Reagimet për skandalin, Kukësi:
E turpshme oferta në emrin tone

Reagimet për skandalin, Kukësi:<br />E turpshme oferta në emrin tone
Klubi i Kukësit reagoi dje pas publikimit të videos së skandalit ku menaxheri Drini Çaushi tentoi të manipulonte ndeshjen Partizani-Kukësi duke i ofruar para mesfushorit Emiljano Vila në emër të presidentit Safet Gjici.

Verilindorët konfirmojnë edhe një herë se nuk kanë lidhje me menaxherin në fjale dhe i cilësojnë të papranueshme veprimet e tij në emër të klubit. “Kanë kaluar orë dhe ditë që nga fillimi i sulmit kundër klubit të Kukësit me qëllim përbaltjen dhe përfshirjen tonë në çështje që nuk bëjnë pjesë në mentalitetin e klubit që kemi ndërtuar. Dikush na sulmoi për historinë jo të madhe të klubit e dikush pati guxim të bënte edhe borderonë e skuadrës tonë.

Madje përfshinë në të menaxherë që nuk kanë lidhje me klubin, të cilët thjesht kanë BASHKËPUNUAR, ashtu siç bashkëpunojnë dhe mund të bashkëpunojnë edhe shumë të tjerë në afrimin e lojtarëve në ekipin tonë. E dikush tjetër pati guxim të fliste në emër të klubit! Na sulmuan për historinë, por jemi krenarë që në historinë tonë të re dhe të suksesshme emri i ekipit të Kukësit nuk është përlyer dhe nuk mund të përlyhet në çështje të tilla që janë një turp për futbollin shqiptar. Jemi krenarë që në historinë që kemi ndërtuar kemi qenë një lokomotivë e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ekipi jonë ka qenë i pari që ka futur mentalitetin e kalimit të tureve, duke i treguar të gjithëve që duke punuar me kokën ulur, me vullnet dhe PASTËR, përfitimet e çdo lloji mund të fitohen edhe duke luajtur futboll brenda fushës, jo jashtë saj! Prandaj, na jemi krenarë për historinë tonë, e cila është një dritare e bukur edhe në atë të futbollit shqiptar, pa njolla, as nga UEFA e as nga institucionet e tjera.

Për sa i përket videos, në deklaratën tonë të parë dolëm dhe thamë se menaxheri Drini Çaushi nuk është pjesë e klubit të Kukësit. Sqaruam dhe qetësuam opinionin publik dhe folëm për tifozët tanë më shumë se sa për ato media që presin me padurim dhe shpikin çdo lloj instrumenti për t’u vërsulur dhe sulmuar ekipin e Kukësit. Nuk e besuan, e ironizuan, por në fund edhe vetë deklarata e Federatës Shqiptare të Futbollit e vërtetoi fjalën tonë që Drini Çaushi nuk është pjesë e klubit të Kukësit!

E pamë videon e publikuar dhe dënojmë me forcë ngjarje të tilla të shëmtuara që nuk i bëjnë nder futbollit shqiptar. Në të njëjtën kohë, dënojmë me forcë çdo person që ndërmerr veprime të tilla personale me interesa të caktuara dhe përfshinë në to klubin e Kukësit. E PAPRANUESHME! Inkurajojmë organet kompetente të kryejnë  punën dhe do të jemi në shërbim të tyre për zbardhjen e kësaj çështje. Askush dhe asnjë person nuk mund të përbaltë klubin e Kukësit, aq më pak persona që nuk kanë lidhje dhe janë pjesë e klubit tonë.

Në të njëjtën kohë nuk mund të qëndrojmë pa përmendur edhe ecurinë pozitive të ekipit, e cila ka errësuar sytë e shumë “dashamirësve”, sidomos tani që jemi më afër se kurrë fitimit të titullit. Iu bëjmë thirrje të qëndrojnë të qetë, ashtu siç jemi edhe ne, pasi skuadra e Kukësit me në krye stafin teknik vazhdon punën pa u ndalur dhe me më shumë dëshirë. Fjalë dhe tymnaja të tilla nuk ndikojnë dhe nuk do të ndikojnë në ecurinë tonë, pavarësisht dëshirës së madhe të URITHËVE që punojnë natën dhe në errësirë për të dëmtuar klubin e Kukësit! Ne jemi me kokën lart dhe do të dalim më të fortë edhe pas kësaj tentative të radhës për të na ulur!”

Federata: Dënojmë me forcë tentativën në video

Federata Shqiptare e Futbollit ka reagur pas publikimit të video-skandalit në emisionin “Fiks Fare” ku menaxheri Drini Çaushi i kërkon fmesfushorit të Partizanit, Emiljano Vilës të tolerojë në ndeshjen kundër Kukësit. Në një postim të bërë në faqen ëeb të FSHF-së thuhet se ky veprim dënohet me forcë dhe se Drini Çaushi nuk është pjesë e asnjë shoqate ose klubi shqiptar dhe nuk ka lidhje me asnjë strukturë të FSHF-së. FSHF, thekson se distancohet nga kjo tentativë për trukimin e ndeshjes Partizani-Kukësi dhe bën thirrje që ky rast të denoncohet në organet kompetente nga klubi i Partizanit dhe mesfushori Vila.
Postimi i Federatës
“Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë veprimin më të fundit të zbardhur në emisionin investigativ “Fiks Fare”, për videon e bërë publike me tentativë, manipulimin e futbollistit të Partizanit Emiliano Vila. Personi në fjalë, që sipas videos quhet Drini Çaushi nuk rezulton të jetë pjesë e asnjë klubi, apo shoqate te futbollit shqiptar. Federata e Futbollit është e vendosur në luftën e saj për mbrojtjen e pastërtisë së lojës nga persona, apo grupe personash. Bashkarisht duhet të kontribuojmë në eleminimin plotësisht të fenomeneve te tilla, shumë të dëmshme për lojën dhe integritetin e garave. Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje dhe inkurajojmë, si lojtarin prezent në video, ashtu edhe klubin, që të denoncojnë këtë rast në organet kompetente hetimore për t'i shkuar deri në fund një rasti që kërkon zbardhje të menjëherëshme.”
 
Reagon Partizani: FSHF të veprojë për video-skandalin

Klubi i Futbollit Partizani ndjek me vëmendje çdo zhvillim që lidhet me reagimet pas videos së ublikuar nga emisioni Fiks Fare. Pak orë pas deklaratës së parë ku dënonte gjestin e menaxherit i cili foli me Emiliano Vilën në emër të Kukësit, klubi i kuq reagoi sërish me tonë më të zbutura pas qëndrimit të mbajtur nga Federata Shqiptare e Futbollit. “I bëjmë me dije FSHF-së, që materiali pasi është provuar për vërtetësinë e tij, patjetër që do t’i dërgohet prokurorisë. Por institucioni i futbollit, përvecse të distancohet nga ky skandal apo të na këshillojë rrugën që duhet ndjekim duhet të veprojë. Materiali, përmban emra dhe persona konkretë! Hetimi penal vazhdon, por ky material duhet të jetë edhe një çështje që duhet shqyrtuar nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së. Të jetë ky Komision, që pasi do të shqyrtojë faktet dhe emrat e përmendur, të vendosë nëse ka rethana për të marrë një vendim. Federata duhet të veprojë nëpërmjet komisioneve, të tregojë vullnetin e saj, në një çështje që i shërben të gjithëve, jo të hiqet mënjanë për të bërë deklarata distancuese. Ne si klub do të ofrojmë gjithë materialet e nevojshme që disponojmë, për cilndo person të përfshirë, për të parë ku rezulton, apo ku është i përfshirë. Na vjen mirë që edhe FSHF është e vendosur për mbrojtjen e pastërtisë së lojës, por kjo kërkon më shumë veprime konkrete, sesa deklarata distancuese”, theksohet në qëndrimin e dytë zyrtar të Partizanit.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com

 

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Përmbytet Vlora, shikoni garazhet e pallateve në Lungomare të mbushura me ujë

VIDEOLAJM/ Përmbytet Vlora, shikoni garazhet e pallateve në Lungomare të mbushura me ujë