Reciprociteti për targat, sot në Bruksel pritet të vijojnë bisedimet Kosovë-Serbi

Reciprociteti për targat, sot në Bruksel pritet të vijojnë bisedimet Kosovë-Serbi

BRUKSEL- Ditën e sotme pritet të vijojnë bisedimet në Bruksel mbi tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, që vijojnë që prej 11 ditësh. Pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vijojnë të jenë të bllokuara, që prej momentit që Kosova vendosi masën e reciprocitet të targave.

Ndërkohë, ditën e djeshme në Bruksel, përmes të dërguarit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak u finalizua një draft-dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje pritet të miratohet nga Beogradi zyrtar, ndërsa mes dy palëve nuk ka pasur një takim.

Marrëveshja, sipas zv.kryeministrit Besnik Bislimi parasheh tri elemente:

1.Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR-it do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës.

2.Me datën 4 tetor, në ora 08:00 do të fillojë zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve, me të cilat, si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra-tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3.Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Ky grup do të ketë gjashtë muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Zv.kryeminsitri Besnik Bisilimi dje gjatë një konference për shtyp u shpreh se nuk kanë rënë dakord me Serbinë vetëm në një pikë, sa i përket targave të Mitrovicës së Veriut.

“E vetmja pikë ku Serbia ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhej të aplikoheshin stikersat, kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të nënshkruajmë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegal të tabelave kështu që edhe ata do të kishin të njëjtin sistem për aq kohë sa lëvizin në veri, ndërkaq në jug do të konfiskoheshin”, ka thënë Bislimi.

Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga BE-ja, nuk ka përfunduar dhe se negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara thonë se është bërë përparim, por negociatat ende vazhdojnë.

“Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, thuhet në një postim në rrjetin Twitter të të ngarkuarit me punë në Ambasadën amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

Tensionet në veri janë rritur që nga 20 shtatori kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Kjo masë po kundërshtohet nga qytetarët serbë, të cilët kanë bllokuar rrugët që çojnë për në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak. Më 25 shtator, Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok u dogj, ndërkaq Qendra për Regjistrim Civil në Zveçan u sulmua. Për këto incidente, Kosova ka fajësuar Serbinë. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës njoftoi të hënën se, nga 20 deri më 26 shtator ka administruar 10.110 targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë.

Qeveria e Kosovës 11 ditë më parë nisi zbatimin e reciprocitetit për targa duke vënë targa të përkohshme për veturat me targa të Serbisë që hyjnë në territor të Kosovës. Çështja e targave është e rregulluar me Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat 'KS' (Kosovë) ose 'RKS' (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:40
Takimet në Bruksel dhe situata në veri, i dërguari DASH për Ballkanin Perëndimor mban sot konferencë për media

Zëvendës ndihmës sekretari për Çështje të Evropës dhe Euroazisë në Departamentin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me situatën në Kosovë, bisedimet që po mbahen në Bruksel dhe dialogun me Serbinë.

Konferenca do të mbahet në orën 15:00, ka bërë të ditur Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Escobar, të mërkurën u takua në Bruksel me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me shefin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç. Escobar, që njëherësh është i dërguar i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, tha se ai po mbështet përpjekjet e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar në veri të Kosovës.

Zyrtari amerikan tha se duhet që urgjentisht të gjendet zgjidhje për çështjen e targave të automjeteve dhe që palët t’i kthehen dialogut, përmes të cilit do të zgjidhen çështjet e hapura

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja