Real Madridi i ka zhvilluar dje 90 minutat e mbetura të ndeshjes së dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër APOEL Nicosias, për t’u kualifikuar edhe zyrtarisht në gjysmëfinale.

Mbretërit e kryen punën që në takimin e parë në stadiumin Neo GSP ku fituan me rezultat 3-0, ndërkaq të mërkurën mbrëma triumfuan edhe në Santiago Bernabeu me rezultat 5-2. Në gjysmëfinale, Real Madridi do të luajë përballë Bayern Munichut që në çerekfinale eliminoi Marseillen.

Skuadra e Chelsea do të jetë rivali i Barcelonës në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, pasi në çerekfinale eliminoi Benfican me rezultat të përgjithshëm prej 3-1.

Një javë më parë Blutë triumfuan me rezultat 1-0 në Estadio da Luz, ndërsa edhe në ndeshjen kthyese në Stamford Bridge, Chelsea fitoi me rezultat 2-1.