Re: Fressh, pse u tremb doktori

Re: Fressh, pse u tremb doktori
U mor vesh se re:fressh pati një impakt të jashtëzakonshëm ditën e diel, kur salla e Pallatit të Kongreseve, u mbush plot me të rinj freshistë, jo vetëm nga Tirana, por të ardhur edhe nga rrethet. Gjithsesi, salla nuk kishte shkëlqimin e flamujve të PS, BE apo SHBA. Kishte vetëm një flamur kuq e zi që mbuloi gjithë platenë e sipërme të Pallatit të Kongreseve dhe kaq. Madje, siç duket edhe për mungesë fondesh, edhe pankartat re:fressh që mbaheshin në duar, ishin dhënë, si me pikatore. Megjithatë, të bërtiturat dhe qejfi i 20 vjetorit të themelimit të organizatës rinore, m’u duk shumë i madh. E pas këtij aktiviteti, PD çuditërisht nxjerr në foltore dy zonja: Albana Mustafaraj, zëdhënëse e partisë, dhe Mesila Doda, deputete.

Të dyja, flisnin për aktivitetin e rinisë socialiste. Duke parë habitshëm reagimin e tyre, u nisa drejt zyrës së Berishës. Unë – Përshëndetje zoti kryeministër...
Ai – Eja Anila...
Unë – Doktor, dje PD m’u duk në pikë të hallit, ndërsa po merrej seriozisht me zhvillimet brenda PS. E kuptoj se edhe ju e keni pritur disi ankthshëm aktivitetin. Ç’do të ndodhte. Ashtu sikurse të gjithë të tjerët, edhe brenda PS, më së shumti kundërshtarë të Ramës, kishin ndonjë ide se aktiviteti mund të dështonte. Ja që Veliaj, arriti ta bëjë për së mbari. Jo shumë luksoz si aktivitet, po kishte shumë entuziazëm. Patjetër ju tremb ideja sesi u mblodhën aq shumë të rinj në re:fressh.
Sepse t’i mbledhë Veliaj kaq shumë njerëz, kur është në opozitë, kur një përqindje e vogël e tyre mund të jenë të punësuar, të tjerët s’kanë as më të voglin dyshim se mund të kenë ndonjë punë për së afërmi, juve, ju sjell shqetësim. Jam e sigurt se PD, apo qoftë edhe LSI, mund të mbushin fare mirë salla si pallati i Kongreseve. Jo një e dy. Por kuptohet, është shumë e thjeshtë. Ja e pamë edhe te festa e themelimit të PD që u zhvillua në dhjetor. Kjo, nuk e bën diferencën. Sepse armata e të punësuarve, apo atyre që duan të tregohen servil për t’u rregulluar nesër diku, është goxha e madhe për të mbushur sallat. Por është shumë herë më e vogël se armata e gjithë atyre njerëzve që sot ndjehen të shqetësuar për punësimin, arsimimin, varfërinë, apo rritjen ekonomike. Janë të rinj që kanë vetëm pak shpresë se nesër do të jetë një ditë më e mirë, dhe këtë shpresë, e shprehin me entuziazëm sikurse u pa edhe ditën e djelë. Ndaj zoti kryeministër them se ju trembi aktiviteti i re:fressh-it. Ndaj edhe për këtë nxituat të nxirrnit eksponentët tuaj për të përbaltur një aktivitet të të rinjve socialistë. Ndaj, edhe nuk e duruat dot entuziazmin e tyre, sepse sikurse të gjithë ne, ju patë varfëri në organizim, por aspak varfëri në emocione dhe ide. Dhe vetëm për këtë arsye, asnjë nga zyrtarët e PD nuk dha asnjë mesazh urimi për ditëlindjen e forumit rinor socialist, edhe pse, ky forum, mbushi 20 vjeç.
(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin

‘Kam qenë duke u nda me gruan’, banori i Thethit i drejtohet Ramës pasi merr certifikatën e pronësisë: Më solle pajtimin dhe unitetin