Reagimi i plotë i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Siç e dini, pas protestës secili drejtues vajti te të tijtë: Një drejtues vajti te rrugaçët me imunitet me armë, drejtuesit e tjerë vajtën tek ata që mbrojtën dinjitetin e shtetit dhe qytetin, investimin publik, siç në rastin tonë te tre koleget e Policisë Bashkiake, të cilat janë nën kontrollin e mjekëve. Tre zonjushave të Policisë Bashkiakë i urojmë shërim të shpejtë. Dua të falenderoj të gjithë mjekët e përkushtuar të Spitalit Ushtarak dhe gjithë kolegët e tyre që po u rrinë pranë. Një prej tyre ka një shembje të klavikulës dhe besoj do të marri një kujdes më të specializuar, pas fazës së emergjencës. Dy të tjerat, njëra ka pasur shembje në kokë, nga goditjet që ka pasur mbas koke, dhe tjetra në shpinë.
 
Nuk ka pikë burrërie që deputetë, njerëz  të veshur me imunitet përdorin një fjalor rrugaçëror, mbajnë armë, që i mbajnë zakonisht rrugaçët dhe kriminelët dhe ushtrojnë një dhunë që është e denjë për karaktere të botës së krimit. Këta që sot shiten përditë për dekriminalizimin, ne i kemi në Parlament dhe sot i kishim në ballë të vandalizmit të qytetit të Tiranës. Dua t'i siguroj të gjithë qytetarët që bashkia është në krye të detyrës. Tirana nuk është as Alepo dhe as Palmira. Këta që kanë prirje për të shkatërruar dhe për të dhunuar duhet të gjejnë një sport tjetër.
 
Nuk do ta lejoj që kjo të ndodhë me investimet e Bashkisë së Tiranës. Kjo është arsyeja pse do të procedojmë penalisht dhe kemi bërë disa denoncime. Policia gjyqësore është aktualisht duke marrë denoncimet. Nuk më intereson sesa VIP është deputeti, se sa e ka armën, në thelb janë kalamaj frikacakë. Vetëm një kalama frikacak detyrohet të marrë armë kundër grave dhe të godasë gratë me grushte në kokë dhe mbas shpine. Kjo është një parti që nuk e njeh burrërinë. Trimëri nuk është të zihesh me gratë, trimëri është të respektosh ligjin, trimëri është të jesh me shumicën e publikut, i cili voton 1 herë në 4 vjet, vendos drejtimin e qytetit. Ata që shkatërruan Tiranën 4 vjet duan që të vazhdojnë shkatërrimin e Tiranës. Jam i vendosur që të vazhdojmë ndërtimin e Tiranës dhe investimet në Tiranë dhe nuk do të tërhiqem nga asnjë investim që është në dobi të qytetarëve të Tiranës.
 
E di që trazohen kur pinë late-makiaton e tyre te pallati buzë Digës, në momentin që do ketë shumë fëmijë, por dua t' i garantoj që në datën 1 qershor do të mbushet me fëmijë. Fëmijët do të luajnë, vandalët do të marrin një leksion të radhës. Më vjen keq, gjithashtu, edhe për kolegë të tjerë kryetarë të bashkisë, si kryetari i bashkisë së Kamzës, i cili torturon policinë e tij bashkiake, stafin e tij, që në vend ta bëj Kamzën si Tirana, mundohet që ta bëj Tiranën si Kamza. Tirana nuk do bëhet si Kamza, këtë ju’a garantoj. Në Tiranë nuk lejoj atë rrumpallë që ekziston sot në Kamëz. Është turp i madh që njerëzit lënë punën në Bashkinë e Kamzës, bashkia sot më e varfër dhe më e keqmenaxhuar në Shqipëri dhe vijnë protestojnë, a thua se ju djeg barku për Bashkinë e Tiranës dhe për parqet tona. Një bashki që nuk njeh park, ku nuk mblidhen plehrat dhe nuk ka pikë furnizimi me ujë, Bashkia e Kamzës.
 
Gjithashtu, më vjen keq për ata politikanë dhe sot që fëmijët e tyre i rrisin në Hollandë, drejtojnë protestat dhe sulmojnë komisariatet për ne që duam të shohim sesi do rriten në Tiranë, në kushte si të Hollandës fëmijët e qytetarëve të Tiranës. Ndaj dhe është e turpshme që kemi sot një kryetar opozite që, jo vetëm nuk e drejtoi këtë qytet, jo vetëm e shkatërroi këtë qytet, jo vetëm që nuk besoi në këtë qytet, se po të besonte në këtë qytet do e rriste familjen në këtë qytet. Ai për vete beson se qyteti i Amsterdamit është më i mirë. Si kryetar Bashkie vendosi që fëmijët t'i rrisë në Hollandë dhe ky tani proteston që mos të kenë një vend ku të luajnë fëmijët e Tiranës, siç kanë fëmijët e tij në Hollandë.
 
Kështu që, mjafton të shikosh deputetët e armatosur të PD-së, deputetët rrugaçë të PD-së, deputetët vandalë dhe dhunues të PD-së për të kuptuar se çfarë diference kemi midis ndërtimit dhe shkatërrimit, midis dritës dhe errësirës, midis punës tonë dhe dhunës së tyre. Ky vit do kaloj shumë shpejt, ne do të kemi prapë zgjedhje vitin tjetër, ata kanë një mundësi të vinë me një alternativë, kanë një mundësi të na tregojnë se cili qytet menaxhohet mirë, që ne ta kopjojmë, se edhe ata menaxhojnë disa qytete, nuk kanë asnjë. Në qoftë se na thonë se Kamza është modeli i tyre, më vjen keq, por jam i vendosur që ta bëjmë Tiranën evropiane, jo ta bathorizoj Tiranën.
 
Dua të falenderoj të gjithë qytetarët që na kanë mbështetur, të gjithë bashkinë, Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit, djemtë dhe vajzat e përkushtuar të Policisë së Shtetit, që bashkë më Policinë Bashkiake ruajtën një investim publik. 1 qershori do të vijë shumë shpejt dhe ne do të shikojmë në fund fare rezultatin e gjithë kësaj histerie.
 
Më vjen keq që do t' i mundim sërish me punë, me punë, me punë. Kjo është e vetmja përgjigje që unë kam për ta, përgjigjet e tjera do t' i marrin sipas ligjit. Jam i sigurt që sot nuk ka asnjë shqiptar, i cili thotë, ' kur të rritet fëmija im do Zoti bëhet si Strazimiri, me armë, ose do Zoti bëhet si njëri nga këta vandalët e tjerë. Dua t' ju kujtoj që zoti Çim Babasi që sot është në komisariat është një njeri që i është prishur interesi personal me Bashkinë e Tiranës. Aksioni i parë i Bashkisë së Tiranës. Ishte çlirimi i parkingut të zaptuar prej tij, tek stadiumi Dinamo. E keni parë sot, ai parking i është kthyer bashkisë, i është kthyer qytetarëve. Sot nuk shiten makinat e tij të përdorura, sot është një hapësirë, që përdoret nga të gjithë qytetarët. Nëse doni të dini sesa ambientalist është ky bëni një xhiro në Fushë-Krujë dhe Krujë dhe shikoni sesi janë bërë gropat e gëlqeres, prej këtij zotërie. Si është rrjepur Mali i Skënderbeut nga ky Çimi. Ky Çimi ëhstë dashnor i mjedisit, ky Çimi që ju prek interesi sapo u mbyll parkingu i tij tek stadiumi “Dinamo”, parking që është pronë e bashkisë, pronë e gjithë qytetarëve të Tiranës dhe po menaxhohet si pronë e bashkisë.
 
Nëqoftë se ka ndonjë qytetar që ka ndonjë dyshim, se këta i ha meraku për pemët, mjafton të shikojnë sesa pemë shkulën sot, sa vajza dhunuan sot dhe çfarë i kanë bërë malit të Skënderbeut me gropa gëlqerore këta njerëz. Nëse duan ta dinë sesa e do ish kryetari i bashkisë Tiranën mjafton të pyesin, ku e rrit familjen dhe sa vlejnë 220 mijë metra  katrorë ndërtim që dha tek Diga e Liqenit. Pse nuk vinë ta apelojnë në gjykatë, pse nuk vinë të bëhen me bashkinë  që ne ta fitojmë atë gjyq kundër asaj kompanie që Lulzim Basha i dha leje për 17 kate tek Liqeni? Nuk vinë sepse janë hipokritë, nuk vinë sepse janë të dhunshëm dhe nuk vinë sepse nuk kanë lidhje me qytetërimin. Kështu që, midis mesjetës dhe qytetërimit një gjë është e sigurt, fiton gjithmonë qytetërimi dhe qytetarët.
 
Dua të falenderoj të gjithë qytetarët e Tiranë për mbështetjen që na kanë dhënë dhe ndihem sot më i vendosur se kurrë që këtij procesi për transformimin e Tiranës ne t' i shkojmë deri në fund.

veliaj

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Jason Derulo kapet 'mat' duke darkuar me një vajzë misterioze në Tiranë