Reagime pas goditjes së zyrave të agjencive AP dhe Al Jazeera në Gaza

Reagime pas goditjes së zyrave të agjencive AP dhe Al Jazeera në Gaza

1621160959_394EF000E4684F34B82BAA473A39DE82w1023r1s.webp

Një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza, ku ndodhen zyrat e agjensive Associated Press dhe Al-Jazeera, u shkatërrua nga sulmet ajrore izraelite të shtunën, pasi vazhdon të përshkallëzohet dhuna më e ashpër midis Izraelit dhe militantëve palestinezë që nga viti 2014.

Avionët izraelitë kryen sulme ajrore në Gaza dhe militantët e Hamasit u përgjigjën duke qëlluar me raketa në Izrael, ndërsa dhuna midis të dy palëve vazhdoi në natën e pestë.

Një ndërtesë 12-katëshe, me apartamente dhe zyra të tjera përveç organizatave mediatike, u rrëzua nga raketat izraelite pasi pronari i ndërtesës mori një paralajmërim me telefon nga ushtria izraelite një orë para sulmit se do të goditej.

Punonjësit e AP dhe banorët e tjerë u evakuuan menjëherë, por Al-Jazeera vazhdoi të transmetonte sulmet ajrore ndërsa ndërtesa u shemb.

"Al-Jazeera nuk do të heshtë", tha një drejtuese në transmetim. "Ne mund t'ju garantojmë për këtë."

Presidenti dhe drejtori ekzekutiv i agjensisë AP, Gary Pruitt tha në një deklaratë se organizata e lajmeve ishte "e tronditur dhe e tmerruar" për sulmin ndaj ndërtesës, ndërsa vuri në dukje se mori një paralajmërim nga Izraeli.

Zoti Pruitt tha se AP po kërkon informacion nga Izraeli dhe Departamenti amerikan i Shtetit në lidhje me sulmin, nga i cili 12 punonjës "shmangën për pak një humbje të tmerrshme të jetës".

"Bota do të dijë më pak për atë që po ndodh në Gaza për shkak të këtij sulmi që ndodhi sot," paralajmëroi zoti Pruitt.

Drejtori i përgjithshëm në detyrë i rrjetit Al Jazeera, Dr Mostefa Souag, e quajti sulmin ajror "barbar" dhe tha se Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi.

Ushtria izraelite tha pa dhënë prova se e shkatërroi ndërtesën sepse operativët e inteligjencës brenda grupit militant islamik Hamas, po përdornin zyrat e medias si "mburoja njerëzore".

Qëllimi i këtij krimi të rëndë është të heshtë median, të fshehë masakrën dhe vuajtjet e patreguara të njerëzve të Gazës," tha ai në një deklaratë.

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Nënkoloneli Jonathan Conricus hodhi poshtë idenë se Izraeli po kërkonte t’i mbyllte gojën medias. "Kjo është plotësisht e gabuar, media nuk është në shënjestër," i tha ai agjencisë Reuters.

Ushtria izraelite tha pa dhënë prova se e shkatërroi ndërtesën sepse operativët e inteligjencës brenda grupit militant islamik Hamas, po përdornin zyrat e medias si "mburoja njerëzore".

Ushtria izraelite ka thënë gjatë gati një jave konflikti intensiv se sulmet e saj ndaj ndërtesave në Gaza kanë për qëllim goditjen e objektivave të përdorura nga Hamasi, grupi islamik që drejton enklavën.

Militantët e Hamasit kanë hedhur më shumë se 2,000 raketa në drejtim të Izraelit gjatë dhunës së fundit. Mjekët palestinezë thonë se të paktën 140 njerëz, përfshirë 39 fëmijë, janë vrarë në Gaza. Izraeli ka raportuar 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë.

PRESIDENTI AMERIKAN BISEDON ME KRYEMINISTRIN NETANYAHU DHE PRESIDENTIN ABBAS

Presidenti amerikan Joe Biden foli me Kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanyahu dhe Presidentin Palestinez Mahmoud Abbas, tha Shtëpia e Bardhë të shtunën.

Presidneti Biden rikonfirmoi se Shtetet e Bashkuara "mbështesin fuqishëm të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur nga sulmet me raketa nga Hamas" në thirrjen që pati me zotin Netanyahu.

Presidenti Biden foli edhe me presidentin palestinez Mahmoud Abbas duke i përçuar mesazhin e angazhimit amerikan për të forcuar partneritetin e Shteteve të Bashkuara me palestinezët.

Shkatërrimi i ndërtesës erdhi një ditë pasi i dërguari i Presidentit Biden, Hady Amr mbërriti në Izrael mes përpjekjeve diplomatike për të rivendosur qetësinë.

I pyetur përse u shkatërrua e gjithë ndërtesa nënkoloneli Conricus tha: "Nuk kishte asnjë mënyrë për të shkatërruar vetëm objektet e Hamasit që ishin në ndërtesë. Ata zunë disa kate në ndërtesë dhe ishte e pamundur të rrëzoheshin vetëm ato. U konsiderua e nevojshme që e gjithë ndërtesa të shembej ".

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i tha Presidentit amerikan Joe Biden në një telefonatë se Izraeli po bën gjithçka për të shmangur dëmtimin e civilëve në luftimet e tij me Hamasin dhe grupet e tjera në Gaza.

Netanyahu tha se prova për këtë ishte se gjatë sulmeve të fundit izraelite në kullat shumëkatëshe "në të cilat grupet terroriste u sulmuan nga ushtria, civilët u evakuuan", thuhet në një përmbledhje të bisedës telefonike që u bë publike nga zyra e Kryeministrit Netanyahu.

Klubi Kombëtar i Shtypit me qendër në Uashington tha se sulmi i së shtunës në ndërtesën në Gaza kishte pasuar "bombardimet nga avionët luftarakë izraelitë të dy ndërtesave të tjera që strehonin më shumë se 12 media" më 11 dhe 12 maj.

"Kjo prirje shtron pyetjen nëse forcat izraelite po sulmojnë këto agjensi për të dëmtuar mbulimin e pavarur dhe të saktë të konfliktit," tha grupi në një deklaratë.

Një raport i rrjetit Al Jazeera mbi sulmin, i publikuar në faqen e tij në internet në gjuhën angleze, citoi gazetarin Safwat al-Kahlout të thoshte: “Unë kam punuar këtu për 11 vjet. Kam mbuluar shumë ngjarje nga kjo ndërtesë, ne kemi përjetuar përvoja personale. Tani gjithçka, në dy sekonda, u zhduk. ”

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki shkroi në Twitter, "Ne u kemi komunikuar drejtpërdrejt izraelitëve se garantimi i sigurisë dhe i sigurisë së gazetarëve dhe mediave të pavarura është një përgjegjësi kryesore".

Ndërtesa u shkatërrua disa orë pasi një tjetër sulm ajror izraelit në një kamp refugjatësh të mbipopulluar vrau të paktën 10 palestinezë, kryesisht fëmijë. Ishte sulmi i vetëm vdekjeprurës ajror që kur dhuna filloi të intensifikohej në fillim të kësaj jave. Një tjetër sulm ajror vrau të paktën dy njerëz, thanë zyrtarët palestinezë të shëndetësisë.

Tensionet u shtuan më tej të shtunën ndërsa palestinezët shënuan Ditën Nakba ose Ditën e Katastrofës, duke përkujtuar shkatërrimin e atdheut palestinez në vitin 1948 për krijimin e Izraelit./Voa


Lajmi kryesor:

VIDEO/Ushtria izraelite bombardon shtëpinë e liderit të Hamasit! BE mbledhje të jashtëzakonshme me ministrat e Jashtëm për të diskutuar që t'i jepet fund dhunës


/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen