Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar vendimin absurd dhe politik. Ai është ndalur veçanërisht te dënimi i Jakup Krasniqit, për të cilin thotë se është dënuar sa Kasapi i Ballkanit, Ratko Mlladiç. Meta shkruan se asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta ndryshojë historinë e luftës çlirimtare apo ta zhbëjë pavarësinë e Kosovës.

“Ditë shumë e trishtuar për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Lufta e shkëlqyer e Kosovës për çlirim, meriton vetëm piedestalin e krenarisë patriotike dhe jo bankën e akuzës dhe dënime absurde, qartazi politike.

Dënimi realisht me burgim të përjetshëm i mësuesit dhe intelektualit, Jakup Krasniqit, me moshë 75-vjecare dhe me probleme të rënda shëndetësore, që ka përdorur gjithmonë vetëm penën dhe fjalën, po aq sa kasapi i Ballkanit, Mlladiç është dëshmia më e rëndë e absurditetit të këtij vendimi politik të dhënë gjoja në emër të popullit të Kosovës.

Vendin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka vendosur përjetësisht historia. Pavarësinë e Kosovës, të njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka gjykatë, që e ndryshon dhe e zhbën dot kurrë”, shkruan Meta.


Lajmi kryesor:

Dënimi i liderëve të UÇK-së, Shqipëria e Kosova një zë: Vendim i papranueshëm! Kurti: Nuk përfaqëson vullnetin e popullit! Rama: Turp! BE apel për përmbajtje