Reagon Lista Serbe: Asociacioni duhet të ketë kompetenca ekzekutive!

Reagon Lista Serbe: Asociacioni duhet të ketë kompetenca ekzekutive!

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq

Lista Serbe tha se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe se i njëjti duhet të formohet, pasi është obligim që Kosova ka marrë me marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel. Përmes një njoftimi për media, Lista Serbe tha se përfaqësuesit e saj morën pjesë në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë lidhur me Asociacionin. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, tha se Asociacioni është i nevojshëm “për mbijetesën e popullit serb” dhe se formimi i tij është kërkesë e serbëve në Kosovë.

“Veçmas theksuam se është e nevojshme që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, siç është rënë dakord në Bruksel gjatë negociatave midis Beogradit dhe Prishtinës dhe se krijimi i tij është një obligim që nuk duhet shmangur, sepse duhet të jetë një institucion ombrellë për popullin serb, që do të mbrojë të drejtat individuale dhe kolektive të popullit tonë”, u tha në njoftimin e Listës Serbe.

Në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane morën pjesë zyrtarë qeveritarë, diplomatë dhe pjesëtarë të shoqërisë civile. Nikoqiri i këtij takimi, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara veçse e kanë bërë të qartë se nuk mbështesin “asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

“Ne kundërshtojmë rreptësisht krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier.

Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin, më 2013 dhe 2015. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës. Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen. Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton formimin e një Asociacioni njëetnik me kompetenca ekzekutive, ndërsa në Beograd insistojnë në themelimin e tij./REL

F.D/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli