TIRANE- Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në Qafë Qelë, në Pukë, ku pas një tentative grabitjeje me armë kanë mbetur të plagosur rëndë 5 persona. Në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”, Braçe reagon ndaj kësaj ngjarje të rëndë, duke u shprehur se “maskat që kanë pushtetin, qëlluan edhe fëmijë”
 
“Të tjerë shqiptarë u vranë sot në rrugë! Maskat që kanë pushtetin, qëlluan edhe fëmijë. Të gjithë që dëgjuan për këtë laj, dhe tremben, shajnë e mallkojnë, duhet të dinë se: kryeministër sot është Sali Berisha, ministër i Brendshëm është Flamur Noka, Drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit është Hysni Burgaj; drejtor i Policisë për Luftën Kundër Krimit të Organizuar është Agron Koliqi”, shkruar Braçe.
 
Duke u ndalur tek akuzat e bëra nga Berisha për praninë e personave të lidhur me krimin në grupin parlamentar të PS, Braçe thotë se “Sali Berisha është ai që ju flet prej “Facebook-u”, tamam ai që ju thotë se në grupin parlamentar të PS ka kriminelë. Por nuk janë ata që po ju vrasin! Po ju vrasin në rrugë kriminelët realë, ata që kanë marrëveshje me Sali Berishën për të bërë terror mbi ju, si hakmarrje për votën që dhatë kundër tij dhe bandave kriminale në ortakëri për 8 vite me të”.
 
Deputeti i PS, e mbyll reagimin e tij, duke theksuar se me qeverisjen e koalicionit të majtë, do të veprojë forca e ligjit mbi bandat kriminale.
 
“Ja dhe pak ditë! Forca e Ligjit do të vjerë më në fund mbi ta!”, përfundon Braçe, reagimin e tij.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)