë e grupit që ka projektuar risinë. Kundërshtarët sulmojnë në këtë pikë sepse kjo është një pikë e fortë. Jo vetëm pse është një vlerë e shtuar në përpjekjen për t'i dhënë organizmit rinor socialist e progresist përmasën e ndryshimeve shoqërore, po edhe një mesazh i qartë për vizionin e ri që duhet të mishërojë ky organizëm.

E thënë ndryshe, Fressh-i s'mund të jetë më ai që ishte sepse koha s'është më ajo që ishte, shoqëria s'është më ajo që ishte, sfida s'është më ajo që ishte. Ja pse projektuesit e rinj të riorganizimit thonë RE:FRESSH dhe ja pse RE:FRESSH është e reja që PS përkrah sot pa asnjë rezervë, me bindjen se gjenerata e re e shqiptarëve kërkon një pikë të re referimi për të dhënë kontributin e vet në kërkim të ndryshimeve të domosdoshme politike e shoqërore sot. Një organizatë politike rinore moderne, pa korniza shtrënguese. Një hapësirë transversalisht e hapur për individë, grupe interesi, organizma autonomë të rinjsh me energji e prirje drejt temave të posaçme. Një ombrellë federative ku organizata tradicionale e Fressh-it është padyshim shtylla vertebrore, po ku RE:FRESSH-i prezumon shumë më tepër se sa vetëm ripërtëritjen kapilare të asaj që buron nga e djeshmja. Një projekt për të ardhmen.

Projekti është shumë i mirë pikërisht sepse niset nga shoqëria siç është sot e nga interesat e sotme të gjeneratës më të re, duke ofruar hapësirë për të gjithë dhe më anë tjetër duke synuar t'i kundërvihet deformimit të frikshëm të përfshirjes së rinisë në betejën politike vetëm përmes favoreve e parasë. Që janë dy këmbët mbi të cilat ecën prej kohësh organizimi rinor i PD-së apo LSI-së në funksion të qëllimeve ngushtësisht elektorale. Eshtë një projekt që bazohet tek qëllimi i madh i jetësimit të një politike të re për të rinjtë, duke tentuar me guxim të tregojë se rruga e përfshirjes së të rinjve në jetën politike nuk kalon medoemos përmes rekrutimeve me favore apo me para. Nuk duhet të kalojë kurrësesi përmes favoreve, parasë apo lidhjeve të gjakut ose tribës as përfshirja e të rinjve në administrimin publik. Shqipëria Europiane s'ka gjasë të ndërtohet pa ndërtuar rrugën e meritës për të rinjtë. Pa u dhënë atyre barrën që u takon në sfidën e integrimit duke u nisur nga merita e secilit. Pa i bërë ata protagonistë realë të ndërtimit të shtetit modern europian të shqiptarëve.

Prandaj ky projekt u drejtohet vlerave morale e shoqërore, të traditës më të mirë këtu e të vullnetarizmit politik të mbarëbotshëm në ditët e sotme kudo ku demokracia funksionon. Projekt i vështirë padyshim. Objekt përqeshjesh përveçse përbaltjeje me siguri. Por pa mëdyshje një projekt i dobishëm jo vetëm për familjen socialiste e progresiste, po edhe për shoqërinë e vendin. Starton nesër, në orën 11.00 në Pallatin e Kongreseve dhe vazhdon të lançohet gjatë gjithë ditës së parë, për t'u shtrirë ditë pas dite drejt të gjithë të rejave e të rinjve shqiptarë në Shqipëri e jashtë saj. Ku studion, punon e jeton një numër i jashtëzakonshëm vajzash e djemsh që edhe kur duan të kthehen në Shqipëri s'kanë rrugë kthimi përveçse duke ndjekur hartën rëndom të pamundur të lidhjeve të gjakut e të tribës që ka imponuar pushteti i sotëm i korrupsionit dhe i klientelizmit më të pafre të historisë së shtetit shqiptar. Edhe atyre RE:FRESSH-i synon t'u çojë nesër një mesazh. Unë kam shumë besim se mesazhi do të shkojë në destinacion gjatë këtij viti duke kapërcyer me mundim përmes baltës e mureve të cinizmit dhe gjetur veshë e zemra për të jehuar fort. Do të duhet kohë e do të duhen nerva e gjunj të fortë. Projektuesit kanë vizionin dhe idetë e duhura për të bërë një histori të re me të rinjtë e për të rinjtë. Nervat dhe gjunjtë do t'i sprovojë rruga e do t'i provojë koha që kemi përpara. Sot për sot ata meritojnë urimet e përshëndetjet më të ngrohta.

Qoftë një rrugë e mbarë për RE:FRESSH-in që i duhet nesër Shqipërisë së sotme

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin