TIRANË- Reagimet e para lidhur me operacionin e SPAK në të cilën u lëshuan 32 urdhër arreste, 18 prej të cilave të ekzekutuar dhe 14 në kërkim, kanë ardhur nga ministri i Brendshëm Bledi Çuçi si edhe kryeministri Edi Rama.

Për kreun e qeverisë, ky operacion është shembull kuptimplotë i fuqizimit të organeve ligjzbatuese, teksa theksois e mbështet organet e reja të drejtësisë për të shembull kaq domethënës. Kujtojmë që kryeministri Rama ka qenë mjaft kritik me punën e SPAK, sa i përket mos hetimit të ish-kryeministri Sali Berisha.

Nga ana tjetër, ministri i Brendshëm, teksa vlerësoi operacioni, tha se do t'i pritet rruga çdo të keqeje për ta bërë Shqipërinë një vend të sigurt.

Përgëzimet e tij për operacionin e SPAK ka shprehur edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj. Megjithëse e cilësoi si një zhvillim pozitiv, ai tha se nuk janë arrestuar të gjithë kriminelët dhe se arsyeja është se operacioni është dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët.

Ndërkohë për Sali Berishën arrestimet e SPAK ishin si “në erë”. Sipas tij të gjithë ata që nuk u arrestuan janë lajmëruar të ikin për të shpëtuar.

Me vendim nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit u lëshuan 32 urdhër arreste, nga të cilat 18 u ekzekutuan nga policia (prej të cilave 9 masa iu komunikuan persona të arrestuar për vepra të tjera penale), ndërsa 14 janë ende në kërkim. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:08
Albeaj përgëzoi SPAK: Provë e shqetësimeve të PD për bandat kriminale! Nuk u arrestuan të gjithë kriminelët, operacioni u dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj ka përgëzuar operacionin e sotëm të SPAK, duke e cilësuar si një provë më shumë që vërteton shqetësimet e PD në lidhje me bandat dhe ndikimin e tyre në Elbasan, Tiranë e kudo.

Ai tha se sot nuk është momenti për të valëvitur flamujt e fitores, pasi nuk janë mundur të ekzekutohen të gjitha arrestimet për shkak se operacioni u dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët.

“Operacioni i sotëm i SPAK është për t’u përgëzuar.  Është ndër të tjera një provë më shumë, që vërteton zyrtarisht shqetësimet sistematike të Partisë Demokratike në lidhje me bandat dhe ndikimin e tyre në Elbasan, Tiranë e kudo.

Aksioni i sotëm tregon shumë mirë se si është operuar në zgjedhjet e vitit 2021 ku Elbasani dhe Tirana ishte qendra e operimit e grupeve kriminale që ndikuan në zgjedhjet e vitit të shkuar, siç provoi edhe qëndrimi i SHBA.

Të gjitha akuzat e rreshtuara nga shefi i SPAK kanë qenë të formuluara dhe ligjëruara publikisht nga Partia Demokratike vite më parë ndërsa përballej me bandat e Elbasanit, Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.

Mirëpo ndonëse për vite me radhë drejtësia dhe policia kanë bërë veshin shurdhër edhe kësaj radhe fatkeqësisht policia nuk mundi të prangoste të gjithë personat për të cilët qe prerë një mandat arresti. Kjo për faktin banal se operacioni u dekonspirua kohë më parë nga pushtetarët e lidhur me bandat.

Prandaj sot nuk duhet të valëvisim flamurin e fitores përderisa nuk mund të kemi një të tillë derisa anëtarët e grupeve të strukturuara kriminale të jenë të arrestuar dhe dërguar përpara drejtësisë.

Nuk mund të shpallim fitore derisa të kemi një hetim të plotë të akuzave dhe kallëzimeve penale në lidhje me zgjedhjet dhe blerjen e votave nga këto grupe kriminale që janë denoncuar zyrtarisht nga Partia Demokratike.

Kështu që SPAK jo vetëm duhet mbështetur por edhe duhet nxitur të veprojë duke çuar më tej arrestimet, procedimet dhe gjithashtu konfiskimet ndaj këtyre grupeve të strukturuara kriminale dhe jo vetëm.

Ka ardhur koha që pandëshkueshmëria të sulmohet dhe shqiptarët të shohin drejtësinë në veprim.”, u shpreh ai.

Ora 18:50
Operacioni i SPAK, Berisha: Vetëm 1 i arrestuar, të tjerët janë lajmëruar ‘ikni sa më shpejt’

 

Sali Berisha i ka cilësuar arrestimet e SPAK si “në erë”. Ai tha nga Korça se vetëm 1 arrestim është bërë, ndërsa të tjerët sipas tij janë lajmëruar të ‘ikin sa më shpejt’

“Arrestime në erë, domethënë nga 8 boss të shpallur vetëm 1 është në arrest. Të tjerët morën lajmin “ikni sa më shpejt”.”, tha Berisha.

Ora 16:19
A kishte dijeni për operacionin e sotëm të SPAK? Si e lavdëroi një javë më parë Rama sektorin e Krimit të Organizuar: Kanë bërë punë fantastike

1652692018_RAMA2.jpg

Kryeministri Edi Rama ka qenë mjaft kritik lidhur me punën e SPAK, mirëpo mes kritikave ai nuk ka lënë pa vlerësuar Sektorin e krimit të organizuar. Në një deklaratë të 7 ditëve më parë, Rama tha se ky sektor ka bërë një punë fantastike.

“Kam shumë respekt për Arben Krajën, për drejtuesin e SPAK dhe kam respekt për punën e  SPAK deri tani. Respekt për goditjet që ka bërë në oborrin e Partisë Socialiste dhe goditjet ndaj krimit të organizuar, respekt. Pjesa që merret me krimin e organizuar është fantastike. Nuk e kanë promovuar sa duhet por kanë bërë punë fantastike. Sot është merita e Krajës dhe e SPAK që dyert për Shqipërinë janë të hapura në Holandë. Kush i pranonte më parë prokurorët në Holandë më parë, i kishte neveri”, tha më hërët Kryeministri.

A ka pasur vallë dijeni për këtë operacion të sotëm të SPAK.

Ora 15:12
Operacioni i i SPAK, Rama: Shembulli i fuqizimit të organeve ligjzbatuese! Vendosmëri për ta goditur krimin e organizuar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për operacionin e SPAK. 

"Operacioni i sotëm i SPAKUT dhe Policisë së Shtetit është shembulli më kuptimplotë i fuqizimit të organeve ligjzbatuese dhe vendosmërisë së madhe për ta goditur krimin e organizuar me të gjithë forcën e ligjit! Respekt për këtë shembull kaq domethënës. Mbështetje deri në fund", shkruan Rama. 

Postimi i kryeministrit Edi Rama 
Ora 14:15
Megaoperacioni i SPAK/ Reagon ministri i Brendshëm: Asnjë kompromis me krimin e organizuar dhe as me policët që nuk kryejnë detyrën

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka reaguar për operacionin me 18 persona të arrestuar pas 32 urdhërarresteve të lëshuara nga SPAK.

“8 grupe kriminale të goditura në disa qarqe të vendit dhe 18 të arrestuar. Përgëzime Policisë së Shtetit dhe SPAK për punën hetimore dhe operacionale, e cila vijon për ekzekutimin e plotë të 32 masave të sigurisë “arrest me burg”. Asnjë kompromis me krimin e organizuar, asnjë kompromis as me punonjësit e policisë që nuk kryejnë detyrën në luftën e vazhdueshme me krimin apo në rastin më të keq bëhen palë me të. Do t’i presim rrugën së keqes kudo ajo shfaqet e në çdo kohë, për një Shqipëri më të sigurt e ku së bashku ndërtojmë të ardhmen tonë”, shkruan Çuçi në Twitter.