Reagon dekani i Fakultetit, Bajram
Hysa: Nuk ka asgjë antiligjore

Reagon dekani i Fakultetit, Bajram<br />Hysa: Nuk ka asgjë antiligjore
TIRANE - Dekani i fakultetit të Mjekësisë, Bajram Hysa, na shpjegon se i gjithë sherri i ndodhur në këtë mbledhje është e inicuar nga një grup i vogël profesorësh. Hysa shpjegon se ai, së bashku me kreun e KP-së, nuk kanë shkelur asnjë ligj, çdo gjë është bërë konform ligjit dhe se ata që kishin kundërshtime kanë tejkaluar çdo cak të sjelljes. Ai madje ngre gishtin e akuzës edhe ndaj rektores së Universitetit të Mjekësisë, Jera Kruja, që sipas tij, duhet të mbajë një pozicion më neutral dhe të ndihmojë në mbarëvajtjen e punës së këtij universiteti të ri dhe jo t’i fryejë zjarrit me sjelljen e saj.

“Sa i përket zgjedhjes së kryetarit të këshillit të profesorëve ne kemi zbatuar statutin e Universitetit të Tiranës. Nestor Thereska, që mbante këtë post, është zgjedhur në janar të vitit 2012 dhe ne duhet të bënim zgjedhjen e re në janar 2013, por këtë nuk e bëmë dot sepse në janar u krijua Universiteti i Mjekësisë. Me krijimin e këtij universiteti të gjitha statutet që ishin në fuqi, dhe që ishin të universitetit të Tiranës shfuqizohen, pasi një universitet nuk është i detyruar që të zbatojë rregulloret dhe statutet e një universiteti tjetër.

Madje rektorja, përgatiti një draft që unë e konsideroj antiligjor, pasi në të nuk janë marrë në konsideratë vërejtjet e senatit, ndaj këtë draft Ministria e Arsimit e ka kthyer mbrapsht. Sa i përket mbledhjes së Këshillit të Profesorëve të datës 11 korrik, meqë kishte kontestime, profesor Nestori dha dorëheqjen në mbledhje dhe po aty u propozua emri i Elsa Kones si kryetare e këshillit të profesorëve, ndërkohë që ata, që sot kundërshtojnë, jo vetëm që nuk bënë asnjë propozim konkret, por madje u sollën në një mënyrë të turpshme dhe patën reagime ekstreme ndaj personit tim dhe profesorit të nderuar Nestor Thereska.

Pikërisht për njërin prej tyre unë kam marrë edhe masën e paralajmërimit për pushim nga puna. Dhe e gjitha kjo ndodhi në sy të rektores Jera Kruja, që u largua nga mbledhja në mënyrë demostrative dhe pas saj dolën edh 5-6 profesorë të tjerë. Por emri i Elsa Kones u votua me proces të rregullt dhe mori votat e 35 anëtarëve të këtij këshilli. Këtu nuk ka asgjë antiligjore”, na thotë dekani i Mjekësisë, Bajram Hysa.

Profesor Nestor Thereska, na thotë se gjithçka ka qenë e ligjshme dhe beteja e nisur në këtë këshill nga një grup profesorësh ka vetëm interesa të ngushta personale. “Unë kam kërkuar para 3 muajsh që të jap dorëheqjen, por pasi u konsultova me drejtues dhe akademikë të njohur më sugjeruan që nuk kisha pse ta bëja një gjë të tillë në mes të vitit akademik, por të prisja muajin gusht. Por në mbledhjen e datës 11 korrik, një grup i vogël profesorësh, reagoi në mënyrë paradoksale, duke kaluar çdo kufi të edukatës. Madje njëri prej tyre, gati sa nuk e goditi dekanin, por e nxorrën jashtë.

Meqë ata kërkonin me ngulm largimin tim, unë dhashë dorëheqjen, dhe po aty u propozua si kandidaturë emri i Elsa Kones, me 32 vjet eksperiencë në fushën akademike, zv.rektore e UT-së, shefe departamenti, ndërsa askush nuk pati propozime për ndonjë emër tjetër. Dhe Elsa Kone mori votat e mbi 33 profesorëve dhe çdo gjë është e protokolluar. Këtu nuk ka asgjë që nuk shkon. Të gjithë ata që ishin në mbledhje janë habitur me këtë veprim karrierizmi të tepruar. Anëtarët e këshillit të profesorëve, duhet të lënë mënjanë ambieciet personale dhe të kenë një sjellje më dinjitoze”, - na thotë, profesor Nestor Thereska.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Rikthehen deputetët, të hënën rinis Parlamenti! Sfidat/ Sesioni i ri me probleme të vjetra, çështja 'Xhaçka’ e para

Rikthehen deputetët, të hënën rinis Parlamenti! Sfidat/ Sesioni i ri me probleme të vjetra, çështja 'Xhaçka’ e para