Referendumi/ Blushin e replikon 
salla, debatet pa mikrofon me Ruçin

TIRANE - Gazeta Shqiptarja.com zbardh debatet për referendumin për mandatin e kryetarit socialist gjatë Kongresit të Partisë Socialiste. Salla e tejmbushur e Pallatit të Kongreseve ka replikuar sërish me deputetin Ben Blushi, i cili ka shpallur kandidaturën për kryetar nëse do të mbahen zgjedhje. Debatet pa mikrofon me kreun e grupit parlamentar Gramoz Ruçi.

Gramoz Ruçi: Shoqja Dade ngriti këtu një problem dhe ne nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ky problem kërkon zgjidhje dhe përgjigje nga ky Kongres. Fjalën ja jap kryetarit të partisë.

Edi Rama: Është anëtarësia që duhet ta ndajë këtë muhabet të stisur. Janë ata që duhet të thonë me votën e tyre nëse duhet të vazhdojmë duke konfirmuar mandatin mbi bazën e statutit të ri. Nëse ata nuk do ta konfirmojnë mandatin mbi bazën e statuti, sigurisht që bujrum, të bëjmë zgjedhje në parti, të bëjmë një muaj punë që nuk është puna jonë sot. Puna jonë sot është qeverisim. Kështu që, ju kërkoj që Kongresi të japë miratimin që kjo çështje të mos jetë një çështje debati me alibia, me sebepe që bëjë mu, dhe as një çështje argumentesh që nxjerrin njëri-tjetrin, por të jetë një çështje që e zgjidhin me votim të gjithë socialistët në të gjithë vendin.

Pra, një referendum demokratik brenda partisë, që rikonfirmon atë që ne jemi, që pavarësisht shumicës nga cepi në cep i kësaj salle, nuk i imponohemi një pakice sado të vogla, por japim mundësi, edhe asaj pakice që të ndjehet mirë. Kam kundra shumë nga kolegët, për arsye tërësisht të kundërta me arsyet e kolegëve që thonë se këtu po bëhet hataja, por do t’ju lutesha që të mos e kalojmë këtë moment, duke e mbyllur me një votë tiranike në këtë Kongres. T’u japim mundësi të gjithëve dhe marrim përgjigjen jo nga lart, por nga poshtë, nga të gjithë socialistët.

Ben Blushi: “Referendumi nuk bëhet për njerëz. Zgjedhjet bëhen për njerëz. Ne sapo e votuam statutin që s’ka fuqi prapavepruese. Nuk kam votuar kurrë dot një ligj që efektet e të cilit fillojnë sot, por në fakt efektet fillojnë dje, pardje, para 3 vitesh. Ky statut hyn në fuqi për zgjedhjet e ardhshme dhe për çdo normë tjetër që ato sanksionon.

Ne po ndërtojmë një normë e cila anulon në vitin 2016, zgjedhjet që duhet të ishin bërë në vitin 2013-ë. Është thënë se s’patëm kohë, por askush nuk e pengonte këtë Kongres, Asamblenë, Kryesinë e PS të mblidhej në atë kohë. S’patëm mundësi se kishim reforma? Pse s’bëmë Kongresin atëherë? Asamblenë? Kryesinë? Është një cenim i dinjitet të gjithë ju. Kush i fiton zgjedhjet kryetari i PS, apo partia?”

Zëra nga salla: Të dyja.
Ben Blushi: "Ky është privatizim i një partie. Edi Rama nuk është çështje. Përsa kohë s’ka zgjedhje, kjo parti po ngre pikëpyetje. Ne kemi propozuar një pikë, që thotë se sipas statutit në fuqi,ky Kongres përcakton dhe hap datën e zgjedhjeve për kryetarin e partisë, s’u fut fare në rendin e ditës”
Zëra nga salla: Krijo një parti të re.
Edi Rama: Boll ju aty. Qetësohuni.
Arta Dade: Me leje, ju aty që zhurmoni. Po doni merrni fjalën, regjistroni emrin dhe flisni. Anonimat nuk ka këtu. Tani hapeni pak tek neni 8, tek secili statut, i riu dhe i vjetri ku thuhet se detyrat funksionale të partisë zgjidhen me transparencë. Tani më thoni, kryetari i partisë, është apo jo detyrë funksionale? S miratuat statut të ri pa shfuqizuar të vjetrin.
Vangjush Dako: Fjala e kryetarit që do të bëjmë referendum, më duket se do t’i bëjë qejfin Blushit. Statuti nuk përmban referendumin. Nëse duan të largojnë kryetarin, grupi parlamentar dhe anëtarësia, mund ta shkarkojë. S’mund të diskutojmë statutin se do Ben Blushi të bëhet Kryeministër. Kemi gjithë këtë kohë që merremi me statutin, se statuti të bën kryeministër, s’të bën statuti por vota e popullit.
Edi Rama: Çështja është tek një axhendë tërësisht personale dhe këtë e dinë të gjithë, s’po them asgjë të re. Por edhe axhendat personale, sado jashtë vendit, jashtë kohës, sado jashtë të gjithë qëllimeve strategjike të një force politike si e jona, duhen në mos respektuar, se për t’i respektuar është e vështirë, së paku nuk duhet përjashtuar nga debati.
Gramoz Ruçi: Problemi është politik, por kërkon zgjidhje edhe statusore, edhe politike. Zgjedhjet për kryetar janë formalitet. Nuk jemi në pushtetet e një mocioni mosbesimi.
Ben Blushi: Ramës i ka skaduar mandati.
Gramoz Ruçi: Jo Blush, me këtë emër, me këtë kryetar ju drejtuam shqiptarëve në 2013 dhe ju kërkuam votat, që ta bënim këtë kryeministër.
Ben Blushi: Pse nuk bëni zgjedhje more?
Gramoz Ruçi: Ka dhe një tjetër hapësirë statusore. Mocion besimi.
Edi Rama: Mbase ka dhe një rrugë tjetër statutore, por me këtë rast vëmë dhe një kapak mbi këtë pjesën tjetër, si po qeverisim, si s’po qeverisim etj.: mocionin e besimit, që i bie ta kërkoj unë. Por unë jam i prirur të them që në këtë rast e gjithë kjo është një farsë dhe kësaj farse duhet t’i japë fund anëtarësia. Këtë di unë.
Gramoz Ruçi: Atëherë ngelet referendumi..
Ben Blushi: Cilin nen?
Gramoz Ruçi: Blush, mos bëj zhurmuesin. Kam respekt për ty.
Ben Blushi: Më thuaj pra, cila do të jetë pyetja e referendumit?
Gramoz Ruçi: Kjo pra, interpretimi i ndryshëm i statutit nga ti e nga ky?
Fatmir Xhafaj: E keni gabim. Mos e ndreqni gabimin me një gabim tjetër, se pastaj bëhet faj. Duhet hequr dorë nga ideja e referendumit. Statutin o e keni votuar, o s’e keni votuar. Nga sot, përgjigjen e ka dhënë Kongresi. Nga dita e sotme, të gjitha strukturat e PS, zgjidhen me këtë statut. S’ka tjetër diskutim, këtu mbarojnë diskutimet. Kongresi duhet t’i bëjë qejfin statutit që e miratoi.  

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave